BREHTIANE

Fshatrat tona kanë mbetur thatë.

Në to nuk lëviz frymë e gjallë,

përveç korbave

që fluturojnë lirshëm

e zbresin herë pas here

dhe pushojnë mbi shtatoren e Skënderbeut.

S’ka burrë që i përzë korbat.

Rrugëve të qeta rrjedh si llavë pikëllimi,

rreth mureve janë rritur barishta e hithëra,

kurse para dyerve të mëdha

dora e huaj nga veriu e jugu

çdo ditë u ngre përmendore harresës

dhe marrisë që i kemi kultivuar ne vetë.

Në bazamentet e monumenteve të kotësisë

rrinë ulur  misionarë të cilët na mësojnë

mos t’i përdorim  fjalët përshëndetëse:  tungjatjeta

Mirëmëngjesi, mirëdita, mirëmbrëma,

sepse qenkan fjalë të gjuhës së zjarrtë,

që duhet ta kuptojmë se kjo gjuhë është e hadit.

Fushave të zbrazura nga fshatarët

bredh koha e shkuar

me hijet e bujqve të dikurshëm.

Dhe, endet jehona e këngës së tyre të dhembshme

për djemtë e mbetur në Tivar,

në fushat e gjera të Vojvodinës

ose për ata që kalbeshin nëpër burgjet

e Idrizovës, të Nishit, të Zabelës, të Zenicës

dhe të Goli Otokut,

me një “faj” të vetëm: pse ishin shqiptarë.

Po s’ka njeri që ta deshifrojë këtë këngë të pashkruar.

Institutet merren me punë gjumi,

shkollat kanë mbetur pa fëmijë,

thuaje të gjitha institucionet e dijes promovojnë suksese partiake.

Vetëm mbishkrimet e dikurshme të tyre

kanë mbetur varur mbi një gozhdë të ndryshkur

ku mezi lexohen emrat që kanë pasur shkollat:

Ismail Qemali Faik Konica Luigj Gurakuqi.

Pa pullaze janë çerdhet e dijes e pa dritare

dhe s’u gjen dot krahasim tjetër

përveç tullumbave të Lulit të Vocërr,

dytëshori i të cilit

iku i fundit për Zvicër,

duke i vënë drynin e rëndë fjalës shqipe.

Çfarë qetësie vrastare!

Si në varreza!

Në krye të fshatit është ulur këmbëkryq pasiguria,

pranë saj edhe perspektiva e mbyllur,

edhe identiteti i plagosur.

E gjithandej sillen aktivistë e misionarë të ndryshëm

nga nga brenda e nga jashtë,

nga fqinjët të cilët derdhin ortiqe gënjeshtrash

e të gjithë së bashku

duan ta mbushin zbrazëtinë e fshatit të molisur me ideologji:

të kuqe të kaltra tringjyrëshe të gjelbra të verdha

dhe t’i fusin fitilat e grindjeve midis vëllezërve.

Nëpër qytete çajtoret janë përplot “heronj”,

të udhëhequr nga arrivistët e pasur.

Ecën padija  me fustane të zeza midis tyre,

nga njëra çajtore në tjetrën

dhe flet për diturinë.

E kudo që ulet “zonja” injorancë,

rreth saj ulen krerët e  bitpolitikës

“me bajrak në dorë”..

Disa syresh e shajnë shëngjergjin,

disa e pagëzojnë shën Ilinë si “ilinditas”,

të tjerët i rrotullojnë rruzaret

e i luten dikujt

ose flasin me zjarr për moralin që s’e kanë.

Rrugëve pa emër e pa krye

ecin gra me të zeza

përfund çizmeve të rënda e të vrugta

ku thonë se ndjehen mirë.

Vijnë dikur te dyert e hekurta të kasolleve

dhe u bëjnë zë fëmijëve:

Xhoela, Alperen, Rajan, Rej, Gadaf,

Medina, Emilio, Abdulkadër, Ajnur!

Erdhëm ne!

Futen pastaj brenda.

Oborret e tyre rënkojnë nën beton,

kurse nëpër shtëpitë përreth

kalërojnë mjerimi injoranca mujshia dhe vrugu,

katër kalorësit e marrisë

që rrahin gjoks se na kanë bërë pronë të tyre.

ndërsa ne pohojmë heshtazi me kokë

dhe miratojmë: amin, amin!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button