Pika shitëse dhe tregues digjital nuk ka në Çair dhe Shuto Orizare: a po diskriminon NPT-ja? (FOTO)

Ndërmarrja Publike Transportuese Shkup ka vendosur 50 tregues digjital në stacionet e autobusit dhe 24 pika shitëse të kartelave “Skopska”, megjithatë, asnjëra nga këto nuk gjinden në territorin e komunës Çair dhe atë të Shuto Orizares. Udhëheqësia e re e NPT-së arsyetohen se “kështu gjendje kanë trashëguar”, e kurse Qyteti i Shkupit thotë se po punojnë në rritjen e cilësisë së transporti publik të Shkupit, ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të “diskriminohen” nga shërbimet e NPT-së, shkruan Portalb.mk. Krahas kësaj, në stacionin e autobusit në Çair, as një metër larg ku janë ulëset, janë të vendosura korpat për mbeturina.

Fotografi i bërë nga vendi ku presin qytetarët

“NPT ka vendosur 50 tregues digjital, në po aq stacione të autobusit, si në Aerodrom, Jane Sandanski, Bit Pazar, Rekord dhe te Banka Popullore e Maqedonisë” thanë nga NPT-ja duke sqaruar se mungesa e treguesve digjital ka ardhur si pasojë e numrit të kufizuar të tyre.

“Kriteri  kryesor për vendosjen e treguesve digjital është frekuenca e automjeteve (autobusëve) në vendin e caktuar dhe numri i udhëtarëve që presin. Si për shembull, tregues digjital ka në stacionet e autobusit në Aerodrom, në bulevardin “Jane Sandanski”, në stacionet e autobusit në Bit Pazar, në dy stacionet në Rekord, stacionin e autobusit te Banka Popullore që më së shumti e përdorin autobusët për transport jashtë qytetit. Nuk mund të themi se sa ka kushtuar një tregues digjital, sepse ato janë furnizuar në komplet, si pjesë e tërë sistemit të blerë/zbatuar për “smart tiketing” dhe AVL, për çfarë janë paguar 3.9 milionë euro. Paratë janë siguruar nga NPT Shkup, dhe subvencioneve të caktuara nga Qyteti i Shkupit”, sqaruan nga NPT Shkup.

Se pse nuk ka pika shitëse të kartelave “Skopska”, nga NPT u sqaruan se kështu gjendje kanë trashëguar, duke thënë se në këto komuna ka pika shitëse të shpërndarjes sekondare, mirëpo as këto pika tash për tash nuk janë aktive.

Pika shitëse të kartelës "Skopska" në Bit Pazar
Pika shitëse të kartelës “Skopska” në Bit Pazar

Kjo nënkupton, se një qytetar i Shuto Orizares, për t’u furnizuar me kartelë “Skopska”, duhet të shkojë në pikën shitëse në hyrje të Butelit dhe Bit Pazarit, kjo në kilometra përkthehet 6.4 km, në kohë 19 minuta me veturë e kurse rreth 60 minuta në këmbë.

“Në Çair dhe Shuto Orizare një kohë të gjatë nuk ka pika shitëse, kështu gjendje kemi trashëguar. Nga ana tjetër, sërish, në të dyja komunat ka pika shitëse të shpërndarjes sekondare, që nënkupton që qytetarët kanë ku të blejnë/mbushin “Skopska”. Në fakt, është e parëndësishme se a jepen shërbimet nëpërmjet pikave shitëse apo rrjetit sekondar, prioritet është se udhëtarët të kenë ku të blejnë shërbimet tona, që në rastin në fjalë, u mundësohet nëpërmjet vetëshërbimeve dhe kioskave”, deklaruan nga NPT Shkup.

Pikat shitëse të NTP-së në Shkup

Qyteti i Shkupit: problemin e shohim si tërësi, nuk e ndajmë në pjesë

“Gjendja dhe problemet e deritashme janë si rezultat i keqmenaxhimit të udhëheqësisë së mëparshme dhe synimi i Qytetit të Shkupit është që rregullohet njëherë e përgjithmonë kaosi i transportit publik në tërësi, pasi që problemin e shohim si një tërësi, dhe nuk e ndajmë në një, ose tjetër pjesë të Shkupit. Studimi i fundit që është bërë në lidhje me transportin publik në Shkup, daton që nga viti 1984, dhe është bërë për nevojat e qytetit të asaj kohe. Gjatë kësaj periudhe, kemi qenë aktiv në testimin dhe kërkesën e autobusëve më kualitativ, me të cilët kemi synim që të ulim ndotjen dhe shpenzimet, ndërsa të rrisim rahatin e udhëtarëve. Në investimet që parashikohen, do të jenë të përfshira të gjithë pjesët e qytetit. Shkupi është qytet në të cilin deri tani përparësi në komunikacion u janë dhënë vetëm automjeteve. Është koha ta ndryshojmë këtë praktikë, dhe të nxisim njerëzit të përdorin transportin publik, dhe mu për këtë arsye e kemi shumë të rëndësishme të ofrojmë shërbime kualitative në këtë drejtim”, tha për Portalb.mk zëdhënësi i Qytetit të Shkupit, Valon Salihu.

Por, mbetet të shpresohet se gjendja do të ndryshojë në treguesit digjital, pasi që nga NPT-ja paralajmëruan vendosjen edhe të rreth 100 të tjerave, ndërkohë që për pikat shitëse gjendja mbetet e njëjtë.

“NPT Shkup deri në fund të vitit planifikon të  vendos edhe 60-100 tregues digjital në stacionet e autobusit. Kështu, me tregues digjital do të mbulohen edhe stacionet e autobusit në territoret e caktuara, të cilat nuk u përfshinë në fazën e parë të vendosjes së treguesve digjital”, njoftuan nga NPT-ja.

Ndërmarrja Publike Transportuese nga nëntori ka drejtor të ri. Nga udhëheqësia e kaluar, shpesh herë janë bërë edhe gabime në mbishkrimet e autobusëve ku tregohet relacioni i autobusit të caktuar. Psh ka pasur rast kur vendbanimit Radishan, iu është shtuar shkronja “ë” – “Radishanë”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button