DERVISH CARA I HARRUAR

Gati të gjithë ata që e kanë lexuar veprën e Aleksandër Matkovskit “Kryengritja e Dervish Carës”, më kanë pyetur përse e kam përkthyer nga e para, pas botimit në edicionin e “Flakës…” në vitin 1985. Për ta sqaruar këtë, për t’i njoftuar ata që nuk kanë pasur rastin ta lexojnë librin me përmasat/ peshën e kryengritjes në fjalë, veçmas për të qenë korrekt me vetveten dhe me lexuesit e mi, po e bëj këtë shkrim, duke u shërbyer dhe me ca pjesë të parathënies së veprës së përkthyer.

Veprën e Matkovskit, fillimisht e përktheu në shqip Lutfi Rusi, në një kohë kur Maqedonia u kaplua nga ethet e shovinizmit serb dhe u bë poligon i  një lufteje të pistë speciale. S’do mend se botimi në kësi rrethanash i librit që flet për kryengritjen antiosmane me shtrirje shumë të gjerë gjeografike, por, kush e di përse, të harruar e të lënë anësh nga studiuesit sllavë dhe shqiptarë, ishte më shumë se trimëri. Aq më tepër kur dihet se studimi i A. Matkovskit, për shkak të lëndës së ndjeshme (hedhjes dritë mbi një kryengritje të bërë nga shqiptarët pikërisht në hapësirat ku jetojmë edhe sot, mbi një kryengritje gjithsesi më të vjetër dhe të pakrahasueshme me cilëndo përpëlitje liridashëse të sllavëve të Ballkanit), nuk kishte mundur të botohet paraprakisht në maqedonishte, në gjuhën në të cilën u shkruajt. Së këndejmi, mund të merren me mend problemet me të cilat është ballafaquar përkthyesi i veprës Lutfi Rusi, që gjithsesi përndjehen në botimin e parë të saj.

Po japim pra sqarimet e premtuara më lart:

  • Përkthimi i parë i veprës është bërë vetëm disa vite pas standardizimit të shqipes, në mos dhe përpara kësaj kohe, ndaj cilësia e përkthimit lë për të dëshiruar.
  • Për shkak të histerisë që synonte disiplinimin e shqiptarëve, L. Rusi u detyrua ta shkurtojë veprën në pika të rëndësishme, duke ia dalur megjithatë të hedhë dritë të mjaftueshme mbi betejën e organizuar pikërisht nga shqiptarët e këtyre trojeve, për të cilët, në kohën e botimit të parë të veprës, ulërinin mediet sllave, duke na prezantuar si popull uzurpues të tokave që paskëshin qenë të tyre!? Pra: përkthyesi u detyrua ta shkurtojë veprën për shkak se kryengritja e shtrirë nga Dibra gjer në Vrajë nuk mund t’u përshkruhej “ardhacakëve”, të paraparë për dëbim dhe zhveshje nga tiparet identitare.
  • Rrethanat e detyruan përkthyesin të autocensurohet, duke e dëmtuar monografinë dhe duke e bërë të pareferueshme. Bie fjala, në vend të termit çlirim, ai përdori termin pushtim. Kështu, në vend të titujve: Çlirimi i Tetovës, i Shkupit, i Prishtinës, i Vrajës…, ai përdorui titujt: Pushtimi i Tetovës, i Shkupit, i Prishtinës, i Vrajës…, gjë që e zbriti librin në gjysëmlibër që përcjell gjysëmtëvërteta…
  • Përveç faktit se L. Rusi la pa përkthyer disa pjesë të dorëshkrimit origjinal të Matkovskit, ai dhe shtoi vetë disa pjesë të shkurta, me gjasë për të plotësuar të dhënat që lidhen me shqiptarët dhe trojet e tyre.
  • Në dorëshkrimin origjinal edhe autori i veprës është detyruar të ngatërrojë e të mjegullojë disa gjëra, duke e ndërlidhur realitetet e kohës së shkrimit të studimit me ato të kohës së kryengritjes së madhe shqiptare. Kështu, në pamundësi për ta thënë të vërtetën për mospjesëmarrjen e sllavëve në këtë kryengritje, ai e zbut këtë me gjoja pjesëmarrjen masive të torbeshëve në të, të cilët i quan maqedonas myslimanë.
  • Për të njajtat shkaqe (rrethanat e kohës…) historiani me nam A. Matkovski bëri dhe ca kompromise me të vërtetat historike, sepse, përveç përmendjes së raporteve të konsujve të huaj (anglezë, francezë, rusë…, të cilët u raportonin qendrave të tyre për rrjedhën e kryengritjes së Dervish Carës), detyrohet aty-këtu të citojë dhe deklarata krejtësisht të paverifikuara pleqsh dhe plakash të krishtera, që flasin për krime monstruoze të shqiptarëve të rebeluar, të cilët i paskan djegur sllavët në mes të fshatrave dhe i paskan detyruar të islamizohen!?
  • Autori detyrohet të citojë edhe deklarata tendencioze dhe të paverifikuara të priftërinjve serbë, sipas të cilave kryengritësit vetëm në manastirin e Deçanit në Kosovë vranë dhjetëra kallogjerë e priftërinj të pafajshëm ortodoksë. Natyrisht, në pamundësi për ta tjerrë gjer në fund të vërtetën, Matkovski e hesht të dhënën se disa priftërinj serbë u vranë vërtet, por kjo ndodhi për shkak se ata ishin në anën e osmanëve dhe u lejuan atyre të vendosin artilerinë brenda oborrit të manastirit.
  • Droja e Matkovskit për ta shkruar të vërtetën e plotë rreth kryengritjes së Dervish Carës përndjehet edhe në pjesën e fundit e studimit “Kryengritja në folklorin e Ballkanit”, ku i vendosi në të njëjtën shkallë meritat e popullsisë sllave me ato shqiptare, duke bërë një mini-studim mbi këngët popullore sllave kushtuar kryengritjes së Dervish Carës. Sipas të gjitha gjasave këtë e bëri vetëm për të hequr qafe censorët e idiotëzuar të sistemit monist dhe për të mundur ta botojë veprë e diskutabile për zhdanovët e kuq.

