Krimi nuk ia vlen

Tre vjet pas publikimeve të bombave dhe dy vjet pas tentimit të pasuksesshëm të Ivanovit, për t’i falur të gjithë të involvuarit në rastet e PSP-së, dolën edhe vendimet e para gjyqësore me dënime serioze për nëpunësit shtetërorë, të cilët kanë guxuar të keqpërdorin paratë e qytetarëve për kapriçe personale të pakuptueshme.

Vendimi i pardjeshëm në rastin Treqind dhe vendimi i djeshëm në rastin Tenk, caktojnë dënime serioze për të involvuarit. Kështu, në rastin Tenk Gruevski akuzohet pse ka kërkuar që të blehet në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme Mercedesi që kushtonte 600.000 euro, në mënyrë që ai të vozitet me të, por publiku të mos e dijë, sepse në atë kohë afroheshin zgjedhjet lokale dhe ai nuk donte të humbte poena politikë.

Pra me fjalë tjera, ai në mënyrë direkte ka urdhëruar të keqpërdoren më shumë se gjysmë milioni euro nga buxheti i shtetit i mbledhur nga taksat e qytetarëve, për qëllime meskine personale: që ai të vozitet me Mercedesin e shtrenjtë edhe atë fshehurazi nga publiku, ndërsa para publikut të vozitet me veturat e vjetra të qeverisë. Dhe tani për këtë mori dënim efektiv prej dy vjetësh burg. Dënimi për këtë vepër penale është 1 deri në 3 vite burg, prandaj për kryerës të dënuar për herë të parë është e kuptueshme që dënimi të lëvizë rreth mesatares.

Ajo që është me rëndësi, është se këtë tallje me qytetarët Gruevski nuk do të mund ta bënte po qe se nuk do të ishte nëpunësi Popovski dhe sigurisht, edhe ish ministreja Jankullovska të cilët faktikisht e kanë rregulluar tenderin ashtu si u konvenon atyre, dhe e kanë favorizuar një operator ekonomik në mënyrë që t’ia plotësojnë dëshirën kapriçoze shefit të tyre që të vozitet me veturën e shtrenjtë me ekrane në karriget e përparme.

Pra kryersi direkt i veprës penale, Popovski, i cili e ka bërë keqpërdorimin në fjalë, mori dënim prej 6 vite e gjysmë për këtë rast. Dënimi për veprën e tij është nga 5 deri në 15 vite burg. Tani Popovski do vuajë 6 vjet e gjysmë burg për atë se është pajtuar t’ia plotësojë dëshirat shefit të tij. Do të vuajë edhe 9 vite të tjera për rastin Treqind ku për shkak të blerjes së 300 veturave për MPB-në, buxheti i shtetit është dëmtuar për 450.000 euro. Popovski ka qenë ndihmës ministër i Punëve të Brendshme. Dhe ironia qëndron aty, se Gruevski me 2 vitet e tij burg në gjykimin në Apel mund të marrë dënim me kusht, ndërsa për dënim prej 15 vjet e gjysmë burg, nuk ka dënim me kusht.

Ironia tjetër qëndron në faktin se dënimet deri në 3 vjet burg vihen nëpër burgje ku regjimi i të burgosurve është më i lehtë, ndërsa dënimet mbi 3 vjet burg vuhen kryesisht në institucionin ndëshkimor korrektues të Idrizovës, ku regjimi i burgut dallon dukshëm dhe është shumë më i rëndë se ai tek burgjet tjera. Popovski do të ketë shumë vite në Idrizovë të meditojë për faktin se a ia vlente të kryejë vepra të tilla penale, vetëm për t’ia bërë qejfin shefit të madh i cili në këto raste shpëtoi me 2 vite burg, e mund të dalë edhe me kusht, si dhe shefes së tij, ish-ministres, e cila do të gjykohet në procedurë të veçantë për shkak të shtatzënisë me rrezik që e ka. Në fund të gjithë shpëtuan më lehtë se Popovski. Jam e bindur se do të përfundojë që asgjë nga ajo që e bëri nuk ia vlente, aspak!

Edhe Gruevski do të ketë dy vite për ta menduar të njejtën gjë. Qoftë në burg, qoftë i dënuar me kusht, do ketë mundësi të meditojë se a ia vlente që për disa vozitje me një Mercedes të shtrenjtë të bëhet horr para gjithë popullit dhe të fitojë statusin e personit fajtor dhe të dënuar. A ia vlente që të mbahet mend si kryeministri që dëshironte ta tallë dhe nënçmojë popullin që e zgjodhi, duke keqpërdorur paratë e tij për interesa të ulta personale. Mbi të gjitha, ndoshta do të kuptojë rezultatet e mendimit se është i paprekshëm dhe se askush asgjë nuk mund t’i bëjë. Por në vend që t’i mendojë këto, ai thotë që do të vijkan kohë më të mira në Maqedoni! Kohet më të mira kanë ardhur, por kush ta kuptojë. Ka ardhur koha e bartjes së përgjegjësisë për keqpërdorimet dhe për krimet e bëra. Ndoshta do ta kuptojë këtë gjatë këtyre dy viteve të heqjes së lirisë.

Mbi të gjitha, me rëndësi është mesazhi i përçuar me këto dy aktgjykime. Mesazhi është se nuk ka njerëz të paprekshëm. Herët a vonë, me kusht ose jo, njerëzit e fuqishëm dënohen për krimet e tyre. E keqja është se gjithmonë urdhëruesit del që të dënohen më butë se urdhërzbatuesit. Pra mesazhi i dytë nga këto aktgjykime është se për asnjë nëpunës shtetëror nuk ia vlen të bëhet Popovski. Thjeshtë nuk ia vlejnë 15 vite burg, për të kënaqur kapriçot e shefave, sado të sëmura qofshin ato. Heqjen e lirisë në kushtet e burgjeve tona nuk ka çmim që e paguan.

Në fund, është e pamundur të mos vërehet sa e padrejtë është situata ku personi kryesor i gjithë stories mer dënim simbolik. Kështu, Gruevski këtu mori 2 vjet burg (të shohim se çka do të thotë Gjykata e Apelit për këtë), ndërsa tek rasti i 27 prillit dhe në shumë raste tjera nuk u akuzua fare. Por edhe dy vite të burgut efektiv nuk janë pak në kushtet tona, me kusht që ky denim të realizohet. Veç kësaj, ai është i akuzuar edhe në 4 raste tjera ku duhet të marrë edhe dënime tjera. Në fund të fundit, si që ka thënë Bekaria, nuk ka shumë rëndësi që dënimi të jetë i ashpër, por me rëndësi është që ai të jetë i pashmangshëm. Vetëm një dënim i pashmangshëm, qoftë edhe për dy vjet burg, do të jetë dëshmi se drejtësia vërtetë ka filluar të funksionojë në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button