Presidenti Ivanov shtroi sofër iftari për muajin e Ramazanit (FOTO)

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në Klubin e deputetëve në Shkup, ka organizuar sofër iftari me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku të pranishëm ishin mysafirë të ndryshëm të përkatësisë fetare islame, por edhe të tjerë.

Në sofrën e iftarit morën pjesë ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, ambasadori i Iranit në Shkup, Hossein Karimi, ambasadorja e Bosnje e Hercegovinës në Shkup, Lepa Babiq, kreu i Agjencisë Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) për Ballkanin dhe Evropën Juglindore, Mahmut Çevik, përfaqësues të institucioneve turke në vend, duke përfshirë nga TIKA, Qendra Kulturore Turke “Yunus Emre”, Fondacioni Maarif, Oda ekonomike turko-maqedonase (MATTO), si dhe figura të shumta nga jeta publike, politike e nga komuniteti i biznesit.

Në fjalën drejtuar mysafirëve të pranishëm në sofrën e iftarit, presidenti Ivanov theksoi se kjo është hera e nëntë që ai dhe kabineti i tij organizojnë sofër iftari, duke shtuar se kjo është një shprehje e respektit për muslimanët në Maqedoni.

“Kjo është vetëm shprehje e respektit dhe vëmendjes ndaj muslimanëve në Maqedoni, traditë që e kanë mbajtur të gjallë edhe paraardhësit tanë, të cilën shpresoj që do ta vazhdojnë edhe pasardhësit tanë. Ky nuk është vetëm muaji i shenjtë i Ramazanit, këto nuk janë vetëm ditë të agjërimit dhe lutjeve, por janë ditë kur duhet të tregohet nder dhe vëmendje, kur duhet të mbahen gjallë traditat dhe zakonet e kulturës sonë specifike maqedonase dhe traditat e saj të bashkëjetesës”, deklaroi presidenti Ivanov.

Ai tha se agjërimi nuk është vetëm për të hequr dorë nga ushqimi dhe ushtrimi i karakterit, por agjërimi është një moment i respektimit të fesë, të të afërmve dhe miqve.

“Si një nga pesë themelet bazë të Islamit, ky agjërim dhe lutje, uroj juve dhe familjeve tuaja t’u sjellë gëzim, fat dhe bereqet”, porositi presidenti Ivanov në fjalën e tij me rastin e sofrës së shtruar të iftarit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button