DIPLOMACIA DIGJITALE

Bota në të cilën jetojmë sociologjikisht në shumë aspekte është shumë më e ndryshme nga ajo paraprake, nga mënyra e jetesës deri te veglat që i përdorim dhe që na tjetërsojnë edhe si qenie individuale edhe si entitete kolektive. Tani, në kohën e ndryshimeve marramendëse shumë më pak flitet për botën tradicionale e moderne, e shumë më tepër për kapitalizmin digjital, podhimin digjital, lidershipin digjital, qytetërimin digjital, fenë digjitale, kryqëzatat digjitale etj. (Dagitmaç, 2017).
Siç dihet, me prodhimin mekanik nisi periudha e Industrisë 1.0, me shpikjen e telefonit dhe telegrafit ajo e Industrisë 2.0, me daljen në skenë të mikro kompjuterit, Industria 3.0, kurse virtualizimi i mënyrave të komunikimit dhe përdorimi gjithnjë e më i përhapur i  aparateve super-inteligjente tregojnë fazën e Industrisë – Revolucionit 4.0. Kjo e fundit shënohet nga big data, inteligjenca atrificiale, robotët dhe printerët 3D. Ndryshimet rrënjësore teknologjike dhe sociale natyrisht se impaktojnë edhe ndërveprimin mes shteteve, pra edhe diplomacinë. Në vazhdim do të zbërthejmë binomin diplomaci-kulturë digjitale.

Siç dihet, diplomacia është art i përfitimit në favor të shtetit vetjak në kuadër të marrëdhënieve dhe takimeve ndërkombëtare; është vegël e politikës  së jashtme për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare përmes metodave paqësore e jo përmes atyre militare. Veçori parësore e diplomacisë është negocimi. Tipar i dytë i diplomacisë është përfaqësimi (represantation). Meqë diplomacia është mjet i politikës së jashtme, e njëjta realizohet në koordinim të ministrive të punëve të jashtme, përmes diplomatëve. Marrëdhëniet ndërkombëtare njohin diplomacinë politike, ekonomike, kulturore, publike, civile, shkencore, kurse në epokën e shoqërisë informatike, me peshë të veçantë është diplomacia digjitale. (Dag, 2018)

Diplomacia digjitale, e mbiquajtur edhe e-diplomacy, nënkupton shfrytëzimin gjithnjë e më të madh të teknologjive informative dhe të komunikimit (ICts) si dhe të medias sociale për të arritur qëllime të caktuara  në politikën e jashtme dhe në  sferën e diplomacisë apo të diplomacisë publike. Diplomacia 3.0, diplomaci e cyber-aktivizmit, shtetndërtimit online (online statecraft),  e marrjes së monopolit nga diplomatët, kur diplomat mund të bëhet çdokush që ka kompjuter e vegël tjetër të IT-së dhe internet. Diplomacia  digjitale për dallim nga diplomacia tradicionale ndërtohet nga të mësuarit, ndërveprimi dhe komunikimi digjital.
Kjo është faza e tretë e diplomacisë, pas asaj 1.0  ose klasike (negociatat, pushteti i fortë, hegjemonia, marrëdhëniet hierarkike, protokoli) dhe 2.0 ose publike (komunikimi strategjik ve fuqia e butë). Është diplomaci e botës kibernetike, e jetës digjitale, e veglave mobile, e medias dhe rrjeteve sociale, të një sistemi ku mbizotërojnë senzorët dhe algoritmat, diplomaci e ubernetit. Diplomaci e “kombeve/shteteve digjitale” (Facebook, Kina, Tencent, India, WhatsApp, ShBA, LinkedIn, Instagram, Twitter…).

Disa e kanë quajtur edhe twiplomacy. Në Britani quhet diplomaci e zgjidhjes së çështjeve diplomatike klasike përmes internetit. Diplomacia digjitale i shmang kufijt, e shpërfill protokolin. Zyrat shtetërore mund të mbyllen por interneti, laboratorët e inovacioneve dijitale  dhe diplomacia digjitale punon 24 orë. Themelues të diplomacisë digjitale janë SHBA-të dhe Franca, ndërsa investime të mëdha bëjnë edhe Franca, India, Izraeli. Ky i fundit, ministrinë e diplomacisë publike të quajtur “Hasbara” e ka shndërruar tërësisht në srukturë të diplomacisë digjitale (hasbara.gov.il). Turqia  gjithashtu bën investime të mëdha në këtë fushë përmes diplomacisë së re (www.yenidiplomasi.com). Në diplomacinë publike përdoren edhe lojërat digjitale, si Trace Effects e ministrisë amerikane të punëve jashtme.

Sot në shekullin XXI dhe në epokën digjitale diplomacia nuk varet vetëm nga diplomatët e emëruar/zyrtarë dhe profesionalë/të karrierës por edhe nga çdo aktor apo qytetar i një shoqërie apo shteti, nga mënyra se si ai frymon në rrjetet sociale, çfarë imazhi prodhon për segmentin digjital, si e përfaqëson shtetin e vet në sferën virtuale. Sot theksi  është mbi R&D (hulumtimi dhe zhvillimi), inovacionet dhe digjitalizimin.
Prapambetja në këto përmasa na bën analfabetë të kohës dhe na lë në marginat e botës, andaj konstatojmë se digjitalizimi është një conditio sine qua non në çdo fushë të jetës sociale, përfshirë edhe spektrin e diplomacisë. Kosova në këtë drejtim ka bërë hapa gjigantë përmes platformës DigitalKosovo.org. Në saje të diplomatëve digjitalë vullnetarë Kosova u njoh nga mediat sociale si Facebooku. Do theksuar se aset i rëndësishëm i diplomacisë shqiptare është edhe diaspora dinamike digjitale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button