AGK dënon kërcënimin këtij zyrtari shtetëror ndaj gazetarit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur që gazetari Bujar Vitija ka marrë kërcënime nga zyrtari i Prokurimit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, Zenel Kuqi, transmeton Gazeta Metro.

AGK është informuar nga gazetari Vitija për kërcënimin që ka marrë nga zyrtari shtetëror, Zenel Kuqi. Rasti është raportuar në Polici.

Gazetari Vitija ka thënë se të premten pasdite është kontaktuar nga Zenel Kuqi, zyrtar i Prokurimit në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), dhe ka kërkuar që të takohet me të por gazetari ka refuzuar.

Vitija, kryeredaktor në portalin Gazeta Shneta, thotë se ai e kishte thirrur për shkak të një shkrimi të publikuar disa ditë më parë e që kishte të bënte me lirimin e Kuqit nga aktakuzat që e ngarkonin për dëmtim të buxhetit të shtetit.

Pas refuzimit për takim, Vitija është kërcënuar nga Kuqi i cili e ka sharë dhe ofenduar, dhe i ka sugjeruar që ta lajmërojë policinë. “Lajmëroje policinë e mos humb kohë sa të ka mbetur”, kishte thënë Kuqi.

“AGK dënon fuqimisht këtë kërcënim të zyrtarit shtetëror ndaj gazetarit Vitija dhe kërkon nga organet e sigurisë dhe drejtësisë që ta trajtojnë këtë rast brenda afateve ligjore.

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë sulme të drejtpërdrejta në lirinë e shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve për informim. Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm në interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e AGK’së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button