Class Fashion Show 2018, Alketa Vejsiu rrëfen prapaskenat e sfilatës

Vetëm pesë ditë kanë kaluar nga sfilata e dytë e Class Fashion Show, por vëmendja mediatike vazhdon të jetë e madhe. Një event katër herë më i madh se një vit më parë, këtë herë u organizua me qëllime të tjera dhe ambicie që nisën të projektoheshin sapo u mbyll sfilata e 2017-ës, shkruan Class. Dhe përgjatë një viti, e gjithë puna është fokusuar në një produkt perfekt, që iu prezantua publikut si një paketë e plotë: fustane nusërie që flasin shqip, fustane nga brendet më në zë të të gjithë botës, por edhe fustane mbrëmjeje Made in Albania apo Class Kids, të cilat sollën para publikut kukullat e vogla të veshura si princesha.

Pasditen e sotme, sipërmarrësja Alketa Vejsiu ishte e ftuar në “Rudina” për të rrëfyer disa prej prapaskenave që solli sfilata e këtij viti, por edhe risitë që prezantoi ky event i veçantë mbrëmjen e së enjtes në verandën e hotel Continental, në Vorë.

Që nga viti i kaluar, sfilata e të cilit dominohej nga ngjyrat pastel, ky vit, tha Alketa, ishte fokusuar te ngjyra e bardhë: “E bardha ishte dominuese këtë vit. I gjithë koncepti kështu ishte menduar që në fillim. Donim që gjithçka të dukej si një ajkë qumështi, të ishte e pastër dhe e kuruar. Pastaj, edhe për rrjetet sociale, e bardha është një ngjyrë e dashur. Mbi të gjithçka duket më e bukur”.

Por sfilata nuk ishte e fokusuar vetëm te fustanet e nusërisë. Ky vit, krahas brendeve të njohura ndërkombëtarisht, ka pasur fokus edhe prodhimet e dizenjuara nga Class dhe stilistja Livia Myftari. E pyetur për risitë, Alketa tha se këtë herë ishin disa: “Këtë vit kemi futur një risi. Donim që të prezantonin fustanet që kishim prodhuar vetë. Linja Made in Albania ishte në fokus të sfilatës, por pa lënë mënjanë edhe disa brande ndërkombëtare. Një stiliste e re, Livia Myftari, dizenjoi një koleksion që hapi pasarelën dhe jo një koleksion nusesh ta zakonshme, nuse joklasike që guxojnë më shumë e duken më interesante, madje edhe nuse me pantallona që gjithsesi, duken sensuale.

Edhe pse duket e vështirë që nuset shqiptare të guxojnë, sipas Alketës, nëse provohet, guxohet, gjendet një hapësirë që dikush të ndihet i përfaqësuar edhe aty.

Krahas fustaneve të nusërisë, Made in Albania ishte edhe një koleksion i fustaneve të mbrëmjeve, të cilat po ashtu ishin prodhim i ateliesë Class, por nuk mungonin edhe fustanet nga brandet ndërkombëtare. Alketa shtoi se fustanet e mbrëmjeve me porosi janë një aset tjetër i Class Fashion Show, interesi i të cilave ka nisur menjëherë pas mbylljes së sfilatës.

Qershia mbi tortë e sfilatës ishte edhe koleksioni Class Petite, i cili u kushtohet të gjitha vajzave të vogla. Yjet e Piter Panit sfiluan në pasarelën e Class Fashion Show për të prezantuar risinë tjetër të ateliesë Class: “Në showroom-in tonë, i kemi propozuar fustenet e fëmijëve të shoqëruar me një kukull, e cila është e veshur me të njëjtin model…” – shton Alketa duke shpjeguar edhe disa detaje të koleksionit të të vegjëlve.

Fustanet përrallore të nusërisë, por edhe ato të mbrëmjeve e të vogëlusheve u prezantuan në Class Fashion Show nga modele dhe vajza të njohura të ekranit. E pyetur për këtë zgjedhje, Alketa tha se kjo, veç faktit për të vlerësuar koleksionin, ka edhe efekt marketingu: “Zgjedhja e këtyre modeleve i bën këto vajza dhe modelet që ato prezantojnë edhe më tërheqëse. Kjo zgjedhje është bërë për të vlerësuar koleksionin, por edhe për efekte marketingu…

E bardhë, e pastër, e kuruar deri në detaje. Me të gjitha ngjyrat brenda (edhe kur ka kufizime), sepse fustanet e nusërisë, të mbrëmjeve apo edhe të vogëlusheve, janë përralla që të gjitha vajzat duan t’i bëjnë realitet. Edhe atëherë kur nuk e thonë me zë të lartë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button