PËRVJETORËT QË NA E KUJTOJNË TË SOTMEN

Më dhjetë qershor festojmë përvjetorin e 140 të Lidhjes së Prizrenit  –  kësaj lëvizjeje të rëndësishme historike, krahu atdhetar i së cilës kërkoi: bashkimin e krahinave shqiptare në një vilajet të vetëm, me një kryeqendër ku do të merreshin vendimet e rëndësishme për kombin; sigurimin e financave për nevojat e vendit; hapjen e shkollave shqipe dhe përhapjen e arsimit kombëtar; pavarësinë kulturore, ekonomike dhe juridike nga Perandoria Osmane; krijimin e kushteve për lulëzimin e gjuhës, kulturës dhe artit, nëpërmjet të cilave do të ringjallej vetëdija e shkërmoqur etnike, madje dhe organizimin e njësiteve mbrojtjese të atdheut, në rast copëtimesh të reja të Shqipërisë natyrale…

Formimi i Lidhjes mori shkas nga Traktati i Shën Stefanit, i nënshkruar më 3 mars 1878, kur, për të shpëtuar Stambollin…, Porta e Lartë nënshkroi dhe shiti pa dhimtë territoret shqiptare.

Faljen e tokave të tyre stërgjyshërit tanë e përjetuan rëndë dhe e konsideruan si hakmarrje për gjithë ato telashe që i hapën Portës pakënaqësitë dhe kryengritjet si ajo e Dervish Carës (1844-1847), e njohur si beteja antiosmane me shtrirje më të madhe gjeografike e bërë ndonjëherë nga shqiptarët (nga Dibra gjer në Vrajë…).

Vendimet e Traktatit famëkeq i bindën edhe shqiptarët më të fjetur që të ngrenë duart nga ideja absurde se Porta e Lartë ka vullnet dhe është në gjendje t’i mbrojë interesat e tyre madhore. Siç dihet, shqiptarët nuk i njihte kush për komb, sepse Porta kishte vendosur t’i shkrijë në magmën osmane. Se sa i dhimbseshim asaj dëshmon qëndrimi inferior ndaj kasaphanës serbe mbi popullatën shqiptare të Sanxhakut të Nishit dhe mungesa e përpjekjes për të kërkuar të paktën një shpërngulje më humane për atë masë të madhe njerëzish të pafajshëm. Po sjell këtu një copëz të rrëfimit të mësuesit serb – Josif H. Kostiqit, që kishte qenë dëshmitar i krimit monstruoz të bashkëkombësve të tij: Ka pasur shumë shqiptarë, të cilët zhveshur e zbathur, nëpër të ftoftit më të madh të dhjetorit, nëpër borë i lanë në Leskovc shtëpitë e tyre me plot gjëra. Atë natë shumë fëmijë me qerre apo me djep në krahët e nënave kanë vdekur nga të ftoftit e madh… Pranë rrugës gjatë grykës së Gërdelicës, deri ke Vranja dhe Kumanova, nga janë tërhequr familjet shihen fëmijë të hedhur, të vdekur dhe pleq të ngrirë. Tërheqja ishte tragjike…

Këto rrethana pra nxitën organizimin politik të shqiptarëve dhe lindën Lidhjen e Prizrenit, që nisi punimet më 10 qershor të vitit 1878, me delagatë nga të katër vilajetet shqiptare.

Mjerisht, përkundër përpjekjeve të ideatorëve të Lidhjes me në krye Abdyl Frashërin, punët nuk shkuan mirë. Shqiptarët ishin të përçarë keq, ndaj nuk arritën të miratojnë me shumicë votash asnjërin prej programeve të grupeve antagoniste të delegatëve të Kuvendit të Lidhjes. Kjo hapi mundësinë e spekulimeve turko-sllave, që manipuluan në veçanti me Kararnamen – programin e grupit proturk të kuvendarëve, që nuk pranonte asnjë autonomi për shqiptarët dhe asnjë lloj qeverisje jashtë çadrës pushtetare të Sullatnit. Kjo i shkonte për shtati Serbisë, e cila e përktheu kararnamen e votuar prej vetëm 44% të delegatëve dhe e publikoi atë gjithandej medieve të saj të shkruara, duke ua ofruar në gjuhë të huaja edhe diplomatëve të Kongresit të Berlinit, si dëshmi për gjoja orientimin proosman të gjithë shqiptarëve…

Të gjendur pa një krahë ndihme dashamirëse prej ndonjë fuqie evropiane të kohës, shqiptarëve nuk u mbeti tjetër pos peticioneve e memorandumeve drejtuar diplomatëve pjesëmarrës në Kongresin e Berlinit. Më i njohuri ndër këta memorandume është ai që Pashko Vasa ia dorëzoi ministrit të mbretëreshës angleze – Lordit Beaconfield, ku, ndërmjet tjerash, thuhej: Sikurse nuk jemi as nuk duem të jemi tyrq, njashtu kem për të kundërshtue me të gjitha fuqit t’ona kundra kujdo të duen me nab a sllav, o austrijakë, o grek. Ne s’duem të jemi veçse shqiptarë!

Pjesë e detit të madh të memorandumeve dhe letrave që shqiptarët e krahinave të ndryshme ua dërguan ambasadorëve perëndimorë në vigjilje të Kongresit në fjalë, me qëllimin e vetëm që ta demaskojnë propagandën për gjoja përçarjet e thella brendashqiptare, është dhe letra e tetovarëve, të cilën e shkëputëm nga vepra e akademik Kristo Frashërit mbi Lidhjen e Prizrenit…: “Ne banorët e Tetovës – thuhej në protestën e tyre të datës 22 maj 1878 – jemi më shumë se 30 mijë burra muslimanë, ndërsa të krishtëret nuk janë më shumë se një e katërta. Pra muslimanët përbëjnë shumicën si numër, por, e lëmë mënjanë këtë, sepse, si shqiptarë, ne jemi të gjithë degë të dala nga i njëjti trung, nuk kemi mosmarrëveshje për asnjë çështje dhe jetojmë të gjithë të bashkuar”.

Kështu përballeshin stërgjyshërit tanë me rreziqet që i kanoseshin zhbërjes së atdheut dhe etnisë, në një kohë kur gjithçka ishte në disfavorin e tyre. Mjerisht, unë, ti, ne… mësuam shumë pak nga e shkuara, ndaj vazhdojmë betejën me sfidat e njëjta të saj…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button