Dalldia për pushtet dhe triumfi i gënjeshtrës

Salajdin Salihu

Salajdin Salihu

Kur në fund të viteve 80-të të shekullit të kaluar filloi dekompozimi i federatës jugosllave, kroatët dhe sllovenët, para se ta shpallnin shkëputjen nga kjo federatë, kishin punuar në demaskimin e politikës shoviniste serbe. Ata, madje, botuan libra edhe për kauzën e shqiptarëve në Jugosllavi. Në Kroaci u botua libri “Çështja kosovare” e Branko Horvatit, kurse në Slloveni u botua libri “Serbia dhe shqiptarët”. Ishin libra me shumë efekt në qarqet kroate, sllovene, por edhe europiane, për sa kohë një pjesë e madhe e njerëzve nuk arrinin që ta kuptonin vuajtjen e popullit shqiptar.
Librat me sfond historik e demaskonin terrorin sistematik të Serbisë kundër shqiptarëve. Kroatët dhe sllovenët i mbronin interesat e tyre, që përputheshin me interesin shqiptar.

Sllovenët, sikurse serbët, kishin një platformë të pashpallur, si një kundërvënie ndaj Memorandumit të Akademisë Serbe të Arteve dhe Shkencave, që u quajt edhe si “in memoriami i Jugosllavisë federale”. Elitat intelektuale serbe dhe sllovene disa herë ishin takuar para dekompozimit të federatës jugosllave, por pasi kishin qëndrime të ndryshme, rrugët e tyre ishin ndarë.
Shqiptarët e Kosovës, ndonëse nën terror shtetëror, punuan pareshtur për demaskimin e politikës shoviniste serbe, e cila mbështetej mbi një platformë mitike. Një kontribut të madh dhanë Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës, KMDLNJ, Sindikata  e Kosovës etj.

Ibrahim Rugova, një kritik letrar, që shkruante ese për refuzimin estetik ndaj dhunës dhe për modelin e prijësit të kombit, nuk ishte më njeriu i mendimit, por i veprimit politik. Ai në çdo konferencë shtypi informonte në detaje për dhunën shtetërore serbe kundër shqiptarëve. Në kushtet e sotme nuk mund të paramendohet që një kryetar partie ose kryetar shteti të sillet si zëdhënës. Rugovës dhe politikanëve shqiptarë u kishte mbetur vetëm fjala dhe ajo duhej thënë nga ata që kishin ndërmarrë misionin ta udhëhiqnin popullin si Moisiu apo si Eneu, jo drejt një vendi tjetër, por drejt lirisë.

Studenti i Rolan Bartit, asnjëherë nuk përdori diskurs si të politikanëve dhe akademikëve serbë. I qetë, me diskurs të thjeshtë, ai asnjëherë nuk u kaplua nga emocionet. Paraqitjet e shpeshta në konferenca shtypi jepnin efekte në ndërkombëtarizimin e kauzës kosovare dhe në ruajtjen e shpresës te popullata e ngulfatur shqiptare. Kosova në vitet e 90-të nuk njihej shumë ndërkombëtarisht. Bota duhej të bindej se populli i Kosovës përjetonte terror shtetëror; se shqiptarët ishin një komb i qytetëruar; se kishin institucionet politike, kulturore, shkencore dhe arsimore.
Para se të fluturonin bombarduesit e NATO-s, ishin organizuar qindra konferenca për shtyp, ku lexoheshin informacione për dhunën ndaj çdo shqiptari.

Vit pas viti Kosova u bë ashtu siç thoshte Rugova: “një shtet i pavarur, fillimisht nën protektorat ndërkombëtar”.
Rugova nuk ishte vrapues i shpejtë. Ai ishte një Marathonomak.
Kosova, në ndërkohë, e kishte përjetuar tmerrin e luftës. Një luftë me mijëra të vrarë, të zhdukur, me gra të dhunuara e fëmijë të traumatizuar.

Kur Kosova u bë shtet, falë sakrificës së madhe, atëherë shqiptarët ja futën gjumit. Përderisa elitat shqiptare bënin gjumë, elitat serbe botuan libra për “terrorin shqiptar”, i përkthyen në disa gjuhë, i shpërndanë në çdo bibliotekë apo zyrë diplomatike. Përderisa një diplomat karriere e priste me javë Dik Martin, që ta bindte për “krimet” e shqiptarëve, në Kosovë bëhej garë se kush më shumë kishte bërë trimëri gjatë luftës. Aty ku jetohet me lavdinë e së kaluarës, fshihet një hile e madhe.

Kosova nuk arriti që ta krijonte një institut për dokumentimin e terrorit sistematik serb. Nuk arriti që ta ndërtonte një muze të krimeve serbe në Kosovë. Nuk arriti të botonte libra në gjuhë të ndryshme, që ta shumëfishonte të vërtetën ashtu siç ishte. Kosova e humbi këtë luftë. Shqiptarët përherë e kanë humbur luftën me propagandën serbe, e cila gënjeshtrën e ka paketuar si të vërtetë. Akademiku famëkeq serb, Dobrica Qosiq, ka shkruar: “Gënjejmë për t’u mbrojtur, për t’u trimëruar, për ta fshehur mjerimin. Gënjejmë për shkak të lirisë. Gënjeshtra është një formë e patriotizmit serb, që e vërteton inteligjencën tonë të lindur. Gënjejmë me kreativitet, me imagjinatë dhe me intuitë. Gënjeshtra është interes shtetëror serb. Gënjeshtra është në qenien e serbit. Në këtë vend çdo gënjeshtër bëhet e vërtetë. Serbët shumë herë përgjatë historisë i shpëtoi gënjeshtra”.

Për shkak të këtyre gënjeshtrave, me kalimin e viteve, filloi të flitej për serbët e “viktimizuar” dhe u harruan viktimat e vërteta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP