Meta dhe FSHF mesazhe ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Vokrrit

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), si dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shprehën ngushëllime për ndarjen nga jeta të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Federata Shqiptare e Futbollit ndihet thellësisht e tronditur dhe e shokuar nga ndarja e parakohshme nga jeta e mikut, dhe kolegut të saj, kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri. Komuniteti i Futbollit në Shqipëri përcjell ngushëllimet më të thella e më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë, sportdashësit dhe mbarë qytetarët e Kosovës për këtë ndarje tragjike e të parakohshme nga jeta të Vokrrit, që vuri gjithçka në dispozicion të rritjes dhe zhvillimit të Futbollit në Kosovë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit publikuar nga FSHF.

Më tej thuhet se “Kontributi i Presidentit Vokrri do të mbahet mend shumë gjatë për angazhimin e tij maksimal dhe gjithëpërfshirës në drejtim të ngritjes dhe përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës dhe Futbollit të saj, në Europë dhe në Botë. FSHF është e bindur që fizionomia dhe idetë e tij për progresin e Futbollit të Kosovës, në rang kombëtar dhe ndërkombëtar do të ndiqen dhe elaborohen ndër vite nga brezat dhe kolegët e FFK-së.”

Mesazh ngushëllimi ka patur edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili thekson se ndarja e parakohshme nga jeta e legjendës së futbollit të Kosovës është një lajm shokues për të gjithë shqiptarët që e kanë ndjekur e adhuruar shkëlqimin e talentit të tij, si sulmues e golashënues i Prishtinës, por edhe i ekipeve të njohura evropiane të Partizanit, Beogradit dhe Fenerbahçes.

“Me personalitetin e tij ndërkombëtar ndihmoi integrimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Fadil Vokrrit, Federatës së Futbollit të Kosovës, mbare botës shqiptare të futbollit, jam i bindur se personaliteti i jashtëzakonshëm që ai krijoi në fushën e blertë do vazhdojë të frymëzojë gjeneratat më të reja në rrugën e suksesit”, thuhet në mesazhin e Metës, publikuar nga Presidenca e Shqipërisë.

Kujtojmë se kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri u nda nga jeta në moshën 57 vjeçare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button