FIFA pret që himni me zërin e Era Istrefit të bashkojë tifozët (VIDEO)

Kosova e Shqipëria nuk do të jenë pjesë e botërorit të futbollit “Rusia 2018”, por prani shqiptare gjithsesi do të ketë gjatë ngjarjes së madhe sportive që mbahet prej 14 qershor deri më 15 korrik.

Pos futbollistëve shqiptarë që luajnë në përfaqësuese të tjera, Kosova e Shqipëria do të jenë pjesë e pandashme e botërorit edhe falë këngës zyrtare të botërorit, përkatësisht himnit të tij. Ai këndohet nga Nicky Jam në bashkëpunim me Will Smith dhe këngëtaren e njohur kosovare, Era Istrefi, shkruan sot Koha Ditore.

FIFA të premten ka bërë publik versionin “audio” të këngës. “Live It Up” quhet kënga, që sipas FIFA-s do të ndihmojë që të definohet botërori i futbollit “Rusia 2018”. Himni zyrtar është prodhuar nga DJ dhe autori i këngëve, Diplo, dhe pason “Waka Waka” të Shakiras, që ishte kënga zyrtare e botërorit të vitit 2010 dhe atë “We Are One (Ole Ola)” e Pitbull, që ishte kënga zyrtare e botërorit të kaluar.

“Kënga premton të mbushë stadiumet përreth Rusisë me atmosferë të gjallë dhe të bëjë tifozët e bashkuar”, ka shkruar FIFA në njoftimin për publikimin e këngës.

Kënga zyrtare e botërorit do të interpretohet para finales së 15 korrikut në stadiumin “Luzhniki” për të ngrohur 80 mijë tifozët në këtë stadium në Moskë dhe rreth një miliard njerëzit që do ta përcjellin finalen përmes televizorëve. Videospoti i këngës zyrtare do të bëhet publik më 7 qershor, ka njoftuar FIFA.

Tradita e këngës zyrtare të botërorit ka nisur prej vitit 1966. Prej atëherë kënga zyrtare është bërë gjithnjë e më e rëndësishme. Zakonisht ajo shndërrohet në një hit.

“Të jem pjesë e këngës zyrtare të Botërorit të FIFA-s është një përvojë e pabesueshme dhe shumë emocionuese. Të punoj përkrah artistëve të talentuar si Diplo, Will Smith dhe Nicky Jam, për të cilët kam admirim të madh, ishte e shkëlqyeshme dhe shumë argëtuese. Unë jam fanse e madhe e futbollit po ashtu dhe mezi po pres që Kupa Botërore të nisë”, ka thënë Era Istrefi për sajtin e FIFA-s.

Me Erën, që po pushton skenat e muzikës gjithnjë e më shumë, Kosova ka rritur praninë në futbollin ndërkombëtar përmes artisteve, përkatësisht këngëtareve të saj. Dua Lipa do të performojë para finales së Ligës së Kampionëve të shtunën (sot), ndërsa Rita Ora i është bashkuar një iniciative të UEFA-s për të afruar sa më shumë femra në futboll.

Skena e madhe e futbollit botëror ende duket e largët për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Kosova u paraqit në kualifikime për “Rusia 2018”, por përfundoi e fundit në grup. Kosova dhe shqiptarët do të kenë praninë e tyre në botëror edhe përmes futbollistëve shqiptarë të përfaqësueseve të tjera. Disa shqiptarë do të luajnë për Zvicrën, ndërsa ka gjasë që shqiptarë të ketë edhe te Belgjika e Danimarka.

Paraqitja në finale, në stadiumin Luzhniki, do të ishte sukses i jashtëzakonshëm për ndonjë futbollist shqiptar. Atë skenë të madhe do ta “pushtojë” Era, pak para se të nisë finalja e ngjarjes më të madhe të sportit më të madh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP