ATO NETËT TONA

Erdhe. Si bandilli përrallës me dashuni e dritë mbështolle netët e mia. Shtrëngove vetminë e zezë, u mërzit e plasi, s’mbeti veç nji grimë. Trupin ma njome. Zbukurove siç zbukurohet nusja pas natës së parë të gjerdekut. Me lulet bojëgjaku të pranverës, e frutat e kuqe të majit.

Shpirt! Jemi vetëm, të lirë si era. Llastohemi si fëmijë të lumtur, të dëlirë. Zhagitemi si nata që zhagitet dhomës duke rrëshqitur, perdes e shtratit kur fashitet.

Eja, mbillmu nën lëkurë se malli m’ka marrë. Me dashtë…me m’dashtë….veç me m’dashtë ! Aq fort m’ka dhimbtë përqafimi që prita kaq gjatë, e kujtoja që s’më jepet kurrë. Mos fol asgja! As dua me t’folë! Të dashurohemi ambël.T’mos e shohim dritën tu zbardhë. Natën tu u thye, ditën tu u sos. As kohën që shënohet në kalendar. Shpirt, janë kah t’mbyllen sytë.

Edhe mue, si ty, nga lodhja e bukur e dashunisë. Më merr në gji, ma ngroh me dorë barkun, krahun me arthrose e shpinën. Të shoh si fluturon n’andrra tu ta ndie frymën e kangën.

Deri nesërmbrama kur ke me ikë, le t’na pushojnë të gjitha dhimbjet nga mungesa e afërsisë. Mandej prapë largas kemi me u dashtë. Unë n’këtë qoshe e ti n’atë qoshk t’dynjasë. Se rruga e gjatë që na ndan shpirtin m’ha përditë. S’po mund ta shkurtojmë me u ba bashkë të dy.

 

Nga Fakete Rexha

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button