Ambrozini ngushëllon tifozët e Milanit

Kapiteni i Milan, Masimo Ambrozini, është munduar të qetësojë tifozët e skuadrës kuqezi pas largimit të Zlatan Ibrahimoviç dhe Tiago Silva drejt PSZH. Ai mendon se kuqezinjtë do të vazhdojnë të mbeten konkurrues edhe pa dy futbollistët në përbërjen e tyre.

“Milan mund të jetë në një faze tranzicioni po mbetemi përsëri një skuadër e madhe”, tha 35 vjeçari për “Sky Sport Italia”.

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë në vijim, por çdo vit duhen bërë ndryshime pasi ne lojtarët nuk jemi qenie të përjetshme. Nuk është vetëm Milani që po bën ndryshime të pashmangshme. Shihni edhe Barcelonën apo Mançester Junajtid. A mendoni se ata nuk do të jenë të detyruara të bëjnë ndryshime të mëdha në të ardhmen?”, tha kapiteni i kuqezinjve.

Ndërkohë, Milani ka hedhur sytë drejt mbrojtësit grek Kiriakos Papadopulos për të zëvendësuar Tiago Silvan e larguar. Por drejtuesit e Shalkes, ku ky futbollist  aktivizohet aktualisht, kanë bërë të qartë se nuk do të pranojnë ofertat e italianëve, duke deklaruar se këta të fundit kanë thyer rregullat për kontaktimin e futbollistëve nën kontratë.

Lajme të ngjashme

Back to top button