АNALIZË: Guvernatorë, skandale dhe politikë monetare!

Më 26 prill 1992, me miratimin e Ligjit për Bankën Popullore, Maqedonia e fitoi guvernatorin e parë pas pavarësisë, Borko Stanoevskin. Që atëherë, në krye të këtij institucioni të definuar me ligj, kanë qëndruar edhe tre guvernatorë të tjerë. Disa prej tyre e përfunduan karrierën e tyre me dorëheqje për shkak të skandaleve financiare në sektorin bankar, por pothuajse të gjithë, në një farë mënyre ishin të ekspozuar ndaj kritikave të publikut për shkak të vendimeve të caktuara në lidhje me politikën monetare, por edhe me pushtetin ekzekutiv, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. E përbashkët për të gjithë është se, duke e respektuar ligjin, duke siguruar stabilitet të çmimeve, nuk lejuan ndryshim të kursi të këmbimit të denarit.

Portalb”-i bën një përmbledhje të punës së guvernatorëve të deritanishëm dhe të veprimeve që lanë shenjë në punën e tyre.

Guvernatori Borko Stanoevski

Stanoevski është guvernatori i parë në Maqedoninë e pavarur, dhe në krye të Bankës Popullore u zgjodh në prill të vitit 1992. Pas pesë vitesh ai jep dorëheqje për shkak të skandalit të madh financiar “TAT”. Me urdhër të BPM-së, në vitin 1997, inspektorët hynë në këtë kursimore dhe gjatë ekzaminimit të dokumenteve e zbuluan mashtrimin e madh piramidal që përfundoi me rreth 13.000 qytetarë të dëmtuar dhe 60 milionë euro të humbura. Pronarja e kursimores, Sonja Nikollovska, përfundoi në burg, por kjo aferë, e cila la gjurmë të thella në ekonominë e përgjithshme, lidhej edhe me funksionarë të qeverisë së atëhershme. Njëzet e pesë vjet pasi ishte zgjedhur në krye të BPM-së, gjatë shënimit të jubileut të BPM-së, Stanoevski, duke e rikujtuar periudhën e trazuar, tha:

“A mund të harrohet se në çfarë kushtesh dhe me çfarë vështirësish e kemi blerë letrën për bonot me vlerë dhe për ngjyrat speciale? A mund ta harrohet tensioni në atelienë e shtypshkronjës në Prilep, kur më në fund duhej të vendosnim për dizajnin e bonove me vlerë? A mund të harrohet dita dhe ora kur filloi shtypja e bonove me vlerë?”

Guvernatori Ljube Tërpeski

Pas dorëheqjes së Stanoevskit, në krye të Bankës Popullore u zgjodh Ljube Tërpeski, dhe në këtë funksion qëndroi deri në vitin 2004. Detyrën e mori përsipër si një person akademik, i cili më parë ka qenë në funksione të ndryshme profesionale dhe politike, duke përfshirë edhe funksionin e ministrit dhe të zëvendës-guvernatorit. Megjithatë, edhe mandati i këtij guvernatorit nuk kaloi pa kritika dhe tronditje në sektorin bankar. Gjurmë la shkatërrimi i bankës “Eksport-Import”, në pronësi të biznesmenit të atëhershëm kontrovers Metodija Smilevski. Në vitin 2004, policia ngriti padi penale kundër Tërpeskit, duke e akuzuar atë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, me arsyetimin se ka lëshuar garanci për kreditë që banka i ka marrë jashtë vendit, e pastaj ato para kanë përfunduar në kompanitë e Smilenskit. Në vitin 2006, Tërpeski u arrestua dhe kaloi një muaj në burg shtëpiak. Në vitin 2008 ai u dënua me 4.5 vjet burg dhe u dërgua në burgun e Idrizovës, por u lirua pasi Gjykata Supreme e shfuqizoi aktgjykimin kundër tij.

Vite më vonë, profesori universitar Tërpeski konsideron se nevojiten ndryshime në politikën monetare, gjegjësisht se politika e kursit të fiksuar të këmbimit të denarit “e ngulfat” ekonominë në përgjithësi.

Guvernatori Petar Goshev

Prej vitit 2004 deri në vitin 2011 në krye të Bankës Popullore ishte Petar Goshevi, lider i mëparshëm i PLD-së, ish-deputet, politikan, ministër për financa. As mandati i këtij guvernatori nuk kalon pa turbulenca që do të kenë pasoja mbi sektorin bankar.

Në tetor të vitit 2007, me urdhër të guvernatorit Goshev iu mor leja e punës “Makedonska Bankës”, me arsyetimin se, ndër të tjera, ndryshimi në strukturën e aksionarëve është i rrezikshëm. Pas kësaj, filloi procedura e likuidimit të njërës prej bankave më të mëdha në vend, ku ishin të punësuar mbi 200 njerëz, ndërsa depozitat e kursimeve arrinin pothuajse 25 milionë euro. Deri në momentin e fundit në qarqet e biznesit bankar komentohej se a mund të gjendet shpëtim për bankën e cila konsiderohej si shtyllë e rëndësishme në sektorin e përgjithshëm bankar. Më pas u parashtrua ankesë deri te Komisioni për antikorrupsion për konflikt të interesave për rastin në të cilin guvernatori Goshev, sipas ankesës, ka ndikuar për shlyerjen e kredisë të cilën “Makedonska Banka” ia ka dhënë firmës “3-M” dhe blerjen e tokës në Gjevgjeli. Komisioni për antikorrupsion e hodhi poshtë iniciativën për fillimin e procedurës si të pabazë.

Publiku ishte dëshmitar i fjalëve të rënda që u shkëmbyen ish-guvernatori Goshev dhe ish-kryeministri Georgievski, të cilët e akuzuan njëri-tjetrën nëpërmjet mediave. Goshev e akuzoi Georgievskin për patriotizëm të rremë, ndërsa Georgievski shkroi se Goshevi ka qenë shërbëtor i qeverisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski.

Guvernatori Dimitar Bogov

Pasardhësi i Goshevit ishte Dimitar Bogov, i cili në krye të BPM-së u zgjodh në maj të vitit 2011. Në këtë pozitë edhe nga vendi i zëvendës-guvernatorit, si guvernatori më i ri në moshën 42 vjeçare.

Mandati i Bogovit nuk u “trondit” nga ndryshime më të mëdha në sektorin bankar, por ky guvernator e shtyu mandatin e tij në një periudhë të pasojave nga kriza globale financiare, por edhe në kushte të jostabilitetit të thellë politik në vend. Në përputhje me rregullativën ligjore, e ruajti kursin e fiksuar të këmbimit të denarit, që ishte edhe njëra nga deklaratat më të shpeshta të guvernatorit Bogov.

Në kulmin e krizës politike në vend, guvernatori Bogov dhe LSDM-ja opozitare në atë kohë, veçanërisht me kryetarin e komisionit partiak për financa, Kire Naumov, u futën në luftë të ndërsjellë “verbale”.

“Guvernatori Dimitar Bogov nuk mund të garantojë asnjë stabilitet financiar, përderisa kujdeset për interesat e familjes, e jo të qytetarëve të Maqedonisë. A e ka Gruevski Bogovin “në dorë” dhe a ka të bëjë kjo me ankandin për përzgjedhjen e kontraktorit për ndërtimin e ndërtesës së re barok të BPRM-së? – shkruan nga LSDM-ja në njërin nga reagimet e tyre.

Reagoi edhe guvernatori Bogov:

“Banka Popullore është shtylla kryesore e stabilitetit makroekonomik të ekonomisë së Maqedonisë dhe për këtë arsye është cak i të gjithëve atyre që mendojnë se do të përfitonin nga dëmtimi i saj. Zotëri Naumovi, në kolumnat e tij, disa herë paralajmëroi se do të ndodhë zhvlerësimi (devalvimi) i denarit. Denari mbeti stabil, mirëpo u zhvlerësua besueshmëria e z. Naumovit”, thuhet në njoftimin për shtyp të BPRM-së.

Mandati i guvernatorit është shtatë vjet, me të drejtën për rizgjedhje edhe për një mandat tjetër. Për herë të parë në historinë e Maqedonisë në krye të BPM-së erdhi një grua.

Anita Angellovska – Bezhoska zgjedhet guvernatore e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button