Zgjidhja është në prag

Një njeri me vegla zdrukthëtari kishte trokit në derën e një fermeri, duke shpresuar ndonjë punë. “Sigurisht se për ti ka punë,” – i kishte thënë fermeri dhe kishte vazhduar – “me vëllain tim përtej përroit nuk durohemi dot aspak, madje urrehemi aq shumë, sa që doja ta ndërtosh një mburojë të lartë përgjatë përroit, që mos t’ia shoh sytë”. “E kam të qartë”-  kishte shtuar zdrukthëtari dhe ia kishte filluar punës.

Pronari kishte shkuar në qytet dhe ishte kthyer pasdite vonë. Ishte habit kur kishte pa një urë të mrekullueshme mbi përroin, ndërkaq në mes e priste krahë hapur vëllai i tij më i vogël me fjalët – faleminderit vëlla që e bëre urën. Të përlotur të dy u përqafuan fort.

Te ne përgjatë viteve u shembën ura etnike, partiake, fetare, fqinjësore. U bë normale të mendohet se urat shërbejnë për t’u shembur e jo për të afruar. Gjurmë të thella edhe sot e kësaj dite ekzistojnë në nënvetëdijen tonë, edhe pse fillojmë ngadalë të shërohemi nga kjo. Këto ditë, për së pari herë ndodhi që zyrtarisht  t’ia shtrijnë dorën njëri tjetrit përfaqësuesit legjitim të të dy shteteve Zaev dhe Cipras. Shtetet e tyre për 25 vjet radhazi kishin ndërtuar mburoja, duke e ngritur mosmarrëveshjen për emrin në nivel të jetës apo vdekjes.

Qeveria e kaluar me vetëdije minoi negociatat, duke i hedhur karburant cilësor trenit nacionalist grek. E gjithë bota që ishte me ne, u kthye kundër nesh. U pa se lakmia ndaj parave është një sëmundje e tmerrshme, ngase nga ajo nuk vuajnë vetëm i sëmuri, por edhe gjithë të tjerët. Dhe tani çfarëdo që të bëhet me vullnetin më të mirë, menjëherë do të përballet me shpirtrat e këqij në Athinë. Buzëqeshja e ëmbël e Ciprasit shumë shpejtë u bë e thartë, kur mbi të u hodh një cisternë plotë me thartirë. Micotakis në mënyrë arrogante e kundërshtoi propozimin, dhe pastaj të gjithë të tjerët në kor, se ai do të inkurajonte irredentizmin.

Ka ende shumë grekë të cilët gjenetikën e tyre e kërkojnë madje para shfaqjes së amebave. Dhe shumë prej tyre vazhdojnë të mendojnë se UE dhe NATO duhet t’u shërbejnë vetëm si kullota për “kalin e tyre të Trojës”. Ata që 25 vjetë provokojnë stabilitetin rajonal dhe akoma nga Perëndimi kjo gjë tolerohet. Greqia i ngjason si një grua jobesnike që ushqehet nga Perëndimi, ndërkaq flirton me Lindjen. Por, ky është realiteti me të cilin do të duhet të përballemi, ashtu si me një pjesë të publikut të brendshëm, i cili mendon se raca njerëzore ka lindur nga paraardhësit e tyre!

Në qarqe të veçanta, mendohet se linku rus prishi marrëveshjen e propozuar. Dihet se Kamenos si ministër i mbrojtjes, në vazhdimësi, në kundërshtimet Perëndim-Lindje, publikisht qëndronte pas Putinit. I pyetur nga një gazetar i “TV Mega” greke, se si mund të jetë ashtu kur Greqia është anëtare e NATO-s?