Këto pra janë shkaqet që më shtynë ta ripërkthej veprën “Kryengrtja e Dervish Carës” të shkencëtarit të parë serioz në Maqedoni që, në mënyrë boll korrekte, zbardhi betejën e madhe antiosmane të shqiptarëve. Meritat e tij dalin edhe më shumë në pah kur të kihet parasysh e dhëna se ai si joshqiptar guxoi të shkruajë me respekt për një ngjarje të lavdishme historike të shqiptarëve.

Ndërkaq, meritat e përkthyesit të parë të veprës në shqip Lutfi Rusit, janë ndoshta edhe më të mëdha, sepse libri doli në dritë në njërën prej stinëve më antishqiptare, kur qenia jonë ishte rrëgjuar në heshtjen dhe pritjen e frikshme të asaj që do të sillte e nesërmja. Këtë meritë të madhe nuk e zbehin me asgjë të vetme lëshimet e sipërpërmendura, sepse ngjarjet duhet parë me syrin e kohëve konkrete, sepse botimi i parë shqip i kësaj vepre madhore bën pjesë ndër aktet më të guximshme të një plejade të tërë njerëzish të ndjekur këmba-këmbës nga mizëria e zagarëve të sistemit. Shi për këtë, e them botërisht se përkulem përpara këtij guximi.

Pëndryshe, akti i daljes në dritë të kësaj vepreje, në një kohë kur askush nuk dinte gjë për kryengritjen madhështore që kishte ndodhur mes nesh dhe nga njerëzit tanë; akti i përkthimit/ botimit të studimit që vin të shpërfaqë përpjekjen e madhe çlirimtare të shqiptarëve, të ndodhur pikërisht gjatë viteve kur, sipas armiqve tanë, ne na paskan sjellur pushtuesit në këto vise, nëse hiq tjetër, qe përgjigjja më shtanguese për albanofobët dhe shkencëtarët mjeranë, të cilët duhet ta kuptojnë se kryengritja, që mobilizoi në total mbi 100.000 burra dhe zgjati më shumë se 3 vjet (1844-1847), nuk ka mundur të organizohej nga një popullatë ardhacake dhe e pakonsoliduar sa duhet brenda një hapësire gjeografike. Botimi i parë këtij libri është nokdaun vetëdijesues për të gjithë ata që shkumojnë post festum për idilat ndërmjet pushtuesit dhe të pushtuarit, padronit dhe hizmeqarit, shtypësit dhe robit…, të cilët duhet ta kuptojnë se me injorancën e tyre, në fakt pështyjnë inteligjencën dhe gjakun e stërgjyshërve krenarë që nuk i duruan nëpërkëmbjet e dinjitetit… Akti në fjalë është njëkohësisht dhe qortimi më dashamirës dhe më dobiprurës për shkencëtarët tanë, të cilët, në vend të humbjes së energjive me spekulimet e të tjerëve, në vend të bërjes së karrierës me llafe dhe me të vërteta triviale, duhet të gjurmojnë arkivave të vërtetat historike të shqiptarëve të këtyre trevave, me çka do të mbyllej kapitulli i poshtërimeve dhe mohimeve të vazhdueshme të bëra mbi kurrizin e etnisë sonë fatkeqe.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button