Orkestra pa dirigjent

Jemi duke kaluar nëpër do labirinte  dhe gjendemi në udhëkryq të polarizimeve të mëdha. Jemi në situatë shumë delikate me shumë të panjohura. Çdo hap i gabuar i kësaj partie shahu mund të na kushtojë me mat pozicion. Prandaj duhet të kemi  kujdes edhe ndaj refleksit më të vogël sepse mund ta humbim ekuilibrin. Shumë pak e kemi ndjenjën e përgjegjësisë. Në shtetet euro-perëndimore sidomos te politikanët kjo ndjenjë është mjaftë e stërholluar. Për lëshime, gabime  për mos realizime të premtimeve jepen dorëheqje të parevokueshme. Ne  shpesh herë dëgjomë filan Ministri i filan shtetit evropian, për 1% alkool gjatë vozitjes  ka dhëne dorëheqje, ose për korrupsion te vogël, nepotizëm ose për ndonjë lëshim pse është vonuar ne mbledhje të Qeverisë ose në Parlament japin dorëheqje.

Po ashtu, Ministri  gjerman i mbrojtes vetëm pse bashkëshortja e tij e  përdori veturën zyrtare gjer te frizeri, ai nesër jep dorëheqje. Pse treni ne Japoni është vonuar 2 minuta , Ministri i transportit jep dorëheqje. Ky është manifestim I shpirtit demokratik intelektual dhe njerëzor. Te ne si duket kjo përgjegjësi mungon. Mendojmë se  jemi të lidhur për karrige e fotelje  dhe për gabime dhe dështime shumë të mëdha nuk jepen dorëheqje xhentëlmenë si në perëndim. Bile nëse  dikën e sugjeron për gabime e dështime ose të dorëhiqet, menjëherë e bën armik, për atë person ose grup politik bëhesh “persona non grata”. Për tu çuditur??

Ja ne çfarë gjendje jemi katandisur. Prej tri partive politike jemi bere 6, me tendencë që numri të shtohet. Bile tani çdo parti ka filluar me bë edhe nga dy krahë e fraksione .Është përça populli, është përça xhemati. Në këtë rast çdo grup akuzon grupin tjetër për tradhti. Tani është bërë mode që  tradhtarët e patriotët të promovohen në çajtore dhe kafene, oda të burrave, duke pirë çaj e duke pirë birra Peje apo Shkupi, e duke mos pasur konsideratë për asgjë se në çfarë gjendje është katandisur populli.

Askund ne botë nuk ndodh që  politika të behet ne  këso mjedise dhe për fat të keq kjo gjendje na paraqitet me dekada e shekuj. Këtë  gjendje të  antivlerave, me së miri e përshkruan Fan Noli ne 5 anarkitë e shqiptarëve. Po ngjet sot me ne?? Lesh arapi është bërë çdo send. A ju kujtohet se çfarë ka deklaruar ambasadori amerikan ne Tirane se  sa i dëshpëruar është  atje. Po edhe ambasadorja amerikane  para dy vitesh tha se Qeveria e Kosoves e ka “dhi”. Përjetojmë ekstazë në sharje e përgojime, kurse fort pak e shohim mjegullën e rëndë mbi kokë e  përditshmëria  është shndërrua në letargji.

Në Delfi të Greqisë, nga epoka antike e gjer më sot qëndron epitafi filozofik i principit  të individualitetit të mirëfilltë human “Gnoti Sauton”-“Njihe vetvehten”. Pra individi ynë duhet  të arrijë ne gjendje “arete” të përjetojë “katarzis siritualis” ku do të gërshetoheshin, urtësia, intelektualizmi i  vërtetë, bujaria, profesionalizmi, vetëdija, përgjegjësia dhe e mira. Pa këto koncepte nuk mund te flasim për demokraci ose për vlera te mirëfillta.

Nëse çdo individ e njeh dhe e mat veten në mënyrë reale, aty lind  esenca dhe logjika e individit për të marrë pozita serioze në shoqëri ose në të kundërtën hyjmë në anarko-liberalizëm. Pra kemi filluar ti ngjajmë një orkestre pa dirigjent me kitara, violina dhe çifteli të pa-akorduara. Nëse nuk përmiresohemi, atëherë mund të arrijmë ne një fazë tjetër te primitivizmit anarkik. Është një  dukuri e çuditshme te ne. Kur intelektualët tanë qortohen apo shahen për çështje partiake apo ideologjike, nuk flasin me vite, fabrikojnë trillime e shantazhe primitive, armiqësohen, kurse te popujt  perëndimor është krejt ndryshe.

Fan Noli i madh në moshën 40 vjeçare sëmuret shumë rëndë në Amerikë .Mjekët i sugjerojnë operacion urgjent. Por operacioni kushtonte 80.000 dollar. Ai kishte vetëm 5000 dollarë dhe filloi te mbledh edhe nga diaspora jonë atje. Por mezi i bëri 9000 dollar. S’ishte nga të kërkon edhe 70.000 dollar. Më në fund ju drejtua me letër Mbretit Zog, kundërshtarit politik. Në Tirane, shume ministra e këshilltarë të Mbretit Zog e kundërshtuan dhe kategorikisht e refuzuan. Më në fund Mbreti vet vendosi. Do ti dërgojmë këtë shumë te hollash që i kërkon Noli se edhe Noli është shqiptar, intelektual më i madh se ju disa ministra të mi, ky  i duhet kombit tonë, pa dallim se jemi kundërshtar politik e ideologjik. Edhe Faik Bey Konica, duke qenë ambasador i Shqipërisë në Amerike, disa here e ka kritikuar qeverisjen e Mbretit Zog, por ai nuk e ndërroi nga posti. E ka çmuar lartë intelektualizmin, erudicionin e tij mençurinë  e këtij kolosi të madh që neve gati një shekull e lamë në haresë. Pra  është koha e fundit ta shlyejmë xhelozinë ballkanike nga shpirti ynë dhe ti përparojmë raportet demokratike në mes neve dhe me këso vlera të nisemi për Unionin Evropian. Zoti na ndihmoftë e na bekoftë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button