Protestë e radikalëve serbë në Beograd, kundër festivalit “Mirëdita, dobar dan!”

Në Beograd ka nisur protesta e organizuar nga Partia Radikale Serbe, e të dënuarit të Hagës, Vojislav Sheshelj, kundër mbajtjes së festivalit “Mirëdita, dobar dan!”.

Ky festival, në të cilin pritet të promovohet skena kulturore bashkëkohore e Prishtinës, në Beograd organizohet për të pestën herë, transmeton REL.

Protesta e radikalëve serbë ka nisur në qendër të Beogradit dhe ka vazhduar drejt hapësirës së Qendrës për dekontaminim kulturor, ku mbahet festivali.

Pasuesit e Shesheljit kanë theksuar se e kundërshtojnë mbajtjen e festivalit, për shkak se, siç kanë thënë ata, në këtë manifestim, Kosova po trajtohet si shtet i pavarur, gjë që sipas tyre, paraqet shkelje të Kushtetutës së Serbisë.

Pjesëtarët e policisë serbe kanë krijuar barriera pranë rrugëve që shpien drejt hapësirës ku mbahet festivali. Në Qendrën për dekontaminim kulturor, e cila kultivon kulturë alternative dhe kundër luftës, tashmë është gjithçka gati për hapjen e festivalit, i cili pas pesë vitesh që kur organizohet, tashmë konsiderohet tradicional.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!”, këtë vit, zgjat nga 30 maj deri më 2 qershor dhe do të hapet me projeksionin e filmit “Martesa”. Siç ka paralajmëruar Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut, inspirimi për këtë manifestim është Bekim Fehmiu, siç është quajtur, “aktor shqiptar i Kosovës, i Beogradit, jugosllav dhe botëror, si dhe simbol i të kaluarës së përbashkët”.

Bekim Fehmiu, ishte një aktor shqiptar etnik nga Kosova, i cili një pjesë të madhe të jetës e ka kaluar në Beograd, ku edhe ka vdekur në vitin 2010.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button