SHIJA E HIDHËT

Fshatarët me mend janë nëpër ara, por jo edhe me trup. Mendtë i kanë në perëndim. Si të shkojnë në Gjermani, Zvicër, Suedi, Norvegji e Danimarkë. Me letra o pa letra, me konorëzime fiktive o pa to. Kryesorja të braktiset fshati, të lihet djerrë fusha. S’kemi ç’të bëjmë aty. Nuk i nxjerrim dot as shpenzimet. Për fitime nuk bëhet fjalë. A për ideal të rrimë pa bukë?

Klasë punëtore nuk ka, sepse nuk ka infrastrukturë dhe ngase nuk respektohen ligjet për mbrojtjen e punëtorëve. Prandaj nuk funksionojnë as sindikatat, të cilat figurojnë se janë, mirëpo janë në shërbim të punëdhënësve, jo të punëtorëve.

Pranë bujqve e punëtorëve politikanët rrinë duke aktruar të brengosurin. Do ta ndihmojmë bujëqsinë, do t’i ndihmojmë punëtorët, thonë, në mbledhjet e gjata të kuvendit e gjetiu nëpër institucione. Dhe, premtojnë fusha e male, por nuk  hyjnë në sallë kur sillen ligjet që duhet të hapin shtigje për zhvillimin e bujqësisë dhe për respektimin e avancimin e të drejtave të punëtorëve. Gjithçka mbetet në kohën e ardhme. Nëpër ndenja njerëzit e politikës shpeshherë fshatarët dhe punëtorët i cilësojnë si grigjë.”Për respekt” ngase e marrin votën prej tyre.

Policia gjatë kohë po marshon nëpër tranzicion nëpër të cilin duhet të kalohet nga milicia popullore në polici moderne. Të gjithë aktrojnë seriozitet, por kështu janë neglizhentë.  S’u bëhet vonë fare për shkeljen e ligjeve, as për krimet e rënda që ndodhin.

Njëra parti e madhe organizon vizita të manastireve, partia tjetër organizon iftare nëpër restorante.  Muzika që i shoqëron në të dy rastet është tallava. Në këto organizime kurrë nuk fkujtohen të papunët dhe nevojtarët. Këta i kanë lënë në mëshirën e shoqatave humanitare.

Tregtarët, biznesmenët, dyqanxhinjtë i vizitojnë kishat e xhamitë, mirëpo nuk i paguajnë tatime shtetit. Dhe, nuk japin asnjë kacidhe për kulturën.  As vitra japin, as sadaka. Për të therur kurbanë, aty i ke. Mirëpo mishin nuk e shpërndajnë ndër të varfër, ashtu si e lypin rregullat. Shumica s’e kanë dert për fytyrën. Të kujdesen për fytyrën – këtë detyrë ua lënë punëtorëve të arsimit, të mjeksësisë dhe të kulturës.

Mësuesëve, mjekëve, shkrimtarëve, piktorëve, u ka mbetur barra  ligjore. Ta mbajnë me shëndet. Këta duhet të paguajnë tatime nëse kanë punuar për ndonjë honorar prej njëqind a dyqind eurosh, nëse kanë realizuar ndonjë projekt të vogël që ndihmohet materialisht nga shoqatat dhe fondacionet joqeveritare. Këtë kategori  e arrin gjithmonë dora e gjatë e ligjit. Patjetër. Me përjashtim të esnafit të këngëtarëve me nota arabe, turke, serbe, bullgare etj. dhe të të  gjithë atyre që bëjnë muzikë tallava. Kjo kuptohet. Këta këngëtarë e muzikantë mbahen për artistë dhe janë të privilegjuar.

Violinistë, pianistë, solo këngëtarë të muzikës serioze o presin punë vite e vite o ia kanë mbathur jashtë ku bëjnë karrierë. Ndonjëri detyrohet të punojë si kamerier, si shitës, pa sigurim shëndetësor, pa stazh dhe pa të ardhme.

Nuk duket në horizont as e ardhmja e fëmijëve.  Çerdhe nuk ka. Shkollat po rrënohen. Po cilësia e arsimit? Mos pyet hallin. Çdo vjet dalin me shumicë analfabetë me diploma fakultetesh. Me siguri gjen raste ku profesori i gjuhës shqipe nuk e dallon emrin prej foljes. Se për të lexuar, nuk kanë lexuar e as që i lexojnë, së paku, ata libra të cilat janë paraparë me plan e program për mësim. Ke mjaft doktorë shkencash që janë bërë me këtët titull në saje të “meritave” partiake.

Nëpër spitale personeli arnohet me krevatët që janë blerë para dhjeta e dhjeta vjetësh, aparatura për ndërhyrje dhe për diagnostifikim është vjetruar. Nuk ka pizhame për pacientët, nuk ndërrohen çarçafët, ushqimi është i dobët. Ka raste kur bubrrecat ecin lirisht korridoreve të spitaleve. Personel teknik e për mbajtjen e higjienës nuk ka.

Kaptinë më vete janë përmbaruesit dhe kamatat. Flitet për një njeri i cili i paska pasur një borxh prej një dinari shtetit. Meqë nuk e paska paguar ku ta di se sa kohë, përmbaruesit i kanë marrë dyqind euro.

Si kurorë, Bit Pazari mbetet si mur para Teatrit shqiptar, para xhamisë dhe para çarshisë. Nuk kemi ku e çojmë, thonë.

Mbetet edhe kaosi në komunikacion gjithkund.

Edhe fërkimet në baza partiake, etnike, religjioze…

Edhe shija e hidhët e gjithë kësaj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button