Haki Aziri: Lupço Todorovski më detyroi ta nënshkruajë dëshminë e pavërtetë për “Monstrën”

Prokurorët e Prokurorisë Speciale, në Gjykatën Penale të Shkupit sot i kanë parashtruar pyetje të akuzuarit në rastin “Monstra”, Haki Aziri, në lidhje me rastin “Monstra”. Ai sot ka rrëfyer për periudhën e arrestimit të tij pas 1 majit të vitit 2012, kur sipas tij, policia ka ushturar dhunë që ai të dëshmojë se të akuzuarit Alil Demiri dhe Afrim Ismailloviqin, bashkë me të tjerët e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, raporton Portalb.mk.

“Dëshmitë që i kam dhënë përpara gjykatësit hetues janë dhënë me përdorim të dhunës. Pra, pasi që më kanë arrestuar, duke përdorur dhunë, më kanë dërguar në Stacionin e Autokomandës, atje më kanë pyetur disa inspektorë për 12 prillin (datën e vrasjes), pra deri në atë moment unë s’e kam ditur se për çfarë më kanë arrestuar. Pasi dhash deklaratë atëherë filluan të më thonë se ti e ke kryer vrasjen bashkë me të akuzuarit tjerë, ndërkaq unë e mohova, pastaj filluan të më kërcënojnë se të gjithë familjen, vëllezërit, axhallarët, do t’i arrestojmë, ndërkaq të tjerët do t’i vrasim. Atëkohë s’dija kush është gjallë. Pas kësaj më kanë dërguar në bodrum dhe atje më kanë keqtrajtuar”, rrëfeu Aziri.

Ai gjithashtu pas kësaj shpjegoi se si ka vazhduar trajtimi i keqtrajtimit fizik dhe psikik ndaj tij edhe në një ndërtesë afër MPB-së, por edhe më pas në Koçan.

Rasti "Monstra", foto: Suad Bajrami, Portalb.mk
Rasti “Monstra”, foto: Suad Bajrami, Portalb.mk

“Prej aty më dërguan në një ndertë afër Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk e di nëse ka qenë e shërbimi sekret apo diçka tjetër, më futën me një zyrë, më lidhën për karrige dhe atëherë më kanë thënë se mua s’do të më lënë të gjallë dhe se edhe nëse më likuidojnë askush s’mund t’u bëjë asgjë. Aty ka vazhduar tortura psikike dhe fizike. Aty më kanë mbajtur deri në momentin që më kanë mësuar se çfarë të them, pra gjithçka të pranoj pasi që me gjykatës, me prokuror janë njerëzit tanë, ndërkaq avokatë nuk do të kërkosh, ndërkaq nëse të japin ata, ai do të jetë njeri i jonë. Pas kës dola përpara trupit gjykues dhe më pas më kanë marrë dhe më kanë dërguar në Koçan, në një dhomë me grila. Pas disa ditëve, atëherë më thanë që t’u lajmërohesh familjes, por të kem kujdes së çfarë të flas”, rrëfeu Aziri.

Ai gjithashtu rrëfeu edhe për atë që siç tha ai, ofertën që ia kanë dhënë policia me qëllim që ai të pranojë gjithçka, madje i njëjti të lirohet, por ky i fundit s’ka pranuar.

“Më ofruan që të ma mbrojnë identitetin, më ofruan para dhe madje të shkojë jashtë vendit, gjegjësisht në Holandë, unë thash se vetëm dua që të më dërgojnë përpara gjykatësit hetues, çfarë të doni do të them, pasi që më nuk mundesha të duroja. Pas disa ditëve, më erdhi një person me një letër dhe më tha shkruaja siç do të më thotë nëse do dëshiron të të dërgojë përpara gjykatësit hetues, për të dytën herë. Pasi më kanë sjellë përpara gjykatësit hetues, përpara Gjykatës kanë qenë inspektorët që më kanë marrë në pyetje tek ajo ndërtesa në MPB apo shërbimi sekret. Më kanë thënë që të kem kujdes se çfarë flas”, tha Aziri, transmeton Portalb.mk.

Aziri i hodhi poshtë dy dëshmitë që i ka dhënë më 2 dhe 5 maj të vitit 2012, duke thënë se të njëjtat janë marrë me dhunë. Ndaj kësaj, prokurorja Fatime Fetai kërkoi që të shikohet videomateriali nga dëshmia e Azirit më 5 maj përpara gjykatësit hetues, me qëllim që të shihet nëse ka shenja të dhunës në fytyrë, megjithatë në video nuk mundej të shihej pasi që ishte e incizuar prej larg.

Rasti i Haki Hazirit, edhe më tej ngjall reagime
Foto arkiv, njëri nga tëa rrestuarit në rastin “Monstra”

Aziri vazhdimisht sot në gjykatë e përsërit tezën se policia e ia ka përgatitur dëshminë gjatë kohës së hetimit, gjegjësisht ata e kanë mësuar se çfarë të thotë.

Ai e përmendi emrin e “Radnikut”, te personi i cili ka qenë me gradë më të lartë dhe tek i cili është dërguar në ndërtesën e MPB-së, pasi që paraprakisht është mbajtur në Koçan. Ashtu siç tha ai, “Radniku” i ka dhënë që patjetër ta nënshkruajë deklaratën e përgatitur për vrasjen në Liqenin e Smillkovës dhe përpara Gjykatës ta thotë atë që shkruan në letër.

Pas kësaj, Fatime Fetai, i ka nxjerrë një fotografi të ish drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Lupço Todorovski, duke i thënë nëse ky është “Radniku”, ai tha po, duke shtuar se ai i ka thënë se të gjithë gjykatësit dhe prokurorët janë të tyre, kështu që patjetër ta nënshkruajë deklaratën.

Derisa Fatime Fetai e merrte në pyetje të akuzuarin, pas disa përgjigjeve nga Aziri se “nuk e mbaj mend”, “nuk e di”, ajo e ngriti zërin ndaj të akuzuarit, për çka ka reaguar avokati Naser Raufi që ta ndërrojë sjelljen.

Pyetje ndaj të akuzuarit kanë parashtruar edhe prokurori Gavrill Bubevski, por edhe gjykatësi i lëndës Ognen Stavrev dhe zëvendësi i tij Shaban Osmani.

Rasti “Monstra” që nga muaji mars është në duar të Prokurorisë Speciale Publike. Prokurorja speciale, Katica Janeva tha se janë të përgatitur ta prezantojnë lëndën para gjykatës.

Vrasja te Liqeni i Smillkovës ka ndodhur më 12 prill 2012 ku u vranë djemtë Filip Sllavkovski, Aleksandar Nаqevski, Cvetanço Acеvski, Kire Tërpkovski dhe Borçe Stevkovski.

Për këtë vrasje të pesëfishtë u hap lëndë me emrin “Monstra” ku me dënim të përjetëshëm u dënuan Alil Demir, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta,  ndërkaq Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë të pakapshëm për autoritetet e rendit.

Gjykata Supreme në dhjetor të vitit të kaluar i liroi të akuzuarit  Agim Ismailoviq, Haki Azirin, Sami Lutën dhe Fejzi Azirin dhe u përcaktoi masë kujdesi.

DOSJE “Monstra”: 6 vjet në kërkim të zbardhjes së rastit së vrasjes makabre pesëfishe

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button