Shkarkohet Myftiniu i Strugës Polisi, ai thotë vetë dhash dorëheqje

Myftiu i Strugës Ferat Polisi pasdite është shkarkuar nga funksioni, njeri i parë i Myftinisë së Strugës. Kryesia e BFI-së sot në mbledhjen e pasdites përveç Polisit,  ka sjellë vendim të shkarkojnë të gjithë organet e Myftinisë së Strugës.

Shkarkimi ka ardhur pas ndodhive të fundit rreth rrënimit të Xhamisë shumë shekullore Mustafa Çelebi, për të cilën institucionet reagonin se po rrënohet ky objekt i mbrojtur me ligj, ndërkaq nga Myftinia e Strugës hidhnin poshtë akuzat duke thënë se po rrënohet për t’u rikonstruktuar e njëjta.

Në një prononcim për Portalb, myftiu i shkarkuar Ferat Polisi, thotë se ka qenë ai vetë që ka dhënë dorëheqje e cila tashmë është pranuar.

”Unë kam dhënë dorëheqje prej katër ditësh të cilën e kam depozituar pranë BFIM-së, e cila siç duket tashmë është pranuar nga ata. Në postin e Myftiut jam prej afërsisht dymbëdhjetë vitesh dhe është koha që të vijnë kuadro të rinj në krye të Myftinisë së Strugës. Dorëheqja ime nuk ndodhi vetëm për shkak të problematikës të renovimit të xhamisë së qyteti, por ishin të ndërthurura edhe arsye të tjera që kanë të bëjnë me angazhimet e mia” thekson tashmë ish Myftiu Ferat Polisi.

Kundër rrënimit të Mustafa Çelebi Xhamisë në Strugë reagoi edhe Partia Demokratike Shqiptare, përmes degës së saj në Strugë.

“Kjo xhami është monument kulture, pjesë e kulturës shqiptare ndër shekuj në Strugë, ashtu siç është pjesë e kësaj kulture edhe hamami i Strugës objekt i cili jo që nuk restaurohet por është shndërruar në Lavazh makinash”, deklaroi Lavdrim Elmazi, kryetar i degës së PDSH-së në Strugë.

Ai kritikoi Myftiun e Strugës se bashkëpunon dhe mbron interesat e Kryetarit të Strugës, Ramiz Merkos.

“Besimtarëve të konfesionit islam në Strugë ju duhet një myfti që do i mbroj xhamitë, kulturën islame dhe islamin në Strugë dhe jo ti rrënoj ato. Prandaj Struganët nuk meritojnë një marionetë të Ramiz Merkos siç është Ferat Polisi” – thonë nga PDSH.

“PDSH si dhe strukturat e sajë në Strugë distancohet nga këto veprime të papërgjegjshme dhe kërkojnë nga Myftinia e Strugës të jap llogari para qytetarëve për katraurën që ka krijuar dhe rikonstruimin e xhamisë të lërë në dorën e profesionistëve e jo të keqpërdoruesve Merko dhe Polisi” – mbaroi Lavdrim Elmazi.

Kundër rrënimit të Xhamisë kishte reaguar edhe Tanja Paskali Buntashevska, drejtoreshë e “Entit dhe Muze” – Ohër. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button