Shkup, konferencë rajonale mbi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor

Sot në Shkup ka nisur konferenca rajonale mbi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, në të cilën do të prezantohen praktikat më të mira në rajon dhe tendencat e fundit për buxhetimin e barazisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Konferenca organizohet nga Zyra e Grave e OKB-së në Shkup në partneritet me Qeverinë e Maqedonisë. Ajo ndahet në disa panele në të cilat do të diskutohet krijimi i politikave të përgjegjshmërisë gjinore në politikat sektoriale në nivel qendror dhe lokal.

Konferenca u hap nga ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska, e cila theksoi se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është mënyra që ndjek se si paratë e buxhetit shpenzohen për njërin apo tjetrin grup, gjë e cila sipas saj është një mjet që i jep një pamje të mirë se si lëviz dhe ku investon shteti.

“Përfundimisht, rajoni është duke diskutuar çështjen gjinore si potencial dhe jo si problem. Kjo me të vërtetë më gëzon, sepse kur i shohim indikatorët ekonomikë ata nuk mund të përparojnë vetëm nëse nuk i përfshijmë të gjithë qytetarët në shoqërinë tonë”, tha Carovska.

Koordinatorja e përhershme e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe përfaqësuese e përhershme e Programit për Zhvillim të OKB-së (UNDP), Louisa Vinton, tha se është shumë lehtë të flitet për barazinë gjinore, por kjo çështje duhet të jetë një prioritet i një shoqërie që duhet të investojë para.

Në konferencën që do të mbahet këto dy ditë marrin pjesë rreth 80 përfaqësues qeveritar dhe joqeveritar nga vende të rajonit.

Pritet që kjo konferencë të hapë mundësi të reja për rritjen e bashkëpunimit dhe rrjetëzimit mes qeverive si dhe të hapë rrugën për ndërhyrjet e ardhshme rajonale mbi buxhetimin e përgjegjshëm gjinor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button