Binarët e ndryshkur të një partie

Xhabir Ahmeti

Xhabir Ahmeti

Nëpër rrugët e gjera të Shkupit e veçmas para qeverisë janë mbledhur plot  ushtarë partiakë të VMRO-së për të dëshmuar se janë trima dhe me flamuj partiakë e flamuj të tjerë në duar. E zhvillojnë betejën e tyre demokratike me përmbajtje epike mesjetare ku më së pari përjashtohen shqiptarët. Në retorikën e kryetarit të ri nuk zënë vend shqiptarët që lë të kuptohet se ata, nëse vijnë në pushtet, do të ecin binarëve të politikës së Gruevskit, i cili merrte në koalicionin e vet shqiptarë të gjunjëzuar.

Heronjtë e vendosur në mburojën nacionaliste me parulla të përsëritura e të stërpërsëritura me gjithë fjalimin epik të kryetarit të ri dhe me gjithë epikën e shumë akademikëve, shkrimtarëve e gazetarëve që mbetën „pa nënën parti“ nuk ia dolën të dëshmojnë se populli është me ta. Nuk e kanë bërë matematikën e thjeshtë se këtu tash e tutje do të fitojnë në zgjedhje vetëm ato parti të cilat nuk do të bëjnë dallime etnike e religjioze, do të fitojnë ato parti të cilat do të heqin dorë nga antikuizimi dhe nga shovinizmi. Do të fitojnë ato parti të cilat do t’ia dalin t’i mëkëmbin spitalet ku ecin lirshëm gjithandej bubrrecakt korridoreve të klinikave…

Do të fitojnë ato parti të cilat do t’i mbushin pitalet me kuadro të klasit të par, me mjekë, me infermiere, me teknikë e me personel tjetër tekni… Do të fitojnë ato parti të cilat do t’u thonë stop “fabrikave” që prodhojnë “magjistra e doktora shkencash” vetëm për shkak të meritave partiake… Do të fitojnë ato parti të cilat  do t’i respektojnë ligjet të cilat ndalojnë urrejtjen e një etnie ndaj tjetrës, të një religjioni ndaj tjetrit (në rastin tonë urrejtjen patalogjike ndaj shqiptarëve, gjuhës, kulturës, historisë dhe traditës së tyre)…

Do të fitojnë ato parti të cilat do të marrin masa ligjore ndaj mediave që përhapin urrejtje të tillë… Do të fitojnë ato parti të cilat do t’u japin shanse të barabarta të gjithëve… Do të fitojnë ato parti të cilat do të dalin nga gëzhoja mesjetare dhe çallëmi për “origjinën e lashtë”… Do të fitojnë ato parti të cilat do të dëshmojnë se janë pa ngarkesa shoviniste dhe që do ta kuptojnë se fati ynë i të gjithëve është i lidhur për këtë vend dhe se nuk i takon vetëm njërës palë ekskluziviteti për të qenë “superiori”… Do të fitojë ajo parti që do ta ngjallë bujqësinë, që do ta kthejë statusin e merituar për mësuesit, për artistët, për shkrimtarët, për zejtarët, për bujqit, për njerëzit e kulturës, të cilët sot luftojnë për koren e bukës… Do të fitojë ajo parti e cila do të kënaqet kur i dëgjon fëmijët në çerdhe e në shkolla se si flasin ëmbël në gjuhën e tyre, pa marrë patasysh se cila gjuhë është…

Edhe VMRO-ja ka mundësi të fitojë  në zgjedhje nëse heq dorë nga axhamillëqet nacionaliste, nga imitimi i politikës së dështuar të Viktor Urbanit e të ndonjë fluturaku tjetër të ngjashëm si ai. Për fat të keq VMRO-ja ende nuk po tregon ndonjë lëvizje pozitive e përparimtare, nuk po tregon sens për peshën që kanë shqiptarët dhe popujt tjerë jomaqedonas… Për fat të keq mediat elektronike dhe ato të shkruara që e mbështesin VMRO-në nuk heqin dorë nga urrejtja patologjike kundër shqiptarëve… Për fat të keq edhe VMRO-ja me udhëheqje të re nuk ka ndryshuar fare dhe duket e vendosur të mbetet në binarët e ndryshkur të politikës së udhëheqësve të saj të mëparshëm.

Edhe diçka: edhe po të fitojë me vota të dyshimta, pa shqiptarët e barabartë me të tjerët ky shtet me një VMRO epike në qeveri do të mbetet përgjithmonë në gëzhojën e Ballkanit të stërngarkuar me vese mesjetare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP