Dibër, 8 muaj pas zgjedhjeve pjesëtarët e këshillave zgjedhor ende s’kanë marrë para, Lata premton për Bajram

270 pjesëtarë të Këshillave Zgjedhor të Komunës së Dibrës, ende nuk i kanë marrë kompensimet financiare për angazhimin e tyre në zgjedhjet lokale të 15 tetorit të vitit të kaluar. Paratë është dashur t’ua lëshojë Komuna e Dibrës, megjithatë sipas tyre kanë pasur mungesë të financave, shkruan Portalb.mk.

“Kanë kaluar 8 muaj që nga zgjedhjet lokale dhe ne ende s’i kemi marrë paratë nga angazhimi jonë në Këshillat Zgjedhor të Komunës së Dibrës. Neglizhencë totale nga autoritetet”, thonë për Portalb.mk disa anëtarë të këshillave zgjedhor Dibër që nuk ende nuk kanë marrë kompensimet.

Kryetarja e Komisionit Zgjedhor Komunal, Elmira Bakalli shpjegon situatën për Portalb.mk, duke thënë që ajo si kryetare e komisionit ka kërkuar nga Komuna, por ata për shkak të mungesës së mjeteve i kanë lëshuar vetëm gjysmën e të hollave, ndërkaq të tjerat do t’i lëshojmë më pas.

“Kemi kërkuar nga komuna, por na kanë thënë se na duhet pak kohë për shkak të mjeteve financiare, duhet të presim pak – pra kanë mungesë të mjeteve financiare. Asnjë vendvotim në Dibër nuk ka marrë para. Kryesia e Komisionit Zgjedhor Komunal (KZK) ka marrë para, por të tjerët jo. Anëtarët e Kryesisë kanë marrë një rrogë mesatare dhe lartësia e saj shkon sipas vendvotimeve. Radhën e kaluar i pagoi KSHZ-ja të gjitha mjetet, e kësaj radhe pse ishin lokale duhej t’i paguante komuna dhe ne kur e bëmë kërkesën, komuna na tha se do t’u transferojmë një pjesë të të hollave, pastaj pjesën tjetër më vonë. Ne menduam që nëse i lëshojmë te gjysma, gjysma tjetër do të revoltohej. Pra një herë i kemi paguar kompensimet e Kryesisë pasi që ka punuar 6 muaj, kjo nuk vareshe prej nesh pasi që aq kishim buxhet për të paguar”, thotë Bakalli.

Portalb.mk, ka kontaktuar me kryetarin e Dibrës, Ruzhdi Lata, i cili e konfirmoi se ka mangësi të mjeteve financiare, për atë nuk u është paguar angazhimi, megjithatë premtoi se deri për festën e Bajramit do t’u paguhen.

“Problemi është te paratë, nuk ka para. Pjesërisht i kanë marrë, pjesërisht jo, megjithatë për Bajram të gjithë do t’i marrin”, tha shkurt për Portalb.mk, Lata.

Ndryshe, sipas rregullores, 27 kryetarët e vendovitmeve duhet të marrin nga 3.000 denarë për rrethin e parë dhe 20% nga shuma në rrethin e dytë, gjegjësisht 600 denarë, apo gjithsej nga 3.600 denarë. Zëvendëskryetarët nga 2.500 denarë, plus 20% të shumës apo 500 denarë, pra gjithsej 3.000 denarë, ndërkaq anëtarët dhe zëvendës anëtarët nga 2.000 denarë plus 20% të shumës apo 400 denarë, gjegjësisht 2.400 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button