Vuçiç: Beogradi nuk do të heqë dorë nga Prishtina

Beogradi nuk do të heqë dorë nga dialogu me Prishtinën, pasi bisedimet janë zgjidhja e vetme që çon në kompromis, ka deklaraur sot presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke theksuar se nuk është optimist për çështjen e bisedimeve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Para nesh janë bisedimet në Bruksel. Nuk jam optimist, por Serbia do të bëjë përpjekje të arrihet kompromisi”, ka thënë Vuçiç në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë në Beograd, pas hapjes së konferencës ndërkombëtare dy ditore.

Ai tha se bisedimet i vështirëson platforma për bisedime, e cila i është prezantuar Kuvendit të Kosovës dhe e cila tregon qëllimet e vërteta të Prishtinës.

“Po ta lexoni platformën mund të shihni se nuk kanë lejuar asnjë milimetër, as një për qind hapësirë për çfarëdo marrëveshje”, ka thënë Vuçiç, duke përsëritur se bisedimet do të vazhdojnë.

Vuçiç ka përsëritur shqetësimin e tij për “shpeshtimin e sulmeve ndaj serbëve në Kosovë në ditët e fundit”.

“Deri më tani kemi arritur të ruajmë paqen dhe stabilitetin por kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi që shqiptarët bëhën gjithnjë e më të zemëruar”, ka thënë Vuçiç.

Ai vlerësoi se qëllimi i vetëm i autoriteteve në Prishtinë është që në çdo formë të marrë veriun e Kosovës.

“Ky është thelbi, ata e dinë që nuk ka serb në Shtime, në Suharekë, në Rahovec ka 300, kurse në Hoçë e Madhe rreth 400. Qëllimi i vetëm i tyre është të marrin veriun e Kosovës, ashtu që fizikisht të marrin Ujmanin (Gazivodën). Një milion herë u kam thënë atyre dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë se nuk mund ta marrin dhe do ta përsëris po aq herë”, tha ai, duke shtuar se te shqiptarët e Kosovës zemërimi po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, sepse mendojnë se kanë të drejtë absolute për të marrë veriun e Kosovës, “me të drejtat që u kanë dhënë amerikanët dhe të tjerët duke bombarduar Serbinë”.

Duke komentuar pretendimet e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj se çështja e Asociacionit të komunave serbe nuk do të zgjidhet deri sa nuk zgjidhet çështja e energjisë, Vuçiç ka përsëritur se ka një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës lidhur me këtë segment.

I pyetur për të komentuar përfundimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë, Vuçiç u përgjigj se përfaqësuesit e tyre do të mbesin në Kosovë.

Ai tha se ka shpresuar se ata do të bëjnë punën e tyre gjithmonë në mënyrë profesionale, por nuk ka qenë gjithmonë kështu, duke shtuar se shteti në të kaluarën ka bërë një gabim të madh që ka lejuar që EULEX-i të ushtrojë funksionin e tyre në Kosovë “pa përfituar diçka Serbia”.

Vuçiç ka theksuar se fakti që fuqitë e mëdha nuk e njohin dhe nuk kanë për qëllim të njohin rezolutën 1244, për Serbinë kjo do të thotë “shumë pak gjasa për të bërë diçka”. Ai shtoi se është e vërtetë se rezoluta parashikon kthimin e një numri të ushtarëve dhe policëve në Kosovë dhe se këtë shpesh ua thotë edhe të huajve.

“Përgjigjja është si zakonisht, se nëse Serbia tenton të hyjë në Kosovë me ushtrinë dhe policinë e saj, NATO këtë do ta konsiderojë si akt armiqësor dhe ne do të jemi në konflikt me Aleancën më të fuqishme në botë. Kjo tregon sa serioze është gjendja dhe sa njerëzve nuk u intereson e drejta, por vetëm forca dhe gjendja faktike. Unë nuk flas shpesh për këtë, sepse nuk dua t’i lodh qytetarët çdo ditë, por edhe nuk do të them se kjo është e drejtë dhe korrekte”, tha Vuçiç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button