Maqedonia shënon Ditën Botërore të Mjedisit

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e Maqedonisë dhe Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për mjedisin jetësor, në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, organizuan ngjarje edukative dhe argëtuese, me të cilën përfshihet shënimi global i 5 qershorit, Ditës Botërore të Mjedisit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ngjarjen që u zhvillua në Parkun e Qytetit në Shkup morën pjesë rreth 300 nxënës nga 9 shkolla fillore, të cilët gjatë vitit shkollor 2017/2018 mblodhën më shumë shishe plastike dhe i dorëzuan ato për t’i recikluar në Shërbimin për grumbullimin e mbeturinave në Shkup.

Ata përmes lojërave, këngëve, edukimit dhe aktiviteteve të ndryshme dërguan mesazh se janë të përgatitur për të ndryshuar sjelljen e tyre ndaj plastikës, duke u kujdesur për mjedisin, kafshët e egra dhe shëndetin e vet.

Para të pranishmëve u drejtua zv/ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Jani Makraduli, i cili vuri në dukje se shënimi i sivjemë i kësaj dite të rëndësishme ekologjike i është kushtuar përpjekjeve globale për të reduktuar ndotjen nga plastika.

“Ne të rriturit jemi përgjegjës për ta bërë natyrën më të bukur për ju të rinjtë. Por, në këtë pikë ju jeni më shumë të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm, duke kontribuar kështu për një mjedis më të pastër të jetesës”, tha Makraduli.

Ndërkaq, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, u porositi të rinjve se ajri që e thithim dhe uji që pimë është thesar i përbashkët i të rriturve dhe të rinjve, si dhe përgjegjësi dhe detyrim i përbashkët.

“Çdo fëmijë dhe çdo person ka të drejtë për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. Neglizhenca prej dekadash e mjedisit çoi në shkatërrimin e zonave të mbrojtura, prerjen masive të drunjve, si dhe në ndotjen masive të ajri. Shqetësimi për ruajtjen e mjedisit kërkon jo vetëm burimet financiare dhe teknologji të shtrenjta, ajo kryesisht kërkon dashuri, vëmendje dhe dëshirë për të ruajtur kushtet e jetesës që natyra na dhuroi”, porositi Shilegov.

Nga ana tjetër, koordinatorja e përhershme e Programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Maqedoni, Louisa Vinton, theksoi se planeti ynë është në rrezik nga një numër i madh i plastikave që ndodhen në oqeane, duke shtuar se është e nevojshme zgjidhja e këtij problemi në kohën sa më të shpejtë të mundur.

“Unë jam e sigurtë se secili prej jush që është këtu mund të bëj diçka për t’u përballur me këtë problem, ndotjen nga plastika. Gjithashtu ju duhet t’i mësoni prindërit tuaj sa më shpesh t’i përdorin qeset plastike të njëjta, kur ata shkojnë në pazar apo përsëri t’i përdorin qeset ekologjike për të mbrojtur mjedisin”, tha Vinton.

Kjo ditë shënohet në më shumë se 100 vende dhe përfshin një milion banorë nga e gjithë bota. Shënimi i Ditës Botërore të Mjedisit filloi në vitin 1972 dhe është zhvilluar në një mjet kyç të Kombeve të Bashkuara për të frymëzuar veprime pozitive në mbrojtjen e mjedisit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button