Aleanca për Shqiptarët, për përvjetor ia numëroi “dështimet” qeverisë (VIDEO)

Aleanca për Shqiptarët me rastin e njëvjetorit të Qeverisë, ka mbajtur konferencë për shtyp ku i ka përmendur siç thanë ata, dështimet e punës së kabinetit qeveritar të kryeministrit Zoran Zaev, raporton Portalb.mk.

“Qeveria LSDM – BDI, e cila e nisi rrugëtimin e saj si qeveri reformatore dhe nga qytetarët e saj u prit si qeveri shpëtimi që të siguronte kushte normale për jetë më të dinjitetshme pasi kishte edhe një fillim të suksesshëm që premtonte ardhmëri më të mirë. Një fillim i mbarë, kur merrte pjesë edhe Aleanca për Shqiptarët ishte shpresëdhënëse edhe për shqiptarët, por tani pas një vjetëve si rezultat i  Aleanca për Shqiptarët vlerëson se kjo qeverisje dështoi në shumë plane të premtimeve parazgjedhore”, tha zëdhënësi i partisë, Flakron Bexheti.

Ata shtojnë se zhagitja e hyrjes në fuqi të ligjit për përdorimin e gjuhëve, që sipas tyre, ishte projekti më serioz i Marrëveshjes së Ohrit dhe një moment kryesor për formimin e Qeverisë së së re, si dhe mosgatishmëria e kryetarit të Kuvendit që ta shpallë në gazetën zyrtare dëshmon se nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të qeverisur. Ndërkaq, mospërfillja e partive shqiptare për çështjen e emrit në tryezën e liderëve për zgjidhjen e kontestit të emrit të Maqedonisë dhe përfaqësimi i shqiptarëve në atë tryezë vetëm nga BDI që siç thonë nga ASH, sipas rezultateve të fundit zgjedhore kjo parti nuk e përfaqëson shumicën shqiptare.

Aleanca për Shqiptarët, “dështimet” e qeverisë i ka ndarë në tre pjesë të cilat në mënyrë integrale mund t’i shihni më poshtë:

Dështimet në fushën e drejtësisë

  • Zgjedhja e prokurorit publik dështoi që në fillim, puna e parë e prokurorit ishte rikualifikimi i veprës penale për rastin e Almirit, nga vrasje me paramendim në një aksident të thjeshtë komunikacioni;
  • Zgjedhja e disa nga kryetarët e gjykatave themelore dhe Këshillit Gjyqësor republikan ishte me ndikim politik të LSDM-së dhe BDI-së sepse zgjodhën persona të afërt me këto dy subjekte politike, ashtu siç vepronte VMRO-BDI gjatë qeverisjes paraprake;
  • Këshilli Gjyqësor nuk e garanton pavarësinë e gjyqësorit, por e pengon edhe më shumë autonominë e tij, konstatim që u vërtetua edhe nga raporti i Pribesë;
  • Mosndëshkimi i gjykatësve, prokurorëve dhe inspektorëve të policisë që kanë montuar procese gjyqësore, siç është rasti “Sopoti”, “Monstra” si dhe heshtja e vazhdueshme për të mos e zbardhur rastin “Kumanova”;
  • Dështimi i Këshillit për Reforma në Drejtësi që u dëshmua nga dorëheqja e disa ekspertëve të kësaj fushe;
  • Mosndëshkimi i disa zyrtarëve të qeverisë që ka qenë pjesë e qeverisjes me VMRO-në, për të cilët ka dyshime për kryerje të veprave penale, korrupsion, krim të organizuar dhe falsifikim zgjedhor, transmeton Portalb.mk.

Dështimi në fushën e ekonomisë

  • Maqedonia është vendi i vetëm në Ballkan që nuk shënon rritje ekonomike në vitin 2017-të;
  • Rritja e borxhit publik është si në kohën e regjimit të kaluar;
  • Vazhdon diskriminimi ekonomik ndaj shqiptarëve, andaj pyesin kryeministrin Zaev, ku është përmirësuar gjendja në shpërndarjen e parave për komunat shqiptare?
  • Nga rritja e 50% të buxhetit të fondit për vise të pazhvilluara pyesim Zaev sa nga këto mjete planifikohen për komunat shqiptare dhe pse ministrat shqiptarë menaxhojnë me Ministritë vetëm me 5% të mjeteve buxhetore kur dihet se shqiptarëve iu mur Ministria e Shëndetësisë?
  • Pyesim kryeministrin Zaev, nëse punësimi qenka prioritet për qeverinë e saj, pse kjo e drejtë u mohohet qytetarëve të Gostivarit me bllokimin e buxhetit nga ana e juaj dhe a është ky diskriminim mbi bazë etnike?

Dështimi i reformave në fushën e arsimit dhe shëndetësisë

  • Reformat në arsim dhe shëndetësi as që kanë filluar, ndërkaq infrastruktura vazhdon të jetë e mjerueshme.
  • Qeveria aktuale as që ka nisur hapjen e vendeve të reja të punës për të ndaluar ikjen e të rinjve që kohët e fundit po merr përmasa katastrofale.
  • pyesim kryeministrin Zaev, ku mbet motoja e tij “Jetë për të gjithë”, ku me marrjen e kompetencave për menaxhim në arsim ndëshkohet vetëm një komunë shqiptare?
  • Si mendon kryeministri Zaev dhe qeveria e tij se do t’i zbatojë reformat e paralajmëruara me partnerë koalicioni përgjegjës për dështimin e qeverisë së kaluar.

Më poshtë mund ta ndiqni konferencën e sotme për shtyp:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button