Negociatat me BE-në janë me vonesë: kur dhe si mund ta marrë datën Maqedonia

Marrja e një date për nisjen e negociatave me Bashkimin e Evropian është proces i vonuar, por duhet të mbetet prioritet, dhe kjo kërkon angazhim të madh të Qeverisë, sektorit civil dhe grupit të ekspertëve, që politikat e krijuara të kenë efekt – t’i ndjejnë qytetarët, dhe nga ana tjetër Maqedonia, sa më shpejtë të integrohet në Bashkimin Evropian, shkruan Portalb.mk.

Kështu vlerësuan sot në konferencën “Krijimi i politikave në perspektivën e integrimit evropian”, Fani Karanfilova nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur – Maqedoni, ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar, ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska.

“Mund të presim që të marrim datë për nisjen e negociatave. Duke e pasur parasysh këtë perspektivë, duhet të punohet në krijimin e politikave publike të Bashkimit Evropian. Vonohemi dhe jemi pak të papërgatitur, dhe na duhet një angazhim serioz. Hulumtimet e OJQ-ve dhe raporti i KE-së, tregojnë se si shtet kemi ende problem me procesin ku po bëhet planifikim strategjik, në sektorë të ndryshëm. Kemi mungesa dhe zbrazëtira në krijimin e politikave publike, dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për koordinim të politikave të jashtme, dhe kjo nevojë është paraqitur dhe do të paraqitet edhe më shumë. Procesi i integrimit nuk duhet të shihet vetëm si proces, i cili ka për qëllim të kryejë detyrat e shtëpisë që janë dhënë nga Komisioni Evropian, por ai është proces me të cilin, duhet të krijohet instrument i cili do të jetë efikas për qytetarët”, tha Fani Karanfilova Panovska.

Duke thënë se procesi evrointegrues i Maqedonisë, përveç Qeverinë, duhet të përfshijë edhe sektorin civil, grupin ekspertëve, ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar, u shpreh: “Shpresojmë që së shpejti edhe opozita maqedonase do të përfshihet në këtë proces, dhe kjo është një linjë me angazhimin e tyre, për agjendën reformuese të BE-së, kur si reformë kyçe është reforma në administratën publike”. Megjithatë, edhe pse të ftuar, dhe të konfirmuar pjesëmarrjen, sërish nga VMRO-DPMNE-ja nuk kishte të pranishëm në konferencë, transmeton Portalb.mk.

“Zbatimi i politikave është ndryshuar me sjelljen e strategjisë në administratën publike, ku Qeveria dhe të gjithë palët relevante, kanë nisur realizimin e aktiviteteve. Por këto aktivitete duhet të ndiqen nga OJQ-të, që e kanë fokus të punës, që në procesin e krijimit të tyre, Qeveria të përfshijë të gjithë faktorët, dhe të jenë cilësore”, tha Zhbogar.

Sa i takon reformave në administratën publike, ministri Damjan Mançevski, duke bërë të ditur se kritikat e parashtruara në Raportin e Komisionit Evropian ende qëndrojnë, tha se ai, me ministrin e Financave dhe zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, janë duke punuar në disa modele që do të ngritin motivimin e administratorëve.

“Ne kemi problem me zgjedhjen kuadrove të institucioneve. Ajo çfarë është thënë, ende qëndron e njëjta. Kemi problem serioz të gjejmë kuadër të cilësisë së lartë në administratë, sepse ka një profesion të tërë, për të cilin administrata ka nevojë. Administrata është e stërngarkuar diku, ku nuk ka nevojë, kurse mungon aty ku ka nevojë. Bashkë me ministrin e Financave, dhe me kabinetin e zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, punojmë në disa modele që do të mundësojnë motivim për kualifikim në kuadro të larta profesionale, që të mund t’i përshtaten institucioneve shtetërore dhe atyre private”, tha Mançevski.

“Krijimi i politikave në perspektivën e integrimit evropian”

Ndërkaq ministrja e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska tha se rezultatet e procesit evrointegrues të Maqedonisë, duhet të shihen për çdo ditë.

“Planet që i kemi janë të rëndësishme, por rekomandimet dhe realizimi janë edhe më të rëndësishme. Duhet të kemi qasje strategjike, por duhet që për çdo ditë, të tregojmë rezultate në praktikë. Qeveria duhet të ndërtojë kapacitete të saja, por të vetëm, këtë proces nuk mund ta ecim dhe nuk mund t’i gjejmë kapacitetet e nevojshme për në Bashkimin Evropian. Prandaj, me përfshirjen e OJQ-ve, ekspertëve, ne tregojmë se Qeveria është e hapur, dhe bashkë me të gjithë, duke shfrytëzuar njohuritë, punojmë në këtë drejtim”, tha Shekerinska.

Krahas reformave në administratën publike, në konferencën e sotme u vlerësua se përparimi i Maqedonisë në procesin evrointegrues varet edhe nga lufta e korrupsionit dhe diskriminimit, si dhe nga ritmi i realizimit të reformave në gjyqësor.

Konferenca është realizuar nga Aleanca Qytetare për Tranparencë, Fondacioni për Shoqëri të Hapur  – Maqedoni dhe Qendra “Eurothink”, me përkrahje të Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button