Lidershipi i dëmshëm

Në  mbarë shtetet e zhvilluara të botës e edhe në shtetet evropiane ku neve si shtet synojmë të integrohemi, për lidership, brenda partive politike zgjidhen politikanët të cilët kanë aftësinë për t’iu përgjigjur sfidave politike në nivele nacionale, rajonale, evropiane dhe në shtetet e mëdha edhe sfidave globale.

Në Maqedoni, partitë politike e të dyja kampeve jo rrallë herë kanë pasur lidership të paaftë që t’iu përgjigjen sfidave të kohës, ku shumë herë veprimet e pamatura politike kanë prishur balancet nacionale si brenda vendit gjithashtu edhe në rajon dhe më gjerë.

Mentaliteti i lidershipit të tillë te blloku politik maqedonas zuri vend qysh në përgatitjet e referendumit për shkëputjen e Maqedonisë nga Federata Jugosllave, me cka solli bojkotimin e këtij referendum nga qytetarët shqiptarë. Pikërisht këtu edhe fillon çarja e parë politike dhe nacionale brenda shtetit, çarje e cila u zhvillua dhe avancoi në kontinuitet ndër vite .Nga ana tjetër lidershipi shqiptarë i asaj kohe duke pasur parasysh rrethanat në të cilat vepruan padyshim tregoi një pjekuri të lartë politike, pjekuri institucionale, konstruktivitet të lartë maturi dhe vizion për qytetarët të cilët i përfaqësonin.

Pyka e çarjes dhe paaftësia për tu përballur me sfidat nacionale të kohës në vend në vazhdimësi rritej dhe investohej në këtë drejtim. Tani më jo vetëm që nuk kishte vullnet për ndryshim të devizës politike nga lidershipi maqedonas i kohës por pikërisht ai lidership shkoi edhe një hap më tutje duke provokuar dhe iniciuar ndarje dhe fraksione të reja edhe brenda kampit politik shqiptarë. Kjo dorë e zgjatur e këtij mentaliteti të fundit jugosllav krijoi një kaos tek qytetarët shqiptarë sepse beteja e këtyre fraksioneve ishte pikërisht etiketimi dhe akuzat nga  më të rënda të kohës “Tradhtar”. Këto akuza në mes veti vazhduan deri në luftë, me shumë zell edhe pas luftës së fundit e për fatin tonë të keq po vazhdojnë edhe sot.

Por, sot nuk është fare e vështir për të identifikuar këtë “Lidershqip të dëmshëm” si tek kampi politik maqedonas gjithashtu edhe në kampin politik shqiptar. Pra, parimi i cili fare lehtë i nxjerr të zbuluar para të vërtetës apo parimi bazë me të cilën mund të identifikohet ky lloj lidershipi është kur për adut kryesor marrin “Një kauzë të parealizueshme“ për kohën të shoqëruar me një gjuhë të skajshme populiste. Kjo prodhon huti dhe nga kjo huti përfitojnë pikërisht ATA për të shtuar jetëgjatësinë e tyre politike.

Nisur nga prizmi i sotëm, te lidershipi në kampin politik maqedonas punët kanë marrë kahje, njëri nga lidershipi po tregon aftësinë për t’iu përgjigjur sfidave nacionale të vendit, sfidave me rajone me të gjithë fqinjët por edhe sfidave evropiane duke përmirësuar dukshëm imazhin e shteti. Dhe nga ana tjetër është lidershipi i partisë tjetër maqedonase e cila për ta ruajtur jetëgjatësinë dhe për ta blerë kohën për sa i përket ndarjes së partisë për adut ka aktivizuar “Kauzën e parealizueshme” , duke përdorur gjuhën populiste për të ndikuar tek emocionet e qytetarëve maqedonas.

Por, në cilën korsi gjendet lidershipi në kampin politik shqiptarë?

Edhe pse ishte e qartë si drita e diellit se në vend do të ketë qeveri të re, me aftësinë për të balancuar raportet ndëretnike, raportet me fqinjët, raportet me vendet evropiane sepse ishte nevoje e kohës, përsëri në kampin politik shqiptarë një pjesë e lidershipit u tregua e paaftë për t’iu përgjigjur së paku sfidave të shqiptarëve në vend. Ky lidership mbajti korsinë e vitin 1993/94,që për më shumë se njëzet vite u organizuan dhe riorganizuan në parti të ndryshme me të njëjtën devizë politike duke akuzuar, etiketuar edhe vetë kombin e tij si tradhtarë sa herë që nuk arrinin që të fitonin zgjedhjet.

Derisa sa në fillimet e tyre populizmin e përdornin vetëm në të ashtuquajtura kauza kombëtare nga zgjedhjet e fundit parlamentare u riorganizuan edhe në një celulë tjetër duke prekur emocionet e shqiptarëve edhe në aspektin fetar. U futën në zgjedhje me sharje dhe fyerje edhe mes vete, paraqiten Platforma që binin në kategorinë e “Kauzave të parealizueshme”, menjëherë me formimin e Qeverisë, hoqën dorë nga Platformat e tyre, filluan përpjekjet për të shkrirë partitë e tjera që nuk i bindeshin, ulën tensionet, lidhën aleanca të reja, u përçanë, u riorganizuan dhe në fund përsëri vendosën të funksionojnë më një këmbë në njërën korsi dhe me këmbën tjetër në korsinë tjetër.

Prandaj, shqiptarët meritojnë lidership të aftë për t’iu përgjigjur sfidave nacionale, rajonale dhe evropiane. Çdo ecje në korsi të kundërt do ta dërgojnë në përplasje shqiptaro-shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button