Kamenos u përgjigj se ai ishte “në anën e së vërtetës”. Për të, e vërteta ruse ishte e vërteta absolute. Prestigjiozja amerikane “Politico Magazine” kohë më pare ka potencuar shumë fakte në lidhje me lojën e ndyrë në marrëdhëniet Greqi – Perëndim, për të krijuar përçarje në marrëdhëniet përbrenda UE-së dhe NATO-s. Megjithatë, gjatë viteve që kaluan, grekët sikur kuptuan se qëllimet e Rusisë ishin vetëm interesat e saj – t’i hiqen sanksionet, të legalizohet Krimeja,  dhe të ketë qasje në detërat jugore. Kurse për Grekët të mbetet vetëm hamallëku. Edhe pse Greqia me vite të tëra e shkel të ashtuquajturën “Solidaritet Transatlantik”, ajo nuk përfitoi asgjë nga ajo. Përkundrazi, pësoi humbje të madhe. Një analizë e gjerë nga prestigjiozja “The national Interest” tregon se publiku grek shpejtë është  vetëdijesuar nga sjellja e gabuar e udhëheqësve të saj.

Ajo është vetëdijesuar se nga Putini mund tu mbetet vetëm samari. Andaj, kthimi kah normaliteti u është bërë imperativ. Micotakis, si hallka e fundit e rezistencës ndaj pranimit të zgjidhjes së negociuar më parë, jo aq gjatë do të mund të përballojë presionin perëndimor. Ai ndoshta si një kryeministër potencial i ardhshëm dëshiron të bëjë pazar të mirë me Perëndimin, veçanërisht për financat. Por, sido që të jetë, nuk ka më ikje. Ajo që Zaev guximshëm  veproi,  gjë e cila dikujt mund t’i duket veprim kaskader, pikërisht në një moment shumë të nevojshëm, dukshëm ka forcuar pozicionet negociuese. Gjegjësisht, Greqia përsëri mbeti pala fajtore. Tani pritet që gjithë presioni i fuqishëm të drejtohet drejt saj.

Opozitë e marrë!

Por, le t’u kthehemi putinistëve tanë, goja e të cilëve u ulërin, kurse forca u pëshpërit. Ishte mjaft e çuditshme deklarata e kreut të opozitës i cili tha se akoma mbetet në qëndrimin e njëjtë – nuk ka ndryshime kushtetuese për ndryshimin e  emrit. Interesante, edhe përskaj rrufesë në qiell të kthjellët, te ata gjithçka mbetet është ashtu siç ishte. Nëse nuk kanë mund të gjenin argumente më bindëse, të paktën të ishin më pak qesharake. Kjo që ata thonë – nuk është rrugë, por udhëkryq apo rrethrrotullim.

Anëtarësimi në UE automatikisht nënkupton ndryshime kushtetuese. Ashtu që askush që ka njohuri elementare nga alfabeti politik nuk do të mund ta kuptojë atë qëndrim. Ajo tregon se udhëheqja e tashme e VMRO-s është nën kontrollin e plotë të udhëheqjes së mëparshme, e cila ishte një bllokadë kundër integrimeve euro-atlantike. Tani udhëheqësi i ri opozitar, në vend që të pranonte dorën e shtrirë për të dalë nga balta, ai vendosi që edhe më shumë të zhytet në të. Si duket për dikë më e rëndësishme është që të mos dështojë mafia vendase, madje sikur gjithçka tjetër të dështojë.

Që ajo të mos ballafaqohet me drejtësinë, edhe nëse të gjithë të tjerët të zhyten në padrejtësi. Ende e ka të vështirë të kuptojë se nga gjendjet shkarte nuk mund të ndërtohet koncept politik. VMRO e ka për detyrim moral mbështetjen lidhur me emrin, të paktën që t’i lajë disa nga mega-mëkatet e ish udhëheqjes së saj. Ato mëkate ishin aq të mëdha dhe të dëmshme, sa që nacionalistët grekë kishin menduar seriozisht aktorëve t’u ngritin një monument të madh në mes të Athinës. Është fakt se pas njohjes amerikane të emrit, pozita greke ishte e vdekur, por Gruevski me patriotizmin e tij të rremë ate e ringjalli.

Ne medoemos kemi nevojë për ura që t’i kalojmë. Për këtë do të na duhet një ideal shumë i fortë. Pasuria më e madh e njeriut nuk ruhet në xhep, por në zemër.  Sepse më në fund shohim se jeta na jep vetëm atë që ne ua japim të tjerëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button