Sfida e mbeturinave plastike në Kosovë

Shkrim autorial nga Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë me rastin e 5 qershorit, Ditës Botërore të Mjedisit.

Për 44 vite me radhë, më 5 qershor ne shënojmë Ditën Botërore të Mjedisit, ditën më të rëndësishme të OKB-së për ngritjen e vetëdijes për të mbrojtur mjedisin në të cilin jetojmë dhe nga i cili varemi! Ka kaluar pothuajse një gjysmë shekulli – natyrisht ka progres inkurajues por nganjëherë duket sikur po luftojmë me mullinjtë e erës.

“Beat Plastic Pollution” (Munde Ndotjen Plastike) është tema e sivjetme e Ditës Botërore të Mjedisit dhe ne duam që të jetë sirenë alarmi që dëgjohet në të tërë botën për të ngritur vetëdijen dhe vepruar.

E vërteta është se Toka nuk ka nevojë për ne ashtu si ne kemi nevojë për Tokën… Strukturat tona të prodhimit dhe konsumit janë bërë gjithnjë e më të paqëndrueshme me përdorimin e tepruar të burimeve natyrore dhe materialit toksik dhe shkarkimeve të tepërta të mbeturinave dhe ndotësve! Zakonet tona duhet të ndryshojnë ose ndryshe i rrezikojmë nevojat dhe të drejtat e brezave të ardhshëm!

Në vijim, vetëm disa nga të dhënat alarmante për plastikën: Deri në vitin 2050, në oqeane plastika do të peshoj më  rëndë se peshqit; Të dhënat tregojnë se në Kosovë mbeturina e hedhura në deponi janë në rritje e sipër ku plastika përbën 11 përqind tëtyre; Djegia e plastikës (si psh. gomat) në ambijent të hapur prodhon gazra shumë të rrezikshme për shëndetin tonë; Qeset plastike depërtojnë në tokë dhe ngadalë lëshojnë kimikate toksike të cilat mund të shkaktojnë kancer… Ç’është e vërteta, plastika është një material i qëndrueshëm që është bërë të zgjat përgjithmonë, e përkundër kësaj, 33 për qind (e prodhimeve nga plastika) përdoren vetëm një herë dhe më pas hidhen!

Pak ditë më parë, National Geographic, e njohur ndërkombëtarisht, që ka 87.9 milionë ndjekës në Instagram, ka postuar një fotografi nga Kosova, duke treguar një grumbull të madh të mbeturinave plastike duke lundruar në lumin Erenik në rajonin e Gjakovës. Ky sigurisht që nuk është imazhi i Kosovës që ne duam t’ia shfaqim botës. Reagimi i njerëzve, shoqërisë civile së bashku me “Let’s Do it Kosova” ishte e shpejtë, u organizua “pastrimi” i lumit. Kjo ishte për çdo lëvdatë, por duhet bërë më shumë!  Arsimimi mjedisor, ngritja e vetëdijes mbi rreziqet nga plastika dhe mënyrat si mund  të ndryshojmë sjelljen tonë.

Siç thuhet në Strategjinë Mjedisore për Kosovën, “Sektori i mbeturinave të ngurta karakterizohet nga prodhimi i lartë i mbeturinave shtëpiake, përdorimi i tepruar i paketimit, mosmbledhja, mostrajtimi dhe joripërdorimi i materialeve nga mbeturinat, dhe hedhja (në deponi) ilegale.”. Vetëm kjo mjafton si thirrje për çdo burrë, grua dhe fëmijë në Kosovë …, në të vërtetë të gjithë që jetojnë në këtë pjesë të bukur dhe të çmuar të botës për të bërë aq sa munden! Ne të gjithë kemi një rol për të luajtur. Të gjithë kemi përgjegjësi për t’u kujdesur për mjedisin tonë, për t’u kujdesur për planetin tonë dhe për t’u kujdesur për fëmijët dhe nipërit e mbesat tona!

Ekipi i OKB-së së Kosovës së bashku me partnerët e tjerë ndërkombëtarë shumëpalësh dhe dypalësh po punojnë së bashku me institucionet e Kosovës për një popullatë më të shëndetshme dhe të ripërtëritshme nga fatkeqësitë natyrore dhe ndryshimet klimatike. Bashkëpunimi mund të sjellë rezultate të shkëlqyera me një kombinim të njohurive të reja, investimeve inteligjente, teknologjive të reja për riciklimin dhe zgjidhjeve inovative për rezultate të qëndrueshme, si në pastrimin e mjedisit ashtu edhe në parandalimin e ndotjes së mëtejshme! Asambleja e Kosovës ka miratuar Rezolutën mbi Objektivat e Qëndrueshëm të Zhvillimit duke u bërë kështu pjesë e Agjendës Globale 2030. Parimi kryesor i Agjendës 2030 është ‘të mos lihet askush prapa’. Kosova tani i është bashkuar kësaj thirrjeje globale për veprim dhe përgjegjësi për ta bërë botën një vend më të mirë për të jetuar për të gjithë.

Në të gjithë botën kemi shembuj të përkushtimit. Nga ndalimi i mikrorruazave të plastikës, tek ndalimi i përdorimit të qeseve plastike, e deri tek ndryshimi i ligjeve dhe përforcimi i atyre ekzistues. Kosova nuk duhet të jetë ndryshe. Prandaj është i nevojshëm një veprim i përbashkët për të zvogluar ndotjen plastike. Kjo kërkon bashkëpunim mes komuniteteve, bizneseve dhe qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës… forconi kornizën ligjore, kufizoni shitjen e artikujve të panevojshëm plastik për një përdorim; rritni përgjegjësinë financiare ndaj atyre që përfitojnë nga plastika; dhe kërkoni që produktet të jenë të sigurta, të ripërdorshme dhe të riciklueshme. Dhe komunitetet duhet të jenë të gatshme për të dyja, të binden dhe të kërkojnë që premtimet të mbahen.

Nëse duam të jemi të korrekt ndaj gjeneratave të ardhshme, nëse duam të jemi në gjendje t’i shikojmë bijën ose birin tonë në fytyrë dhe t’u themi se kemi bërë gjithçka që ka qenë e mundur, duhet të jemi më të përgjegjshëm ndaj asaj që ne e konsiderojmë si  “Planeti ynë “. Tjetër nuk kemi!

Më lejoni të përfundoj duke cituar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres i cili, në mesazhin e tij sot, për Ditën Botërore të Mjedisit 2018 tha:
… mesazhi është i thjeshtë: …mos pranoni plastikën për një përdorim. Refuzoni atë që nuk mund ta përdorni përsëri. Së bashku, ne mund të ndërtojmë rrugën drejt një Toke  më të pastër dhe më të gjelbër.

Të gjithë ne, le të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë, për të bërë atë që na takon, për të jetuar jetën tonë në përputhje me rrethanat.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button