Ambasadori Bejli: Parlamentet dhe deputetët do të duhet të jenë shembull i lidershipit (VIDEO)

Kuvendi i Maqedonisë në bashkëpunim me “House Democracy Partnership” i kongresit amerikan, organizon konferencën ndërkombëtare “Ndërtimi i Parlamenteve moderne, profesionale dhe përfaqësuese”, në të cilën deputetë dhe përfaqësues të Parlamenteve nga Maqedonia, Kosova, Skocia, Gjeorgjia, Kirgistani dhe Sri Lanka do të debatojnë mbi risitë dhe sfidat drejt krijimit të Parlamenteve moderne dhe gjithëpërfshirëse, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, në fjalimin hyrës, nënvizoi se demokracia parlamentare është e re në Maqedoninë, vetëm 27 vjeçe, megjithatë me një trend të zhvillimit.

Parlamentet, tha Xhaferi, janë institucionet mbi të cilat ndërtohen dhe zhvillohen shoqëritë demokratike, në të cilat të drejtat dhe liritë e njeriut janë parimi madhor. Ai shtoi se Parlamenti me funksionin e vet legjislativ dhe mbikëqyrës, është themeli mbi të cilin ndërtohet dhe zvillohet shteti demokratik dhe institucionet funksionale me sundim të të drejtës.

“Në këto 27 vite parlamentarizëm jam i bindur se e mësuam leksionin se Parlamenti funksional dhe demokracia efikase parlamentare nuk mund të ndërtohet pa bashkëpunim të strukturuar gjerë, dhe pa bashkëpunim cilësor me sektorin joqeveritar. Sektori joqeveritar mund të mobilizojë numër shumë më të madh të qytetarëve të cilët dëshirojnë të marrin pjesë aktive në krijimin e politikave dhe programeve të përgjegjshme shoqërore”, tha Xhaferi, sipas të cilit bashkëpunimi me sektorin joqeveritar është një përcaktim strategjik i Parlamentit.

Në hapje të konferencës, foli edhe ambasadori amerikan, Jess Baily, i cili tha se SHBA-të besojnë se këmbimi i ideve dhe bashkëpunimi mes deputetëve krijojnë lidhje të reja të cilat mund të ndihmojnë në përforcimin e institucioneve.

Nga këtu, tha Baily, temat në të cilat do të vendoset theksi në këtë konferencë janë qeveri e hapur, llogaridhënie dhe transparencë, sepse siç tha, Parlamentet luajnë një rol të rëndësishëm në vendosjen e rregullave të cilat detyrojnë institucionet dhe zyrtarët të jenë transparent dhe llogaridhënës.

“Parlamentet dhe deputetët do të duhet të jenë shembull i lidershipit duke promovuar dialog për politika transparente, që do të inspirojë qytetarët të këmbëngulin për një qeveri e cila do të jetë e hapur, inkluzive dhe llogaridhënëse. Fatkeqësisht, kur punët nuk shkojnë mirë, qytetarët kanë vetëm një përgjigje, ‘kështu është te ne’, dhe pikërisht kjo është ajo që duhet eliminuar, që tek qytetari të krijohet sensi i mundësive”, tha Baily.

Në konferencën dyditore ka disa sesione, temat e të cilave përfshijnë: Ndërtim i sinqeritetit: Partneritet i hapur qeveritar dhe HDP, punë me partnerët për zhvillim parlamentar, ndërtim i transparencës. Si të përforcohen marrëdhëniet ndërmjet parlamenteve dhe organizatave të shoqërive civile, Shmangie të hendekut përfshirës, Risi dhe sfida në krijimin e parlamenteve moderne dhe gjithëpërfshirëse: Shembulli i Kosovës, RM: Zgjidhje legjislative për ndërtimin e besimit me opinionin, Ndërtimin e transparencës përmes komunikimit dhe informimit të qytetarëve, Risi dhe sfida në krijimin e parlamenteve moderne dhe gjithëpërfshirëse: Shembuj nga Kirgistani dhe Sri Lanka, Modernizimi i institucioneve përmes hulumtimeve dhe trajnimeve të përforcuara parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button