Kur shkelja e ligjit tolerohet

Faljet skandaloze që Ivanov i dha më 12 Prill të vitit 2016 janë sërish aktuale. Në bazë të këtyre faljeve, të dërguarit në paraburgim ekstradimi në Greqi, Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski u liruan nga gjykata supreme e cila konstatoi se falja një herë e dhënë nuk mund të tërhiqet prapa. Dhe ashtu është. Ndër parimet kryesore të të drejtës penale, lidhur me institutin e faljes është pikërisht ajo, që falja një herë kur jepet nuk mund të tërhiqet, e as nuk mund të mos pranohet nga ana e të falurit. Por kjo vlen për faljet e dhëna sipas ligjit dhe juridikisht të vlefshme.

Problemi me faljet e Ivanovit është se të njëjtat ishin ab initio (që në fillim) të pavlefshme dhe të kundërligjshme. Gjithçka filloi me atë nenin e famshëm 11 të Ligjit për falje të vitit 1993, i cili i mundësonte shefit të shtetit të falë pa procedurë paraprake persona që janë ende në procedurë penale. Në vitin 2009 ai nen u fshi me ndryshimin e Ligjit për falje, ndërsa në Mars të vitit 2016 ky ndryshim i ligjit u shpall si kundërkushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Por në këtë mënyrë neni 11 nuk u kthye në fuqi, sepse i njëjti mbeti i fshirë dhe duhej të përfshihet në ndryshim tjetër të ligjit që do ta bënte Kuvendi. Kuvendi një gjë të tillë nuk bëri, dhe prandaj neni 11 mbeti inekzistent. Ndërsa të gjithë 41 faljet e Ivanovit u bazuan pikërisht në këtë nen inekzistent.

Problemi i dytë është që asnjëri nga institucionet e shtetit në vitin 2016 këto falje nuk i konsideroi të pavlefshme. Të njëjtat u botuan në Gazetën Zyrtare, dhe të njëjtat patën pasoja juridike për të falurit. Procedurat para PSP-së u pezulluan, një person u lirua nga burgu, dhe institucionet tjera shtetërore pranuan ti konsiderojnë të falur këta persona. Me një fjalë, të gjitha institucionet shtetërore, me ose pa vetëdije, iu bindën Ivanovit dhe urdhërdhënësve të tij dhe në vend që ta injorojnë tërësisht një vendim të tillë, për të cilin fort mirë e dinin që është i pavlefshëm, ata vendosën ta zbatojnë atë dhe të lejojnë të shkaktojë pasoja juridike. Më kujtohet mirë që në një emision të asaj kohe më pyetën: E tani çfarë duhet të bëhet me këto falje? Përgjigja ime ishte që të njëjtat të injorohen nga institucionet shtetërore sepse janë të pavlefshme dhe procedura para PSP të vazhdojë pa ngecje. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese duheshte të shpallë që ato falje janë kundërkushtetuese dhe në kundërshtim me Ligjin për falje në të cilin neni 11, ku Ivanov i bazoi të gjitha faljet, nuk ekzistonte më. Në fakt, vetë Gjykata Kushtetuese në një vendim të saj të vitit 2012 qartazi ka shkruar që kur ndryshimet e një ligji shpallen kundërkushtetuese dhe një nen i shtuar më vonë fshihet, kjo nuk do të thotë që Gjykata Kushtetuese e ka kthyer në fuqi nenin e mëparshëm që ka qene në fuqi para ndryshimeve. Gjykata Kushtetuese nuk është Kuvend, që të sjellë norma ligjore, vetëm Kuvendi ka një rol të tillë ligjdhënës. Pra Gjykata Kushtetuese duheshte vetëm ta riafirmojë qëndrimin e saj të mëparshëm e jo heshturazi të lejojë një shkelje kaq eklatante të ligjit.

Problemi i tretë është se Kuvendi i asaj kohe përfundismisht e ngatëroi krejt procesin duke krijuar “zgjidhje” ligjore për tërheqjen e faljeve. Këtë nuk guxonte ta bënte sepse për të krijuar zgjidhje ligjore për tërheqjen e faljeve duhet ta pranoni që të njejtat ekzistojnë. Kuvendi assesi nuk guxonte ta pranojë këtë gjë. Që në atë kohë disa herë kemi theksuar se duhej Kuvendi të sjellë interpretim autentik të ligjit për falje dhe qartazi të tregojë që neni 11 nuk është në fuqi. Pasi Gjykata Kushtetuese nuk e shpalli këtë veprim të Ivanovit si kundërkushtetues, i binte barra Kuvendit që të shpallë se neni 11 nuk është në fuqi dhe përmes kësaj ta detyrojë Gjykatën Kushtetuese të diskutojë kundërkushtetueshmërinë e veprimit të Ivanovit. Kuvendi këtë nuk e bëri. Atë që bëri ishte ai Ligji qesharak për ndryshimin e Ligjit për Falje i sjellë në Maj me të cilin neni inekzistent 11 u mbindërtua me nenin 11-a. Ishte kjo koha kur të gjithë juristët që marrin vesh diçka nga drejtësia seriozisht e morën në konsideratë t’i djegin diplomat e tyre, magjistraturat, doktoratat… Kisha një tekst në atë kohë ku pyesja a mund institucionet shtetërore të lejojnë mbindërtim të shtëpisë së rrënuar?! Ju keni shtëpi të shembur, e cila nuk ekziston, dhe keni marrë leje që kësaj shtëpie t’ia ndërtoni katin e dytë, ndprkaq këtë leje e keni marrë pasi është konstatuar se shtëpia juaj nuk ekziston! E tillë ishte puna edhe me nenin 11-a sipas të cilit Ivanov i tërhoqi faljet në mënyrë po aq të kundërligjshme si që i solli ato. I tërë ai proces ishte një shembull eklatant i kundërligjshmërisë së veprimeve të institucioneve më të larta shtetërore. Ivanov i solli faljet duke mos pasur bazë juridike, Gjykata Kushtetuese nuk reagoi fare në këtë veprim kundërkushtetues dhe Parlamenti krijoi bazë të paligjshme për të tërhequr faljet ab initio të paligjshme dhe të pavlefshme. Ishte ky dështim spektakolar i të gjitha institucioneve të drejtësisë dhe të udhëheqjes së shtetit.

Dështim i cili tani na kushton shtrenjtë, sepse kur shkelja e ligjit tolerohet ajo hap shumë kokëçarje të reja në të ardhmen. Na kushton për shembull, mossjellje para drejtësisë të Grujovskit dhe Boshkovskit. Na kushton rrezik që edhe tjerët të akuzuar nga PSP të arratisen dhe të shpresojnë në mosekstradim sepse, janë të falur, apo jo! Na kushton kohë dhe energji për të seruar çdo ditë se pse kundërshtimet e të akuzuarve të tillë para gjykatës penale janë nule. Do të na kushtojë edhe më tej. Sepse pres që kjo punë të mos mbarojë me kaq, por të akuzuarit e tanishëm të kërkojnë drejtësinë edhe para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në praktikën e saj disa herë ka përsëritur që faljet e dhëna nuk tërhiqen prap. Do të duhet shumë energji dhe investim serioz në mënyrë që të argumentohet shumë para kësaj Gjykate lidhur me këto falje. Besoj që në fund e njëjta do të marrë vendim i cili përfundimisht do vendosë presedan dhe do të shërbejë si shembull në praktikën e kësaj gjykate për atë se çfarë ndodh kur institucionet e një shteti i shërbejnë politikës dhe jo drejtësisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button