“Kembrixhi”, a po rikthehet projekti i dështuar në arsim, MASH nuk e mohon

Një vit pas anulimit të implementimit  të projektit të Kembrixhit ne shkollat e mesme, nxënësit dhe mësimdhënësit ende ballafaqohen me mungesë të madhe të teksteve shkollore dhe sidomos atyre profesionale.

Edhe pse ky projekt u anulua vitin që lamë pas, megjithatë nuk përjashtohet mundësia për futjen e tij gjatë vitit të ardhshëm shkollor në arsimin e mesëm. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), thonë për Portalb.mk se ende nuk kanë informacion lidhur me rikthimin e këtij projekti, megjithatë vitin që lamë pas, tani më ish ministrja e arsimit Renata Deskoska tha se askush nuk ka mundur të supozojë se do të hiqet vendimi për mësim në bazë të Kembrixhit edhe në shkolla të mesme, prandaj edhe organet përgjegjëse i janë mbajtur trajnimet.

“Programi i Kembrixhit për shkolla të mesme është në periudhë qetësie kurse nuk është shkëputur i tëri. Se a do ta realizojmë vitin e ardhshëm ende nuk kemi vendosur. Ka pasur arsye se pse u vendos ashtu. Njëra nga ata arsye është se është shumë herët që të realizohet i njëjti, kurse kishte probleme edhe me librat. Procesi për realizim të Kembrixhit është në vijim por për momentin është në heshtje dhe do të rivlerësohet. Konsideroj se nuk janë hedhur në ajër paratë në mënyrë të palogjikshme sepse janë shfrytëzuar për ngritje dhe trajnime”, tha Deskoska më 26 tetor të vitit 2017.

LEXO: Deskoska: Do të hiqet edhe Programi i Kembrixhit
LEXO: Kembrixhi, çfarë do të ndodh me shkollat fillore?!

Mësimdhënësit shqiptarë vazhdojnë të shohin zgjidhjen tek unifikimi i teksteve me Shqipërinë, mirëpo kjo është larg realizimit, pasi që deri më tani madje as edhe Abetarja nuk ka arritur të unifikohet, por tani kanë filluar spekulimet e rikthimit të këtij projekti në sholla të mesme.

“Kemi dëgjuar se nga viti i ri shkollore 2018/2019 do të fillojmë të punojmë me programin e Kembrixhit. Nuk e dimë se a është bërë ndonjë ndryshim, por shohim se ata në arsimin fillor vazhdojnë të ankohen lidhur me përmbajtën e rëndë dhe të pakuptueshme si dhe të papërshtatshme për kushtet në Maqedoni”, tha Arlinda S., mësimdhënëse.

Zgjidhjen e gabimeve në tekstet shkollore dhe përkthimet skandaloze të librave të Kembrixhit, dhe të titujve tjerë të huaj, nga MASH e shohin në ligjin e ri që është në përgatitje për literaturën e shkollave fillore dhe të mesme.

“Është duke u përgatitur ligj i ri për literaturën, procedurën e recensimit dhe lehtësimin e saj. Librat që janë me gabime do të mund të përmirësohen në një mënyrë më të lehtë si dhe do të vendoset për programet dhe librat me të cilat duhet të punohet”, tha për Portalb, zëdhënësi i MASH, Vlladimir Dellov.

Gjithashtu nga ky institucion nuk japin përgjigje as edhe për anulimin e përdorimin të librave të Kembrixhit në shkollat fillore, të cilat më tani një kohë është duke u shfrytëzuar dhe për të cilat ka mjaft ankesa.

LEXO: Nuk jemi të pëgatitur për arsimim sipas programit të “Kembrixhit”, duhet të anulohet
LEXO: 100 mijë euro janë harxhuar për Kembrixhin i cili nuk u aplikua në shkolla të mesme

Ndërkaq mësimdhënësit tani më një kohë të gjatë ankohen nga ky projekt.

“Librat e Kembrixhit janë tejet të rëndë dhe të pa përshtatshëm për programin dhe kushtet tona. Presim që së shpejti të bëhet gjithashtu unifikimi i abetares dhe më pas në bazë të nevojës edhe i teksteve tjera me Shqipërinë”, tha Adnan Osmani, mësimdhënës.

Librat e Kembrixhit të cilat i promovoi MASH-i, dhe tha se janë cilësor dhe të përshtatura për rrethanat tona dhe për moshën e nxënësve, u vlerësuan se nuk janë adekuat për kushtet e Maqedonisë.

“Me këtë projekt thjesht u bë larje parash, projekt shkel e shko, i stërmbushur me gabime të të gjitha llojeve. Shpresojmë që sa më shpejtë të tërhiqet nga programi mësimor edhe në shkolla fillore”, tha Blerim T., mësimdhënës.

Gjithashtu prindërit u ankuan se librat janë mjaft të vështirë dhe se kërkojnë punën praktike, kurse në Maqedoni sidomos tek paralelet shqipe numri i nxënësve në një klasë është tejet i madh për të punuar në këtë mënyrë.

Prindërit thanë se matematika është tejet e vështirë dhe se nga nxënësit e vegjël kërkohen detyra që madje janë për shkollë të mesme.

Kurse kryetari i LASH-it në Maqedoni, Nuhi Dardhishta kohë më parë elaboroi këtë problematikë për Portalb, dhe tha se autorët shqiptarë janë të bllokuar nga vetë fakti se këto marrëveshje kanë mbyllur konkurset e autorëve vendas.

“Ky është një lloj diskriminimi si për neve shqiptarët ashtu edhe për maqedonasit. Pse të merren libra nga jashtë? Ata ndoshta janë shumë të mirë mirëpo neve nuk kemi kushte që të punojmë me to. Shkaku i këtyre marrëveshjeve, MASH ka mbyllur konkurset për autorët dhe në këtë mënyrë askush nuk mundet të jep programet e tyre të cilat mund t’i kenë realizuar në tekst shkollor”, theksoi Dardhishta.

Ndryshe, nxënësit e klasës së parë, të dytë dhe të tretë filluan të mësojnë sipas programit të “Kembrixhit” prej vitit 2014, ndërsa ky program deri më tani implementohen në komplet arsimin fillor në Maqedoni.

http://portalb.mk/529792-skadon-marreveshja-ne-fushen-e-arsimit-me-shqiperine-gjitha-shpresat-te-ministri-i-ri-ademi/

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button