Lutjet e mbramjes për Kosovën….Amen

  1. Qershor.1999. Francë

Nën hijen me jargavan të dritares me dhomë, strukur qoshes së përdhesës ka net që jetojmë ne, treneqët e shtëpisë. Zoti-ti, Frika-unë dhe heshtja e thellë si koha – Berita e sëmurë. Ata po hynin, me shqelma dyert po i nxirrnin vendit, pluhurin deri në qiell shtëpive ua ngritnin oborrit. Në degë akacie kumria gjithnjë rrinte e këndonte. Me lara kishin fytyrat, rrobat, kokat me shami. Armët e mprehta ndër duar, e zjarrin në gji. Erdhën. Hynë e na i mblodhën plaçkat, pëlhurat, ngjyrat, pikturat, letrat, skulpturat, dorëshkrimet…

Gjithë ç’kishim prej bukës deri te laboratorët krijues. Edhe makinën time mekanike të shkrimit, shumë më të vjetër se unë. Gjë s’na lanë përveç lëkurës, rrobave të holla dhe një shkrepëse harruar në xhep. Me tmerr ditën na harxhuan. Bartën me kile miellin e fshehur, morën edhe një gjysmë sapuni lavamanit duke ikur. Po vdisja brenda lëkure me time bijë n’gji. Derisa si reja ikën, e i sollën të tjerët të na përzënë. Kohë s’më dhanë dashurisë derën me çelës t’ia mbylli, e as dritaren me kumri.

Oh, sikur veç ta dini sa shumë deri atëherë më dhimbte L i r i a! Rrugëve po shihja me sy luftën. Nata kaluar na kishte shfarosur deri te pragu i derës. E pashë L i r i n ë, të humbur përgjithmonë. E, më as më dhimbte as më vriste. Ishte ditë e premte kur na nxorrën shtëpie e na futën në kolonë. Majarmët me thika si kafshët na numëruan, e na gjuajtën trenave plot shi. Askund më s’na dhimbte përveç ndjenjës që s’ishe më N j e r i! Por, plaçkë gabimisht e vjedhur, hedhur jashtë përdorimi. Kaq e pavlerë dhe pa rëndësi.

Të gjithë ne që mbetëm për të vdekur së gjalli. Kampeve me gjemba na hodhën, strofkave të ndyera e na rrethuan skëterrat. Si të ishim bisha pyjesh të pashkelura. Ah, sikur të mundja t’i shndërroja në N ë n a, që ua vrasin foshnjat në gji, në E t ë r, që ua dhunojnë gratë e fëmijët në prani. Ose, në A t a, që i ndanë nga çdo gjë e dashur, fisnike dhe e shtrenjtë. Si mua që ma vranë shpirtin, më dogjën rrënjë e degë e më zhbinë nga çdo gjë shqiptare e Toka ime e shenjtë. Ime bijë Berita sot ka ditëlindjen.

Në Francë mbushi 3 vjeçe. Ende frikësohet nga policët, ushtarët e avionët. Në Francë njëlloj ka frikë si në Gjakovë, si në Prishtinë, si në Kosovë, si kampeve në Maqedoni e Shqipëri. Frika saj e vogël më e madhe se mosha. A nuk janë të dhembshme, poaq të vështira ditët e Beritës sime sot? A s’do t’i mjaftonte foshnjërisë së saj vetëm dhembja për flokët e gjata, që ia qetha në rrënjë e bashkë me morra ia lash në Tiranë?. Flokët e para, të dendura, rritur deri n’supe, kaçurrelat kadife. Dhe, ndalem e pyetem: A është e mundur që Bota e Lirë, të mos e kuptojë ende sa shtrenjt na kushtoi Liria. Toka. Nderi. Shtëpia. Po, Familja? A kanë ata familje? Origjinë? Si ne që patëm tonën? Oh, medet…Medet…Medet!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button