Mavraj transferohet te skuadra e Ligës së Kampionëve

Një futbollist i Kombëtares shqiptare të futbollit është pranë kalimit te njëra prej skuadrave me më shumë histori në futbollin turk.

“Panorama Sport” ka mësuar tratativat që janë në fazën finale mes mbrojtësit kuqezi dhe skuadrës së Fenerbahçes.

Bëhet fjalë për Mërgim Mavrajn, i cili në gjysmën e dytë të sezonit të fundit, nuk pati marrëdhënie të mira me skuadrën gjermane të Hamburgut.

TRANSFERIMI

Mbrojtësi i Kombëtares është një nga futbollistët që numëron 40 ndeshje me kuqezinjtë, si dhe një karrierë të pasur me skuadra në Bundesligë.

Nga viti 2005 ai luan si profesionist në Gjermani, duke pasur eksperiencë të madhe në nivele të larta. 31-vjeçari është përzgjedhur nga skuadra turke për të përforcuar repartin e prapavijës.

KALIMI

Nga sa është mësuar prej burimeve të gazetës, bëhet fjalë për një ofertë të rëndë- sishme, e cila arrin deri në vlerat e 1.8 milionë eurove pagë vjetore. Nga sa mësohet, është thuajse e njëjta vlerë që skuadra gjermane e Hamburgut paguante shqiptarin në sezonin që përfundoi.

Hamburg bëri një veprim të pashpjegueshëm, teksa ndëshkoi Mavrajn dhe disa nga titullarët e skuadrës, duke mos dhënë asnjë shkak për këtë vendim. Çudia u konfirmua disa ditë më parë kur vetë drejtuesit e klubit bënë një hap pas duke njoftuar për rikthimin e shqiptarit në skuadrën e parë.

CHAMPIONS-i

Për Mavrajn do të ishte një transferim i goditur. Jo vetëm ambiciet e skuadrës në kampionatin turk, por edhe në arenën europiane. Fenerbahçe e përfundoi këtë sezon në vendin e dytë. Ky pozicion i jep mundësinë që të luajë në kualifikueset e Ligës së Kampionëve.

Kalimi i tureve do të ishte një lajm i madh për shqiptarin, që të mund të zhvillonte ndeshje në fazën e grupeve, të kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Europë. Në ditët e para të merkatos duket që mbrojtësi kuqezi është duke hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Ditët në vijim do të jenë vendimtare për këtë transferim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button