Deklarata e Klopp për Ramos “je kanceri i futbollit”, lajm i rrejshëm
Deklarata kinse e trajnerit të Liverpoolit, Jurgen Klopp “I dashur Ramos, ndoshta për tifozët e skuadrës tënde mund të jesh hero, por për ata që e duan futbollin në gjithë botën je një kancer për këtë sport”, është lajm i rrejshëm pasi që ai askund në deklaratë apo në profilet e tij nuk e thotë këtë gjë. Aq më pak përmes një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”.
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, në fakt e ka krahasuar me mundje ndërhyrjen e Sergio Ramosit ndaj Mohamed Salahut, e cila e lëndoi yllin egjiptian në finale të Ligës së Kampionëve.
Salah u detyrua ta lërë fushën i përlotur pas vetëm gjysmë ore lojë në humbjen e Liverpoolit 3-1 ndaj Real Madridit të shtunën në mbrëmje në Kiev, pasi e dëmtoi krahun pas një dueli me Sergio Ramosin.
“Urime Real Madridit. E di se nëse them diçka të tillë pas humbjes, do të tingëllojë si humbës i keq, por për mua ka qenë ndërhyrje e ashpër”, ka thënë Klopp.
“Ishte sikur mundje dhe Mo qe i pafat që ra në kraharor”, tha ai mes tjerash.
Nga ana tjetër, Ramos i ka uruar shërim të shpejtë Sallahut.
“Nganjëherë futbolli ju tregon fytyrën më të ëmbël por edhe anën tjetër që është e hidhur. Para se gjithash ne jemi shokë. Shërim të menjëhershëm Salah, e ardhmja të pret”, ka shkruar Ramos në Twitter.
El fútbol te enseña la cara más dulce a veces y la más amarga otras. Ante todo somos compañeros. Pronta recuperación, Salah. El futuro te espera.||Sometimes football shows you it’s good side and other times the bad. Above all, we are fellow pros. #GetWellSoon @MoSalah
— Sergio Ramos (@SergioRamos) May 27, 2018