Raporti i DASH mbi liritë fetare: Shqipëria njeh barazi e pavarësi fetare

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi këtë të martë raportin vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë. Raporti përfshin të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore, e dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

Në kapituj të veçantë të këtij raporti analizohet edhe liria e besimit në Shqipëri, ku theksohen probleme të ngjashme me të kaluarën.

Raporti nënvizon se Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.

Qeveria, thuhet mes tjerash në raport, ka legalizuar 41 xhami gjatë vitit, krahasuar më 137 një vit më parë, 6 në vitin 2015 dhe asnjë në vitin 2014.

Grupet fetare raportuan se Agjencia për Trajtimin e Pronave (ATP) nuk ka përpunuar asnjë kërkesë për kthimin e pronave të konfiskuara gjatë periudhës së komunizmit dhe ka miratuar vetëm një kërkesë për kompensim. ATP-ja tha se qindra kërkesa janë në pritje të ndryshimit të ligjit të pronës, përpara se ato të zgjidhen.

Presidenti Ilir Meta i dha shtetësinë Arkipeshkvit të Kishës Autoqefale Ortodokse, Anastas, duke thënë se, “ai e kishte ripërtërirë kishën pas komunizmit”. E ndërsa vendimi i tij u mirëprit nga autoritetet greke, ai nxiti reagime të përziera politike në Shqipëri.

Në raport thuhet se ndërmjet janarit e majit, qeveria trajnoi 29 mësues në 15 shkolla, si pjesë e një projekti provues arsimor për të ndihmuar parandalimin e radikalizmit dhe për të nxitur tolerancën fetare. Megjithatë, zbatimi i plotë i programit ngeci në muajin maj dhe e ardhmja e tij është e paqartë.

Këshilli Ndërfetar, një forum i udhëheqësve fetar të vendit për të diskutuar shqetësimet e përbashkëta, është mbledhur tri herë, ndryshe nga një vit më parë kur nuk u mblodh fare. Komuniteti Mysliman në Shqipëri është kritikuar në mediet sociale për “një fyerje të perceptuar” ndaj Gjergj Kastrioti Skënderbeut, heroit kombëtar mesjetar të shqiptarëve me rastin e kremtimeve për festën e Bajramit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button