SOCIOLOGJI RAMAZANI

Pyetja e parë: A shkojnë këta dy terma bashkë, njëri modern, tjetri tradicional, pranë-pranë? Po, të shohim pra. Një disiplinë e tërë shkencore merret me çështjen e raportin mes vlerave shpirtërore dhe shoqërisë, me “bashkëjetesën e njeriut me Zotin” (Wach), me “një tërësi  që beson te e shenjta dhe formon një komunitet shpirtëror” (Durkheim): sociologjia e religjionit, me dimensionet e fesë doktrinar, adhurimor, përvojor, konjitiv, dhe konsekuencional (Glock), me fetarinë teorike, praktike dhe sociologjike. Ramazani është segment edhe besimor, edhe adhurimor, edhe social i fesë, është frymë hyjnore me impakt social.

Një postim i paradoditshëm në rrjetet sociale: as orë policore e as gjendje e jashtëzakonshme në “Kosovën laike”, “vetëm dy vetura në rrugët e Gjilanit në kohën e iftarit të parë”. Një shënim tjetër i të njëjtës temë nga një komercialist shkupjan lidhur me Kërçovën. Po më gjerë, globalisht: në një ishull të Maldiveve, në pikun e sezonit turistik, “aty ku pushimet duken sikur të jenë jashtë rruzullit tokësor”, të papërshkrueshme, ky ngjyra dhe kthjelltësia e ujit të shpien në një botë magjike, ditën e parë të Ramazanit asnjë restorant  i hapur, por dyert e familjeve të ishullit të hapura për mirëpritje. (Nas Daily) “Muslimanët e Danimarkës kanë agjëruar 21 orë të plota”. (2015) Deputeti kanadez eksperimentalisht ka agjëruar një muaj dhe thotë se do ta përsërisë këtë përvojë të jashtëzakonshme.

Pyetja më logjike që mund ta shtrojë çdo homo sapiens: Çfarë është kjo fuqi, ç’është ky faktor që në momentum të caktuar ndryshon tërësisht ritmin e jetës individuale dhe shoqërore, që krijon agjendë totalisht tjetërfare gastronomike dhe interaksionale, që i kufizon njerëzit, që i kalon ata nga një klimë ordinere në një atmosferë sublime? Është një mister që ka të bëjë me ndërhyrjen suprahumane, fenë, të besuarit, me bindjen, me faktin social se feja, me burim tejsocial, transhendental, ka impakt shoqëror shumë të fuqishëm. Kjo është edhe arsyeja pse është subjekti më i përfolur në botë, në veçanti pas rrënimit të komunizmit e këndej dhe 11 Shtatorit në veçanti, ndonëse pas datës së fundit shpesh në kuptimin pezhorativ edhe fobik.

Ramazani një muaj i veçantë edhe për nga shpërfaqjet e veta konkrete jo vetëm në botën e brendshme humane, jo vetëm në psikologjine dhe spiritualitetin e njerëzve. Është simbolike e ndryshimit vetjak dhe social, është periudhë kur edhe më i padisiplinuari hyn në binarë, futet në hulli, i ruhet mëkatimit edhe ndaj Zotit po edhe atyre gabimeve ndaj njerëzve, nga ulja e shikimit deri te të mëdhatë, kur e ndjen presionin e emanacioneve hyjnore te tokësorja. Pra ështe një ndryshimi i kursit të jetës, i grafikut të aksioneve ditore, është proces kulturizues, socializues, integrues, që të shkëput nga vija e përditshmerisë dhe të vë në vijën e idealizmit.

Ramazani është një kurs apo puntori njëmuajëshe e empatisë, kur edhe më i pasuri shijon urinë e etjen, duke u bashkëndjerë me grupet sociale vulnerabël, duke u solidarizuar me ata përmes lëmoshës dhe kategroive tjera të bujarisë së akceleruar. Ramazani e vret ndjenjën e megalomanisë te njeriu, e bën modest, e kthen te vetja. Është një kurë kundër vetmisë, asocialitetit, introvertitetit, është  masë për forcimin e vetëbesimit dhe socializimit ngase riti i darkës (iftarit), i syfyrit, i lutjeve të përbashkëta masovike (teravive) të detyrojnë të bëhesh pjesë e radhëve, të shohësh figura, njerëz me të cilët në ritmin e rëndomtë takohemi rrallë. Iftaret e zbukuruara me familjarë e miq, tavolinat plot janë një vlerë shtojcë tjetër e këtij muaji. Një gjë tjetër e vërtetuar sociologjikisht është se këtë muaj bie numri i rrëmbimeve, aksidenteve, lëndimeve, mashtrimeve, keqtrajtimeve, ngatërresave e konflikteve ndërnjerëzore, trafikimit të armëve (Iran: -45%), vrasjeve (-32%), zhvatjeve (Turqi: – 36%) dhe akteve suicidale (- 15%), dhe anomalive të tjera (Tavakoli, 2012; Rohner, 2014). Gazeta saudiane Arabnews shënon se krahasuar me muajin praparak, Shaban, në Provincën Lindore shënohet një rënie e numrit të krimeve për 40 %.

E mëson njeriun për vetëkontroll, një element ky i rëndësishëm në ndërtimin e komunikimit dhe raporteve pozitive me të tjerët. E eticizon atë, e përpunon moralisht. E bën më tolerant, ia mbjell ndjenjën e disiplinës dhe rendit, të pacifizmit.  Ramazani është një shkollë hyjnore që synon të gjenerojë tipin ideal mysliman. Me një fjalë, fetaria e Ramazanit i zbut zemrat, ndryshon psikologjinë duke i kaluar shpirtrat përtej kënaqësive tokësore e trupore, është një reformë dydrejtimëshe, individuale dhe sociale, pajton të hidhëruarit, krijon harmoni sociale, shmang dallimet klasore, përmes virtyteve targeton një shoqëri të shëndoshë dhe harmonike në të cilën raportet ndërnjerëzore do të bazohen në mëshirë, respekt dhe dashuri, mësues i drejtësisë sociale. Është ndërhyrje hyjnore në histori.

Ndërkohë duhet shënuar edhe praktikat gjatë këtij muaji që janë për kritikë: shndërrimi i iftareve në show ushqimesh, pop-kultura e thirrjes së personaliteteve të njohura për të krijuar imazh, efektet vizive në rrjetete sociale nëpër restorante me tavolina të stërngarkuara që shënojnë maskonusmerizmin e jo mesatarinë dhe modestinë islame, shfrytëzimi ekstrem i mediave për marketing të produkteve të ndryshme (deri në çmenduri si “kompania X: sponsor i Ramazanit”) e të ngjashme. Negativitet ekstern është mosrepeskti i shfaqur nga një pjesë e mosagjëruesve (myslimanë) që pa hezitim dhe me krekosje shfaqen në publik duke irrituar dhe tendosur situatën kot së koti. Edhe agjërimi edhe mosagjërimi janë e drejtë e padiskutueshme (fetaria është me zgjedhje, ajo me detyrim s’është hiç fetari), por konsiderata për ndjenjat e tjetrit flet për karakterin dhe nivelin kulturor të njeriut. Do ishte mirë të merrej mësim nga një rast që na e rrëfeu një student tetovar lidhur me fqinjët e tij maqedonas: “Ju besohet profesor, se drekën e hanë në garazhën e tyre ndonëse kanë bahçe me drunj e gjelbërim mbresëlënës.”

Dhe të përfundojmë me fjalët e H. Abdulatit: “Asnjë sociolog a historian nuk mund të thotë se në ndonjë periudhë të historisë ka pasur diçka të krahasueshme me këtë institucion të fuqishëm të islamit!”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button