Prodhuesit e tekstilit: Qeveria të mendojë për reformat në ekonomi

 Grupi i tekstilit (TTZ) dhe Organizata e Punëdhënësve të Republikës së Maqedonisë, në një brifing me gazetarë, shpalosën pikëpamjet e tyre për zhvillimet e fundit në industrinë e tekstilit, e cila sipas tyre rrezikon humbjen e mbi 5.000 punëtorëve, raporton Anadolu Agency (AA).

Ata thonë se si pasojë e pagës minimale të miratuar dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar normën e punës, disa investitorë të huaj, tashmë janë larguar nga vendi.

Marijana Perkovska, kryetare e Klaster Tekstil tha se propozimi të cilin ata e kanë dhënë, që 50 për qind e kontributeve të cilat do të paguhen në sektorët intensiv të punës, të orientohen drejtpërdrejt tek punëtori, me çka do të përmirësohej situata në këtë sektor, sepse rritja e pagave do të joshte të rinjtë të përzgjedhin këtë profesion.

Ajo tha se disa kompani tashmë kanë mbyllur kapacitetet prodhuese, kryesisht investitorë të huaj, të cilët biznesin e tyre e kanë transferuar në shtetet në afërsi, ku ka një klimë më të mirë të biznesit.

“Kur si kompani detyroheni të merrni kredi për të paguar pagat, atëherë shihni se diçka nuk bën punë. Kompania përkundër të punuarit në minus, e ka patjetër të punojë sepse prodhimtaria ka kritere dhe standarde ndryshe nga tjerët, siç është për shembull tregtia, e cila nëse nuk ecën punë mund të mbyllet”, sqaroi Perovska, për të shtuar se nuk kërkojnë përkrahje për pagën minimale por për paga më të larta të cilat do t’i stimulonin punëtorët për të rritur produktivitetin.

Kryetari i Organizatës së Punëdhënësve të Republikës së Maqedonisë, Angel Dimitrov, nga ana e tij u ndal tek prodhimi i veshmbathjeve në periudhën janar-prill të këtij viti, i cili shënon ulje me 4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa prodhimi i lëkurës, shënon ulje me 6.3 për qind, nga shkaku i uljes së numrit të punëtorëve.

Ai kërkoi vëmendje më të madhe të qeverisë, sepse siç tha, as importi-eksporti nuk lë shumë për të dëshiruar.

“Në këtë periudhë, eksportet regjistrojnë 523 milionë dollarë ndërsa importet 86 milionë dollarë. Kjo do të thotë se kjo degë është eksportues neto, që është shumë e rëndësishme për mirëmbajtjen e bilancit të pagesave në Republikën e Maqedonisë”, tha Dimitrov. Ai sqaroi se industria e tekstilit, ka të punësuar 35.000 persona.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP