NJËRA TRAJTË E VETMISË

sa herë vë qirinj  mbi fjalët e vargut tim

që bëjnë dritë rrugicave të ëndrrës sime

lëshojnë të njofshmit e ma qepin thesin e zi

mbi shpinë

ta mbaj në ditën tjetër

në tjetrën

e tjetrën

më lënë këmbëzbathur pastaj

nëpër thepa e shkrepa

ma fikin këngën

unë mendoj shoqëri e vjetër

do të më vijë

e do të ma shtrijë dorën

me tufën me lulet e miqësisë e besës

e do të më nxjerrë nga xingona

po vetëm frymëmarrjen e erebit e ndjej

sa pres

shoqëri e vjetër

ka mbetur në një foto bardh e zi

varur në murin që e bren lagështia

dhe myku

flaka e shpirtit tim e zgjon atëherë vetminë

e drejton lapsin në dorën time

dhe hap shteg mbi letrën e bardhë

ku i lentoj tingujt e magjisë

dhe i bëj trajtat e vetmisë

nga thellësi e vargut që rrjedh lirshëm

dëgjohet zëri i hidhur i të vërtetës

e thotë

je vetëm je vetëm je vetëm

dhe nuk vjen shoqëri e vjetër

se fletë më fletë ua ke shpaluar zemrën

të cilën e trajtojnë si vend të shkelur

si hapësirë të pushtuar

si pronë që s’e ha pazari

 

Nga Lindita Ahmeti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP