Mbi sinoniminë e leksemave ‘ilindenase’ dhe ‘ilinditase’

Versioni i proklamuar së fundmi për gjetjen e kompromisit politik në zgjidhjen e kontestit të emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë nga ana e qeverisë Zaev, me emërtimin “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, gjithsesi se do të paraqiste një arritje të madhe politike për kryeministrin e moderuar të Maqedonisë, z. Zoran Zaev, madje duke krijuar një konstrukt pozitiv të identitetit maqedonas si në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Në një çështje të këtillë kaq delikate, nuk ka vetëm fitues, por edhe humbës, kështu me këtë emërtim, humbësi më i madh do të ishte Greqia. Me këtë akt, shteti ynë fqinj do ta shpallte kapitullimin e një beteje, e cila i ka rrënjët e thella, për mbi një shekull, dhe jo siç thuhet, që nga pavarësimi i Maqedonisë.

Kryengritja e Ilindenit (2 gusht 1903), në historinë maqedonase, paraqet fillesën e formësimit të kombit maqedonas, të mohuar deri më atëherë nga shtetet fqinje, në veçanti, nga Greqia. Prandaj dhe proklamimi i gjetjes së kompromisit me një emërtim të tillë, i cili, nga njëra anë forcon identitetin maqedonas, kurse nga ana tjetër, e shpall kapitullimin e Greqisë, është sa i pabesueshëm aq dhe i pamundur.

Sa i përket përkthimit në shqip si “Maqedonia ilindenase” (në versionin e parë) dhe “Maqedonia ilinditase” (versioni i dytë), duke i vënë në një marrëdhënie sinonimie mbiemrat ilindenase dhe ilinditase, mbase nga jokompetenca apo në mënyrë të paramenduar, s’do mend se këto leksema nuk kanë asnjë lidhje midis tyre as në rrafshin sintagmatik dhe as në atë paradigmatik.

Ato nuk mund të quhen as sinonime dhe as antonime, madje leksema ‘ilinditase’ është një sajesë allasoj, tërësisht e desemantizuar, por që të lë të kuptosh se gjenezën e ka në dy vargjet e para të himnit maqedonas “Денес над Македонија се раѓа, ново сонце на слободата […]”, pra, në diskursin e ri të trasuar politik unë e kuptoj si: “lind një ditë e re” (mbase qytetare a shumetnike), kuptohet, me një përdorim të izoluar dhe populist vetëm ndër ne shqiptarët, sepse në përdorimin ndërkombëtar do të ishte për mrekulli: “Republic of Ilinden Macedonia”.

Me këtë rast, duhet thënë se në gjuhën shqipe, në raste të emërtimeve të tilla, mbiemri maqedonas ‘ilindenska’, nëse përkthehet me po të njëjtin mbiemër ‘ilindenase’, nuk është asgjë tjetër, pos një përkthim kalk. Është njëjtë sikur “Betejën e Koshares” ta riformulonim në “Beteja Kosharase”, apo “Betejën e Kosovës” në “Beteja Kosovarase”, etj., pra ky emërtim në shqipe do të ishte: “Republika e Maqedonisë së Ilindenit”, pra jo me mbiemër si në maqedonishte, por me një emër në gjinore, që ka funksionin sintaksor të përcaktorit, dmth. jep informacione shtesë për frazën emërore. Megjithatë, në diskursin politik gjithçka është e qëlluar dhe e pranueshme, përderisa duartrokitet nga një numër i madh i spektatorëve shurdhmemecë.

Shkruan: Arbër Çeliku, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar në Universitetin e Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button