Bosnja e shqetësuar për pronat e ish-Jugosllavisë

Një ligj i ri që e lejon Zagrebin të japë me qira prona në Kroaci që janë trashëguar nga republika të tjera nga ish-Jugosllavia, por që janë lënë të braktisura, ka shkaktuar shqetësime në Bosnje.

Këshilli i Ministrave i Bosnjës tha të martën se do të presë një opinion nga Komiteti i tij për Trashëgiminë para se të bëjë ndonjë lëvizje zyrtare në përgjigje të ligjit të ri kroat që lejon Zagrebin të marrë me qira prona në Kroaci që ishin trashëguar nga ish-Jugosllavia.

Në Bosnjë janë ngritur shqetësime se vendi mund të humbasë qasjen ose madje edhe pronësinë e pronave të saj ish-jugosllave në Kroaci, të cilat kanë vlerë rreth 10 miliardë euro, për shkak të ligjit të ri kroat mbi menaxhimin e pronës shtetërore, i cili u miratua të premten.

“Këshilli i Ministrave dhe presidenca e Bosnjës duhet të ngrenë çështjen e hartimit të një marrëveshjeje midis Kroacisë dhe Bosnjës në nivelin më të lartë. Nëse Kroacia refuzon atë që Bosnja ka për të ofruar, atëherë ka institucione, arbitra dhe gjykata ndërkombëtare”, tha për BIRN Edin Forto, një deputet në entitetin e Federatës me shumicë boshnjake dhe kroate në Bosnje.

Një ligj trashëgimie që pajtohet me shpërndarjen e pronave jugosllave midis ish-republikave hyri në fuqi në vitin 2004, por shumë pak çështje pronësie midis Bosnjës dhe Kroacisë janë zgjidhur gjatë 14 viteve të fundit.

Republika Srpska, entiteti me shumicë serbe i Bosnjës, ka regjistruar 64 prona të paluajtshme në Kroaci.

Sipas Agjencisë së Privatizimit të entitetit të Federatës, Federata gjithashtu ka 78 pjesë pasurish të patundshme në Kroaci, përfshirë pika karburanti, hotele dhe asetet në portet e Sibenikut dhe Plocës.

Megjithatë, Bosnja nuk ka regjistër shtetëror prone.

Ministri i Drejtësisë i Bosnjës, Boris Grubesa tha se për shkak se nuk kishte marrëveshje në Bosnje se kush në fakt është pronar ose është përgjegjës për menaxhimin e pronave, Kroacia po vepronte si duhet.

“Duke miratuar këtë ligj, Kroacia tregoi se kujdeset për ato objekte, dëshiron të gjejë koncesionarë që do ta ruajnë atë pronë”, tha Grubesa për stacionin televiziv rajonal N1 të martën.

Ministri i Pronës i Kroacisë, Goran Mariq tha për mediat pas miratimit të ligjit se ai “nuk ndikon në pronësinë e objekteve në asnjë mënyrë”.

“Pronësia është e shenjtë dhe duhet të jetë e shenjtë. Ky ligj thjesht aktivizon pronat e braktisura”, këmbënguli Mariq.

Ligji për menaxhimin e pronës kroate lejon që pronat jo të përdorura ish-jugosllave të jepen me qira si koncesione deri në 30 vjet.

Një marrëveshje mbi çështjet e trashëgimisë midis ish-republikave jugosllave u përmbyll në Vjenë në vitin 2001, por deri më tani, asnjë marrëveshje për zgjidhjen e çështjes nuk është nënshkruar midis Bosnjës dhe Kroacisë pavarësisht disa përpjekjeve.

Negociatat u zhvilluan deri në vitin 2012, kur çështja erdhi pranë një zgjidhjeje, por Republika Srpska kërkoi që kontrata të përfshinte të drejtën për pronësi të përhershme të pronave, të cilat Kroacia e refuzoi.

Kroacia nënshkroi kontrata me Slloveninë dhe Maqedoninë përpara marrëveshjes së Vjenës dhe i ktheu pronat e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button