Regresi katërvjeçar

Pas dështimit në Çikago, që nuk ishte asgjë më tepër se vërtetim i parashikimeve dhe dështim i shpresave për ndonjë mrekulli në momentin e fundit, realiteti i hidhur u pasqyrua edhe nga Departamenti i Shtetit, përmes Raportit për të drejtat e njeriut. Raportet e kësaj natyre publikohen rregullisht gjatë pothuajse 40 viteve të fundit dhe sipas Sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, ato ia bëjnë të qartë secilës qeveri që Shtetet e Bashkuara i përcjellin zhvillimet në çdo cep të botës dhe i mbajnë në përgjegjësi zyrtarët e tyre. Gjatë publikimit të Raportit u theksua pritja që udhëheqësit e nivelit të lartë ta pyesin veten se si qëndrojnë në krahasim me tjerët, por edhe ndaj vetes. Me gjasë që kjo u reflektua edhe nga Kryeministri Nikolla Gruevski në mënyrë shumë të shpejtë, duke deklaruar që kritikat e cekura janë diçka standarde për vitet e kaluara dhe ato hasen edhe tek shtetet e rajonit. I ballafaquar me dushin e ftohtë të pasqyrës faktike të raportit, i cili në mënyrë të detajuar i përshkruhen zhvillimet që mbase mund t’i kemi harruar për shkak të ngjarjeve të përditëshme, Kryeministri e tentoi relativizimin e gjendjes. Për dallim prej raporteve të Bashkimit Evropian, ku dështimet çdoherë spinohen me pyetjen se pse nuk është përdorur emri i shtetit ose gjuhës, raporti amerikan i jep vërejtjet po të njëjta, duke na dhënë kështu mundësi të pyetemi se sa vërtetë jemi të gatshëm për integrime euro-atlantike. 

Për ta krahasuar gjendjen aktuale në terren dhe asaj të kaluarës, mund të analizohet raporti për vitin 2007, si vit para fitores së koalicionit aktual. Krahasimi i këtillë e kundërshton në thelb bindjen se kritikat janë rutinore. Për fillim, para pesë viteve nuk ka pasur kritika për lirinë e shprehjes, madje është cekur që qeveria në përgjithësi i respekton garancitë kushtetuese për lirinë e shtypit dhe që pushteti nuk ka tentuar t’i pengojë kritikat e mediave. Kjo duket si një përshkrim i dëshiruar për raportin e fundit, i cili i përkushton një pjesë bukur të madje kësaj fushe, duke nënvizuar që presioni qeveritar mbi mediat është në rritje e sipër. Për më tepër, në krahasim me raportet e vendeve të rajonit, Maqedonia figuron si shtet i vetëm ku ceket që vetëm disa media të pavarura kanë qenë aktive, si dhe pa konkurrencë – kampion sipas numrit të mediave të mbyllura brenda një viti. E trajtuar në përgjithësi, fakti që edhe pas njëzetë viteve të pavarësisë ne ende merremi me lirinë e mediave, flet mjaft për evoluimin tonë kolektiv drejt standardeve të synuara demokratike. Ndërkohë që ceken nismat për përmirësimin e gjendjes së mediave, mbetet fakti që deri tani nuk ka asnjë ndryshim, që do të thotë se të paktën edhe një herë do t’i marrim rekomandimet e njëjta..  

Përndjekja selektive e kundërshtarëve politikë është një fushë tjetër që identifikohet si problem i rëndësisë së lartë. Zanafilla e këtyre vërejtjeve fillon në Raportin për vitin 2010, me konstatimin dëshpërues për ndërhyrje qeveritare në procedurat gjyqësore kundër udhëheqësve të opozitës. Sikur të mos mjaftonte me kaq, ka diçka tjetër që është e përbashkët për dy vitet e fundit dhe që dallohet si njollë e thellë për shtetin në ndërtim e sipër. Është frapante të kuptohet që përgjatë dhjetë viteve të kaluara – vetëm në dy vitet e fundit shënohet vërejtja që ka pasur indikacione për arrestime me motive politike! Duke e ditur që sundimi i ligjit është një prej kushteve themelore për integrim në BE dhe NATO, kjo tendencë e rrezikon edhe prishjen e pozitave që tashmë janë ndërtuar në nivel të ftesës në pritje. Shpresa për realizimin e premtimeve të Kryeministrit Gruevski patjetër duhet të shoqërohet me veprime konkrete nga partneri shqiptar i koalicionit, që udhëheqë me sektorin e drejtësisë. Për më tepër, përvoja e hidhur nga sistemi jotransparent gjyqësor dhe policia e pakontrolluar duhet të jenë arsyeja thelbësore që faktori shqiptar ta demonstrojë në terren vullnetin për drejtësi efektive dhe polici të përgjegjëshme. Cilido rezultat tjetër do të jetë zhgënjyes jo vetëm për integrimet e shumë-premtuara, por edhe për viktimat e panumërta të cilat me vite e paguajnë anarkinë e institucionalizuar.

Fatkeqësisht, vërejtjet kronike me të cilat mbase mund të jemi mësuar nuk janë asgjë pos refleksion i tendencës për mospërmirësim, që kufizohet me utopinë shoqërore në Maqedoni se problemet ose zgjidhjet e tangojnë vetëm njërën pjesë të shoqërisë. Për dallim prej Kryeministrit i cili të paktën e shprehi mendimin e tij, habit heshtja e pjesëmarrësve shqiptarë në koalicionin qeveritar, koalicion ky që në Raport identifikohet në tërësi për presionet parazgjedhore mbi administratën publike. Heshtja tani, si edhe heshtja gjatë dështimeve tjera të sistemit kur shqiptarët ndoshta nuk janë tanguar direkt, është kontribut i vazhdueshëm ndaj skizofrenisë që sa vjen e thellohet. Ashtu si që nuk mund të ketë sistem i cili do t’i mbrojë vetëm maqedonasit, nuk mund të ketë as tendenca negative që i mbajnë shqiptarët të privilegjuar. Së këndejmi, privilegji i heshtjes e nxit mendimin se palët që nuk ofrohen si pjesë e zgjidhjes, mbeten pjesë e problemit. 

Raportet e këtilla, përpikshmëria dhe stili uniform i të cilave mund të krijojë një ndjenjë të bezdisjes, së bashku me deklaratat e nivelit të lartë me të cilat hedhen poshtë vërejtjet e cekura nga partnerët strategjikë, me kalimin e kohës mund të krijojnë klimë komplet të ndryshme nga monotonia. Prej distancës së sotme, komentet në fjalë i përshtaten burrështetasve të vendeve si Suazilandi, Venezuela ose Korea e Veriut. Kjo nuk është krahasim i rastësishëm, por është pikërisht kategoria e shteteve ku u gjend edhe Maqedonia në një artikull të Washington Post-it për moshën e marrjes së pushtetit nga udhëheqësit aktualë. Në qoftë se kjo e dikton ritmin e zhvillimeve të ardhshme, do të duhet shumë më tepër se mbështetja në premtimet kryeministrore. Në të kundërtën, do të përfundojmë në shoqërinë e shteteve të këtij kalibri edhe për shumë veçori tjera.

Me ironinë e fatit, ashtu si që dështimet te ne përshkruhen si motiv dhe nxitje për rezultate edhe më të larta në ardhmëri, edhe ky raport mund të duket pozitiv – posaçërisht pas një viti kur ta marrin raportin e rradhës të zgjeruar dhe mbindërtuar me vërejtje.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button