Prishtina gati për Panairin jubilar të librit

Nesër fillon Panairi Ndërkombëtar i Librit në Prishtinë. Sipas organizatorëve, gjithçka është gati që ky vit jubilar të organizohet në mënyrën më të mirë. Madje për këtë vit janë paraparë edhe risi, të cilat nuk kanë qenë më herët, njofton Koha.net. Anëtari i bordit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Abdullah Zeneli, në një intervistë për KosovaPress tha se edhe botuesit janë përgatitur mjaftueshëm që përveç shitjes të ofrojnë edhe takime me lexues dhe shkrimtarë.

Ai theksoi se e veçanta e këtij panairi është edhe pjesëmarrja e shkrimtarit francez François-Henri Désérable, vepra e të cilit vjen në shqip pikërisht në vigjilje të panairit.

Zeneli bëri të ditur se në kuadër të Panairit do të mbahen rreth 50 aktivitete të ndryshme që koincidojnë me përvjetorët këtij viti.

Ai foli edhe për prurjet në panairin e sivjetmë, ku bëri të ditur se do të dominojë proza dhe poezia.

“Po sigurisht proza është më e rëndësishme, duke përfshirë edhe përkthimet nga gjuhë të huaja edhe prurjet nga letërsia shqipe, por pa munguar edhe poezia. Ne shqiptarët e duam shumë poezinë. Ka një vërshim të madh të poezive, por kjo është e mira… Natyrisht kemi edhe kujtimet që janë interesante dhe praktikohen në botë. Kështu që panairi do t’i shpalosë të gjitha këto vlera, të gjitha këto zhanre dhe 5-6 ditët e këtij panairi do të ketë një festë e vërtetë”, u shpreh ai.

Zeneli shprehet optimist për jetën e librit në Kosovë, derisa theksoi se ka filluar të ketë lëvizje, pasi që Ministria e Arsimit nga 30 mijë sa janë ndarë vitin e kaluar për librin, këtë vit ka ndarë 100 mijë euro. Sipas tij, pritet që edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të mbështesë librin.

Panairi i Librit hapet nesër në orën 18:00 ndërsa vazhdon deri më 10 qershor, dhe edhe këtë vit do të shpallet shkrimtari i vitit nga letërsia shqipe dhe ajo e huaj, si dhe stenda më e vizituar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button