MAQEDONIA SIPAS WEIGANDIT

Profesor Gustav Weigand (1860 – 1930), në librin Etnografia e Maqedonisë  (Lajpcig, 1924), jep të dhëna (edhe të kontestueshme) për çështje etnografike, historike, gjuhësore, demografike, shkruan për gjendjen e popujve dhe jep sugjerime për statusin e Maqedonisë së ardhshme.

Në parathënien e librit shkruan se kishte njohuri se studimi i tij nuk do të pritej mirë nga serbët dhe grekët, por ai ndjente se ishte në paqe me ndërgjegjen e tij, pasi kishte shkruar për gjërat ashtu siç i kishte parë. Ai në librin e tij, të shkruar me kërkesë të autoriteteve gjermane, u bazua më së shumti te studimet bullgare, por edhe te librat e Lumo Skendos dhe Kristo Dakos.

Ballkani dhe Maqedonia, sipas tij, ishin gërshetim kulturash dhe popujsh, ku gjuha mbetej përcaktuese e identitetit kombëtar. Kjo qasje i dukej e gabuar, sepse, siç shkruan, gjuha mund të ndryshonte dhe nuk paraqiste element qenësor të shpirtit kombëtar.

Para se të fliste për gjendjen e popujve dhe për statusin e ardhshëm të Maqedonisë, ai veçoi disa specifika të popujve. Bullgarët (kështu e quan popullatën sllave në Maqedoni, përveç serbëve), ishin bujq dhe zanatçinj. Grekët ishin tregtarë, klerikë dhe bujq. Turqit ishin zotërues tokash, bujq, zanatçinj, ushtarë, administratorë dhe blegtorë. Arumunët ishin barinj, qiraxhinj, zanatçinj dhe tregtarë. Shqiptarët ishin blegtorë, bujq, zanatçinj, tregtarë dhe nëpunës. Meglenët ishin bujq, përpunues mëndafshi dhe poçarë. Spanjollët (hebrenjtë) ishin tregtarë, zanatçinj, varkëtarë, peshkatarë ose nëpunës.

Weigand i kushtoi rëndësi edhe pozitës së gruas në shoqëri. Gratë shqiptare dhe arumune, në familjet e pasura, shijonin kafenë, ëmbëlsirat, ndonjëherë edhe rakinë. Burrat rrinin në sofër, kurse gratë përreth. Te blegtorët shqiptarë burri ishte i pakundërshtueshëm, kurse gruaja ishte vetëm shërbëtore dhe nënë fëmijësh. Divorci ndodhte rrallë, kurse te arumunët pothuajse ishte i padëgjuar. Te tregtarët shqiptarë dhe vlleh lidhjet bashkëshortore ishin shumë më të lira. Te bullgarët gruaja respektohej si ndihmëse e burrit. Ajo ishte më e lirë në shoqëri dhe ulej në tryezë mysafirësh. Te serbët gruaja shihej vetëm si shërbëtore. Te grekët gruaja çmohej si bashkëshorte. Ajo e ndihmonte burrin në punët e bujqësisë, pa u trajtuar si mjet pune, por ky trajtim shpesh kushtëzohej nga pozita sociale e familjes. Meglenet ngjanin me bullgaret, kurse spanjollet ishin më të lira dhe vishnin dekolte, që u ndaloheshin grave të krishtera.

Për strukturën etnike në Maqedoni ai bazohet në: “Kartën etnografike të vilajetit të Selanikut, Kosovës dhe Manastirit” (Sofje, 1907), në të dhënat e etnografëve bullgarë, Kënçovit e Mladenovit dhe pak edhe në të dhënat e Mithat Frashërit. Duke iu referuar burimeve të mësipërme, ai ofron të dhëna për kazanë e Manastirit, Kumanovës, Preshevës, Kaçanikut, Tetovës, Gostivarit, Lumës, Prizrenit, Ferizajt, Gjilanit, Prishtinës, Vushtrrisë, Mitrovicës, Dibrës, Strugës, Ohrit, Resnjës etj.

Kur shkruan për rrethanat politike të kohës, gjykon se shqiptarët, turqit dhe bullgarët, as nuk donin të dëgjonin për pushtetin grek e serb, prandaj, sipas tij, tentimet e autoriteteve greke dhe serbe për shkombëtarizimin e dhunshëm të popullatës vendëse do të dështonin. Ai kishte mësuar prej gazetave se shumë shqiptarë nga Maqedonia iknin në drejtim të Shqipërisë për shkak të terrorit serb, kurse gazetat serbe e heshtnin krimin.

Weigandi vlerësonte se “qeverisja e centralizuar shoviniste e Beogradit, nën udhëheqjen e Pashiqit, nuk kishte mbështetje as nga kroatët, sllovenët, boshnjakët dhe malazezët”, të cilët angazhoheshin për një republikë federale jugosllave, por nuk e ndiqnin politikën imperialiste të Beogradit.

Weigand u bënte thirrje fuqive të mëdha që të tregonin respekt për popujt e Maqedonisë, që atyre t’u njihej e drejta e vetëvendosjes dhe të dënohej presioni serb e grek. Krijimi i “Zvicrës së katër kombeve”, siç e quante, do të mundësonte paqen, përparimin, lirinë kulturore dhe ekonomike të popujve të Maqedonisë. Viset në veri të Malit Sharr, sipas tij, ishin jashtë Maqedonisë dhe rajoni “me të drejtë prirej drejt Shqipërisë”, ku shqiptarët ishin shumicë. Një Maqedoni autonome, sipas tij, do të ishte zgjidhja më e mirë për evitimin e kryengritjeve të përhershme dhe të përgjakshme.

Gustav Weigand, ishte njohës i gjuhës shqipe dhe autor librash nga gjuhësia dhe etnografia ballkanike. Më 1925 e themeloi një seminar shqiptar (Albanische Seminar) pranë Universitetit të Lajpcigut. Artikulli i tij: “A janë shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të trakëve?”, i botuar më 1927, u kundërshtua nga Norbert Jokli dhe Eqrem Çabej. Përkundër kësaj qasje të gabuar, atij nuk mund t’i mohohet kontributi për kulturën shqiptare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button