111 milionë euro për kompanitë, shqiptarët kërkojnë ndarje proporcionale

Qeveria sërish merr borxh nga Banka Evropiane për Investime, gjithsejtë  111 milion euro të dedikuara për kompanitë e vogla dhe të mesme dhe për  kapitalizim shtesë të Bankës së Maqedonisë për përkrahje të zhvillimit. 

Borxhi paraqet dy nga dymbëdhjetë masat e qeverisë për zbutjen e papunësisë, të cilat drejtpërdrejtë kanë të bëjnë me Odat Ekonomike të Maqedonisë.

“Ato janë masat për kapitalizim shtesë të Bankës së Maqedonisë për përkrahje të zhvillimit me 10,7 milionë euro dhe sigurimi i 100 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Këto 111 milionë euro do të sigurojnë edhe mjete likuide gjegjësisht mjete qarkulluese, gjithashtu edhe mjete për investime” – tha Ministri i financave Zoran Stavrevski.

Ai  gjithashtu tha se me këto mjete më së shumti do të mbështetet bujqësia në vend.

“Theksi do të vihet në kompani të vogla dhe të mesme të cilat merren me blerje, ripërpunim dhe eksport të prodhimeve bujqësore. Kjo është një degë strategjike me të cilën siguruam 10,7 milionë euro” –shpjegoi ai.

Mjetet mund të merren me kamatë interesi prej vetëm 3%, në afat prej pesë vitesh me grejs periudhë prej një viti.

Këto masa i përshëndetën edhe përfaqësuesit e Odave Ekonomike, duke pranuar se është dashur  më herët të sigurohen, si zbutje për vitin e vështirë në të cilin ka rënë ekonomia evropiane.

“Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore përshëndet dialogun mes qeverisë dhe Odave Ekonomike. Njëkohësisht përshëndesim iniciativën e Qeverisë për ndërmarrjen e masave antikrizë, posaçërisht këto dy masa të cilat u prezantuan sot. Ne mendojmë se futja e 111 milionë eurove në ekonomi do të jetë një zbutje për ekonominë e Maqedonisë” – tha Menderes Kuçi, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore.

Ai gjithashtu theksoi se ka kërkuar nga Ministria që këto para të ndahen në mënyrë proporcionale, për çka ka marrë përkrahje edhe nga Odat tjera Ekonomike. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button