Jemen, në katër vitet e fundit janë vrarë 27 gazetarë

Që nga fillimi i luftës civile në Jemen në vitin 2014 janë vrarë 27 gazetarë, njoftoi sot organizata joqeveritare Sindikata e Gazetarëve të Jemenit, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Shtypi i lirë në Jemen është duke kaluar përmes një periudhe shumë të vështirë dhe ndodhet në shënjestër të luftës sistematike nga viti 2014”, thuhet në deklaratën me shkrim të Sindikatës të lëshuar me rastin e 9 qershorit, Ditës së gazetarëve në Jemen.

Sipas njoftimit, 27 gazetarë “humbën jetën për shkak të kryerjes së detyrës”.

Sindikata thekson se mediat jemenase janë plaçkitur, gazetarët dhe fotografët u dëbuan dhe se u janë bllokuar me mijëra lajme. Ata kërkuan lirimin e 12 gazetarëve të arrestuar nga rebelët Huthi si dhe një gazetari tjetër që mbahet peng nga Al Kaeda.

“Ata jetojnë në kushte të këqija dhe i nënshtrohen torturës brutale”, thonë nga Sindikata e Gazetarëve të Jemenit, dhe u bëjnë apel palëve ndërluftuese në Jemen që të krijojnë një ambient të përshtatshëm dhe të sigurtë për punën e gazetarëve dhe të respektojnë të drejtën e informimit.

Jemeni është skenë e një krize të thellë politike dhe sigurisë që u përshkallëzua në luftë civile në fund të vitit 2014.

Konfliktet në Jemen u acaruan edhe më tej në mars të vitit 2015, kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj filluan sulmet ajrore mbi pozicionet e kryengritësve. Që atëherë, rebelët Huthi kanë shkrepur mbi 100 raketa ndaj Arabisë Saudite.

Lëvizja rebele Huthi kontrollon kryeqytetin Sana dhe disa rajone të rëndësishme të vendit ndërsa qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit, vepron nga qyteti port i Adenit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button