Dimitrov në vizitë zyrtare nesër në Bruksel, në fokus çështja e emrit

Shefi i diplomacisë së  Maqedonisë, Nikola Dimitrov do të realizojë një vizitë pune në Bruksel më 28 dhe 29 maj.

Ai më 28 maj do të marrë pjesë në një mëngjes pune me ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të organizuar në kuadër të kryesisë bullgare të Këshillit të BE-së dhe presidencës së ardhshme austriake në prag të Këshillit të Punëve të Jashtme e BE-së. Diskutimet do të përqendrohen në proceset eurointegruese të Republikës së Maqedonisë, në zbatimin e agjendës së reformës së Qeverisë, si dhe në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Më 29 maj Dimitrov do të mbajë një fjalim në Bruksel në Qendrën e Politikave Evropiane në temën: “Mosmarrëveshja për emrin, një test për zgjerimin e BE-së në Ballkan”.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri Nikola Dimitrov do të takohet me përfaqësues nga institucionet e BE dhe disa ministra të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.

Ndryshe, Ministrat e punëve të jashtme të BE-së, nesër do të takohen për këshillin e rregullt ministror, disa java para samitit të qershorit, në të cilin do të vendoset për propozimin e Komisionit Evropian për fillimin e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Përfaqësuesja e lartë për punë të jashtme në BE, Federika Mogerini do të bëjë brifing me ministrat e 28 vendeve anëtare ne procesin e bisedimeve, ndërsa dy ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë do të vazhdojnë bisedimet për çështjen e emrit në Bruksel, pas raundit të Nju Jorkut.

Ndërkaq disa nga vendet e Bashkimit Evropian kanë dërguar shkresë deri te Këshilli nëpërmjet së cilës kërkojnë që Maqedonisë dhe Shqipërisë t’u jepet datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE eventualisht në pranverën e vitit të ardhshëm, mëson “Makfax”, njofton Portalb.mk.

Dokumenti qarkullon në mesin e shteteve që janë kundër fillimit të negociatave në qershor, edhe pse eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han, e ka theksuar këtë muaj si datë për fillimin e negociatave.

Për obstruksionet e disa vendeve të BE-së për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, kryeministri Zoran Zaev, në duelin televiziv hapur tha se nuk ka mbështetje nga Holanda dhe Franca.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button