Maqedoni, brenda gjashtë muajve do të kemi ndryshime në kodin zgjedhor

Brenda një periudhe prej gjashtë muajve, pushteti dhe opozita në Maqedoni pritet që t’i harmonizojnë qëndrimet në lidhje me ndryshimet në kodin zgjedhor, shkruan REL.

Ndërkohë që Kuvendi i Maqedonisë këtë javë miratoi zgjedhjen e përkohshme të anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve me mandat prej 6 muajve si pjesë e kodit zgjedhorë.

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e cila drejtohet nga kryeministri i Maqedonisë, Zoan Zaev vlerëson se sistemi zgjedhor duhet të pësojë ndryshime.

Tamosllav Tuntev, deputet i social demokratëve tha për Radion Evropa e Lirë se nga gjashtë njësi zgjedhore, sa janë aktualisht duhet të kalohet në një njësi zgjedhore si dhe ka kërkuar që lista e kandidatëve për deputet të jetë e hapur.

“Për momentin bisedimet mes partive politike zhvillohen mbi katër shtylla. E para, anëtarët e Komisionit Shtetërorë Zgjedhor të jenë persona që nuk i përkasin fare politikës, por ata të jenë profesionist të dëshmuar. Çështja e dytë ka të bëjë me financimin e partive politike, përkatësisht që shteti t’i financojë ato që të mos bëhen keqpërdorime përmes donacioneve. E treta, ne si subjekt jemi për një njësi zgjedhore me lista të hapura dhe e katërta ka të bëjë procedurat për parandalimin e parregullsive zgjedhore” thotë Tuntev.

Përderisa nga VMRO DPMNE thonë se akoma për këtë çështje nuk kanë ndërtuar qëndrim.

Kurse Artan Grubi nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, vlerëson se nuk ka nevojë për një njësi zgjedhore sepse ndarja e Maqedonisë në gjashtë njësi zgjedhore është treguar si model i suksesshëm.

Grubi thotë se partia që përfaqëson është pro sistemit me lista të hapura.

“Megjithatë duhet pasur parasysh se për këtë duhet të dekodohen dy të tretat e deputetëve, kjo nuk varet nga ne”, thotë Grubi.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se vetëm përmes një sistemi zgjedhorë me një njësi zgjedhore që do t’u mundësonte të sigurojnë ulëse dhe partive më të vogla dhe listave të hapura sipas modelit të Kosovës, do të mund të kemi një Kuvend ku do të zhvillohen debate në interes të realizmit të politikave që janë në të mirë të qytetarëve.

Naser Ziberi, ekspert juridik i cili ka qenë për tre mandate deputet në Parlamentin e Maqedonisë tha për Radion Evropa e Lirë se sistemi zgjedhor me një njësi do të reflektonte në të mirë të interesave të të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Beteja për një Kuvend më autentik mund të vij në shprehje edhe në mënyrë më autentike nëse mundësohet ndryshimi i modelit aktual proporcional edhe me lista të hapura me atë që votuesit gjatë zgjedhjeve do të japin votën për kandidatin e caktuar”, tha Ziberi.

“Kështu siç është aktualisht, modeli me lista të mbyllura, votuesin e vendos para aktit të kryer sepse ai është i detyruar të votoj listën e plotë sipas radhitjes që e ka bërë lideri dhe nuk mundësohet votimi i kandidatit që mendon se mund ta përfaqësojë më së miri” thekson Ziberi.

Ai njëherësh nënvizon se partive politike u mungon debati dhe demokratizimi i brendshëm.

“Kam përshtypjen se partitë politike në esencë nuk janë të interesuara dhe aq me sinqeritet për lista të hapura sepse kjo do të shkaktonte një debat brenda partive politike dhe ky debat partiak do të reflektonte me zgjidhjen më kualitative dhe një parlament më dinamik, një debat më frytdhënës në parlament”, thotë Ziberi.

Partitë politike brenda këtyre gjashtë muajve gjithashtu duhet të arrijnë ujdi edhe rreth asaj se a duhet që 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të japë dorëheqje kryeministri i vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button