Peugeot pezullon aktivitetet në Iran

Prodhuesi francez i automjeteve PSA njoftoi se ka vendosur të pezullojë deri më 6 gusht aktivitetet në Iran pas vendimit të SHBA-ve për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga PSA, grupi që përfshin markat si Peugeot dhe Citroen, tha se janë duke i vazhduar negociatat me qeverinë amerikane për të arritur një marrëveshje.

“Pas marrëveshjes bërthamore të arritur në Vjenë më 14 korrik 2015 dhe heqjes së sanksioneve ndaj Iranit më 16 janar 2016, Grupi PSA nënshkroi marrëveshje partneriteti me Khodro të Iranit më 21 qershor 2016 dhe me Saipa më 6 tetor 2016”, thuhet në deklaratë.

Si rezultat i tërheqjes së SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore më 8 maj, thuhet më tej, “PSA ka nisur procesin e pezullimit të këtyre marrëveshjeve me qëllim që të ketë pajtueshmëri me ligjet e SHBA-ve”.

Grupi tha se me mbështetje të qeverisë franceze, janë duke vazhduar negociatat për të arritur një përjashtim.

Sipas deklaratës, PSA është në kontakt me udhëheqësit e vendeve relevante, duke ndjekur zhvillimet.

Vitin e kaluar, PSA ka shitur mbi 444 mijë automjete në Iran, duke shpalosur synimin për rritje të trefishtë të këtyre shifrave deri në vitin 2030.

Kujtojmë se më 8 maj, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi tërheqjen e vendit të tij nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke paralajmëruar kthimin e sanksioneve të rënda ekonomike.

Nga ana tjetër, presidenti i Iranit Hasan Ruhani kishte deklaruar se marrëveshja do të vazhdojë mes pesë shteteve të tjera.

Shtetet e tjera nënshkruese të marrëveshjes, Rusia, Kina, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, kanë theksuar nevojën për ruajtjen e marrëveshjes duke plotësuar mangësitë.

Qeveria franceze ka thënë se nuk i jep fund marrëveshjes me Iranin me tërheqjen e SHBA-ve dhe se kushtet e kësaj marrëveshjeje vazhdojnë më tej.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button